Category Page: Humanitare

“NDIHMESA PËR JETIMIN, NDIHMË E SHQUAR PËR SHËNDETIN MORAL TË SHOQËRISË”

Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR) organizoi me datë 30 korrik 2019 në Sallën “Unesko” të Muzeut Historik Kombëtar  në Tiranë një veprimtari  kushtuar fëmijëve jetimë “Ndihmesa për jetimin, ndihmë e shquar për shëndetin moral të shoqërisë”, ku u realizua dhe shpërndarja e ndihmës monetare dhe dhuratave për fëmijët pjesëmarrës.

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria, merrnin pjesë Kryetari i Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame Z. Ali Kurt, Kryetari i Organizates Wefa Z. Musab AYDINpërfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame.

ALSAR, përmes zhvillimit të këtij projekti ndër vite ka synuar të ofrojë një ndihmesë dhe përkujdesje për fëmijët jetimë, në drejtim të lehtësimit të vështirësive ekonomike familjare, si dhe të edukimit dhe të arsimimit të tyre, duke e konsideruar këtë si një ndihmesë modeste, por pozitive dhe shumë të rëndësishme jo vetëm për fëmijët jetimë, por edhe për të ardhmen e mbarë shoqërisë shqiptare.

Programi artistik i këtij aktiviteti ishte i larmishëm. Ai u alternua me:

Interpretimin e këndimit të Kuranit Famëlartë; Himnet kombëtare, si dhe fjalët përshëndetëse të:

Ø  Kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili paraqiti një pasqyrim të shkurtër të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR ndër vite dhe shërbimeve që ajo ofron për fëmijët jetimë e më gjerë. Në përfundim të fjalës së tij, Z. Gurra falënderoi të gjithë donatorët, veçanërisht Fondacionin WEFA, i cili bëri të mundur ofrimin e donacionit në ndihma financiare dhe dhurata.

Ø  Kryetarit të  Organizates WEFA me qendër në  Gjermani,   Z. Musab AYDIN si dhe

Ø   Kryetarit të Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame Z. Ali Kurt.

Prezantimi i repertorit të pasur të ansamblit artistik të fëmijëve, krijoi një atmosferë elektrizuese me këngë e valle nga treva të ndryshme të Shqipërisë të veshur me kostume popullore duke shpalosur në sallë një larmi ngjyrash e tingujsh që përfshinë dhe entuziazmuan fëmijët dhe të ftuarit.  Spektakli vijoi me performancën e mrekullueshme të artistit të mirënjohur Met Selimi.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, fëmijëve iu shpërndanë dhurata në artikuj veshmbathje si dhe ndihma financiare në vlerën e 28 eurove në muaj për periudhën e 3 mujorit të dytë të vitit 2019 mundësuar falë ndihmës dhe kontributit te Organizatës WEFA me qendër në Gjermani.

“DITËT E SOLIDARITETIT NE NDIHME TE NJEREZEVE NE NEVOJE”

Bamirësia nuk njeh kufij, në vijimesi të programit “Ditët e solidaritetit” ndalesa e radhës ishte në Konispol, ku u zhvilluan 2 projekte në ndihmë të komunitetit të banorëve të kësaj zone. Projekti i parë konsistoi në dhurimin e pajisjeve elektronike (10 laptop dhe 10 televizore si dhe mjete kancelarike) në ndihmë të shkollave publike dhe nxënësve të kësaj njësie administrative. Ndërsa përmes realizimit të projektit të dytë u mundësua dhurimi i pakove ushqimore për 50 familjet në nevojë të kësaj zone. Kurorëzimi i suksesshëm i këtyre projekteve u mundësua falë ndihmës dhe mbështetjes së ofruar nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Afyonit në Turqi, Z. Burhanetin Çoban, i cili gjate kësaj periudhe 3 vjecare ka dhene një kontribut të çmuar në ndihmë të komunitetit te banoreve te Konispolit, si një nga shembujt e dashamirësisë, dhe vëllazërisë që ekziston ndërmjet dy popujve tanë.

“DORA E NGROHTË” NË ACARIN DIMËROR

Me synimin për të vijuar sigurimin e ndihmës për familjet e fëmijëve jetimë, edhe në këto ditë të acarta të stinës së dimrit, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij humanitare, përzgjodhi një ndër zonat veriore me përqendrimin më të madh të tyre, atë të qytetit të Kukësit, për të realizuar projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë gjatë stinës së dimrit” nëpërmjet të cilit u realizua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në lëndë drusore për ngrohje, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike. Falë mbështetjes së ofruar nga Organizata e Ndihmave Humanitare “ me qendër në Belgjikë, nga ky projekt përfituan, 50 familje të fëmijëve jetimë.

“SOLIDARITETI HUMAN NË NDIHMË TË FËMIJËVE JETIMË ”

Me synimin për të vijuar sigurimin e ndihmës ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij humanitare, përzgjodhi një ndër zonat me përqendrimin më të madh të tyre, atë të qytetit të Tiranës, për të realizuar më datë 20 tetor 2018 projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë” përmes të cilit u mundësua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në artikuj ushqimorë, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

ALSAR I DHURON ÇANTA SHKOLLORE NXËNËSVE SANXHAK, PRESHEVË,NOVISAD

Fondacioni ALSAR në vijimësi të zhvillimit të veprimtarisë se tij mirëbërëse shoqërore në bashkëpunim me institucionet e Bashkësive Islame të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit dhe të Novi Sadit realizoi më datat 01- 02 tetor 2018 në qytetet: Sanxhak, Novisad dhe Preshevë, projektin e dhurimit të çantave shkollore dhe mjeteve kancelarike nxënësve të shkollave publike që i përkasin shtresave sociale në nevojë.

Ceremonite zyrtare te realizimit të këtij projekti u zhvilluan në shkollat publike. Në to morën pjesë përfaqësuesit e Bashkësive Islame, përfaqësues të Fondacionit “ALSAR” dhe të organizatës partnere IHH me qendër në Holandë që kontribuoi për sponsorizimin e këtij projekti.

Realizimi i këtij projekti ishte një kurorëzim i suksesshëm i zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit te ndërsjellë ndërmjet institucioneve tona. Ai konsistoi në dhurimin e 1400 çantave shkollore dhe mjeteve kancelarike për nxënësit e shkollave publike që i përkasin shtresave sociale në nevojë të kësaj zone.

Drejtuesit e institucioneve arsimore dhe të Bashkësisë Islame të këtyre qyteteve vlerësuan ndihmesën e vyer të Fondacionit “ALSAR” duke e konsideruar atë një akt fisnik të shprehjes se solidaritetit human ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë.

“DORA E NGROHTË” NË KËTË ACAR DIMËROR

Me synimin për të vijuar sigurimin e ndihmës ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë, edhe në këto ditë të acarta të stinës së dimrit, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij humanitare, përzgjodhi një ndër zonat veriore me përqendrimin më të madh të tyre, atë të qytetit të Shkodrës, për të realizuar projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë gjatë stinës së dimrit” nëpërmjet të cilit u realizua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në artikuj ushqimorë, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Falë mbështetjes së ofruar nga Organizata e Ndihmave Sociale e Humanitare “HASENE” me qendër në Gjermani, nga ky projekt përfituan ndihma humanitare në pako ushqimore, 200 familje të fëmijëve jetimë të zonës së Shkodrës.