“ALSAR” NË VEPRIMTARITË E 100-VJETORIT TË SHPALLJES SË TIRANËS KRYEQYTET

Në 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, u zhvillua mbrëmjen e djeshme në sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë “Sofra Tiranase 2020”. Në këtë veprimtari  ishin të pranishëm anëtarë dhe miq të shoqatës “Tirana”, përfaqësues të trupit diplomatik, personalitete të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase, si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase.

Në sofrën tiranase u vlerësuan edhe disa nga njerëzit më të spikatur në të gjitha fushat, të cilat kanë kultivuar e mbajtur gjallë traditën dhe krenarinë e kryeqytetit.

Në këtë kuadër u vlerësua edhe veprimtaria e Fondacionit ALSAR” për kontributin që jep per ringjalljen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare si dhe për ndihmën që ofron për shtresat sociale në nevojë dhe veçanërisht ndaj fëmijëve jetimë. Për të shprehur vlerësimin dhe mbështetjen e saj ndaj këtij misioni të Fondacionit ”ALSAR”, Qendra Multifunksionale “New Generation” akordoi një bursë të plotë studimi 2-vjeçare e dedikuar për një përfitueseje të programit tonë të ndihmës për fëmijet jetimë në qytetin e Tiranës. 

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur me këtë rast kryetari i Fondacionit ALSAR” Z. Mehdi Gurra  do të shprehej: “Është një kënaqësi e veçantë për mua, që marr pjesë sot në  këtë program të organizuar Shoqata “Tirana” në kuadër të veprimtarive festive me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Shtëpisë sonë të përbashkët Tiranës, si kryeqytet i Shqipërisë.  Gjej rastin gjithashtu të falenderoj Drejtuesin e Qendres Multifunksionale “New Generation” Z. Ilir Tafaj  për akordimin e një burse të plotë studimi 2-vjeçare një përfitueseje të programit tonë të ndihmës për fëmijët jetimë në qytetin e Tiranës.  Më lejoni të shpreh dy fjalë zemre për bashkëpunimin e suksesshëm me Shoqatën “Tirana”

Të nderuar pjesëmarrës!

       Nuk është aspak e vështirë ta dallosh Shoqatën “Tirana” në angazhimin dinjitoz për dekada në ruajtjen dhe forcimin e identitetit të Tiranës nëpërmjet tiranasve. Po kaq e lehtë është ta pikasësh Fondacionin ALSAR mes dhjetëra organizmave për atë që ka bërë dhe bën për Tiranën.

     Ky event ka mbledhur dy institucione që merakun për Tiranën e kanë të dorës së parë, se vetë janë themeluar prej tiranasish të vërtetë. Ruajtja e identitetit të qytetit të tyre, kryeqytet prej 100 vitesh i të gjithë shqiptarëve, është në bërthamën e krijimit të Shoqatës Tirana dhe të Fondacionit ALSAR, edhe pse objektivat e organizmit që unë drejtoj janë shumë më tepër se kaq.

      Kryeqyteti si emërues i përbashkët i ka bërë shpesh bashkë në rrugëtimin e tyre Shoqatën Tirana dhe Fondacionin ALSAR, ashtu siç po ndodh dhe sot. Me këtë bashkëveprim duam të ruajmë një traditë dhe identitet të kahmotshëm: traditën qytetare dhe identitetin kulturor të Tiranës sonë! Është detyra jonë ta bëjmë këtë, si autoktonë!

 Të nderuar të pranishëm!

   Mirënjohje këtij qyteti, që me fisnikëri mban të forta themelet e Tiranës, të familjeve të njohura, trashëgimtare të vlerave të papërkulura nga koha.                                                                     

Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës.                                     
  Urime dhe suksese të metejshme Shoqatës Tirana.