Category Page: Kulturore

“ALSAR” NË VEPRIMTARITË E 100-VJETORIT TË SHPALLJES SË TIRANËS KRYEQYTET

Në 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, u zhvillua mbrëmjen e djeshme në sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë “Sofra Tiranase 2020”. Në këtë veprimtari  ishin të pranishëm anëtarë dhe miq të shoqatës “Tirana”, përfaqësues të trupit diplomatik, personalitete të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase, si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase.

Në sofrën tiranase u vlerësuan edhe disa nga njerëzit më të spikatur në të gjitha fushat, të cilat kanë kultivuar e mbajtur gjallë traditën dhe krenarinë e kryeqytetit.

Në këtë kuadër u vlerësua edhe veprimtaria e Fondacionit ALSAR” për kontributin që jep per ringjalljen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare si dhe për ndihmën që ofron për shtresat sociale në nevojë dhe veçanërisht ndaj fëmijëve jetimë. Për të shprehur vlerësimin dhe mbështetjen e saj ndaj këtij misioni të Fondacionit ”ALSAR”, Qendra Multifunksionale “New Generation” akordoi një bursë të plotë studimi 2-vjeçare e dedikuar për një përfitueseje të programit tonë të ndihmës për fëmijet jetimë në qytetin e Tiranës. 

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur me këtë rast kryetari i Fondacionit ALSAR” Z. Mehdi Gurra  do të shprehej: “Është një kënaqësi e veçantë për mua, që marr pjesë sot në  këtë program të organizuar Shoqata “Tirana” në kuadër të veprimtarive festive me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Shtëpisë sonë të përbashkët Tiranës, si kryeqytet i Shqipërisë.  Gjej rastin gjithashtu të falenderoj Drejtuesin e Qendres Multifunksionale “New Generation” Z. Ilir Tafaj  për akordimin e një burse të plotë studimi 2-vjeçare një përfitueseje të programit tonë të ndihmës për fëmijët jetimë në qytetin e Tiranës.  Më lejoni të shpreh dy fjalë zemre për bashkëpunimin e suksesshëm me Shoqatën “Tirana”

Të nderuar pjesëmarrës!

       Nuk është aspak e vështirë ta dallosh Shoqatën “Tirana” në angazhimin dinjitoz për dekada në ruajtjen dhe forcimin e identitetit të Tiranës nëpërmjet tiranasve. Po kaq e lehtë është ta pikasësh Fondacionin ALSAR mes dhjetëra organizmave për atë që ka bërë dhe bën për Tiranën.

     Ky event ka mbledhur dy institucione që merakun për Tiranën e kanë të dorës së parë, se vetë janë themeluar prej tiranasish të vërtetë. Ruajtja e identitetit të qytetit të tyre, kryeqytet prej 100 vitesh i të gjithë shqiptarëve, është në bërthamën e krijimit të Shoqatës Tirana dhe të Fondacionit ALSAR, edhe pse objektivat e organizmit që unë drejtoj janë shumë më tepër se kaq.

      Kryeqyteti si emërues i përbashkët i ka bërë shpesh bashkë në rrugëtimin e tyre Shoqatën Tirana dhe Fondacionin ALSAR, ashtu siç po ndodh dhe sot. Me këtë bashkëveprim duam të ruajmë një traditë dhe identitet të kahmotshëm: traditën qytetare dhe identitetin kulturor të Tiranës sonë! Është detyra jonë ta bëjmë këtë, si autoktonë!

 Të nderuar të pranishëm!

   Mirënjohje këtij qyteti, që me fisnikëri mban të forta themelet e Tiranës, të familjeve të njohura, trashëgimtare të vlerave të papërkulura nga koha.                                                                     

Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës.                                     
  Urime dhe suksese të metejshme Shoqatës Tirana.    

“ALSAR” e përkujton me një konferencë shkencore 140-vjetorin e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip

I dhënë fort pas përkujtimit të ngjarjeve me rëndësi kombëtare, Fondacioni “ALSAR” mblodhi sot, më 1 nëntor, në hotelin “Tirana International”, akademikë, historianë, intelektualë dhe politikanë në 140-vjetorin e themelimit të Shoqërisë së Stambollit.

Aktiviteti u organizua vetëm pak kohë pasi Fondacioni “ALSAR” botoi dhe një pëmbledhje studimesh dhe artikujsh mbi krijimin e kësaj shoqërie.

Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip do të themelohej më 12 tetor të vitit 1879, dhe me fjalët e Sami Frashërit, kishte për qëllim “të ngjallurit e gjuhës shqipe, të bashkuarit e dialekteve të saj, të ndritësuarit e kombit tonë”. “ALSAR” u kujdes që 140 vite më pas ta përkujtojë ngjarjen me një konferencë shkencore.

Konferencën  do ta nderonin me pjesëmarrjen e tyre ish-presidenti Alfred Moisiu, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i partisë Alternativa në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, i cili veç përshëndetjeve të rastit dhe shprehjes së mirëseardhjes për të pranishmit, e vuri theksin në tre gjëra. Ai nënvizoi edhe njëherë tjetër angazhimin e pareshtur të organizmit që drejton për çështjen kombëtare, të reflektuar në organizimin e aktivitetit të sotëm, foli për paanësinë dhe hulumtimin e vazhdueshëm që duhet ta karakterizojnë historianin, për t’i parë ngjarje të tilla më me realizëm, dhe vuri në pah rëndësinë e themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip.

“Është detyrë e historianit, dhe jo vetëm e tij, të hulumtojë pareshtur, të kërkojë diçka të re, diçka të pathënë, të fshehur apo të shtrembëruar, për të na e paraqitur aq sa është e mundur më pranë së vërtetës një ngjarje me peshë të madhe në historinë e vendit. Përkujtimi i përvjetorëve, si ky i 140-vjetorit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, duhet të shërbejë për të sjellë një mendim profesional më të kualifikuar, më të pandikuar. Shpresoj shumë që kumtesat në këtë konferencë shkencore të na japin këndvështrime të reja, gjetje të reja, që qëndrojnë larg ideve të ngurtësuara dhe paragjykuese,” tha ai për të pranishmit në sallën “Balsha”.

Radhën për të folur pas z. Gurra do ta kishte ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük. Fjala e përshëndetjes e diplomatit të lartë turk ishte e mirëmenduar, e përqendruar në vënien në dukje të lidhjeve të forta mes dy popujve, të një trashëgimie të përbashkët historike, e të nevojës për të mos e politizuar historinë, por për t’ua lënë atë për studim historianëve.

Dhjetë kumtesat në vazhdim iu kushtuan Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe alfabetit të Stambollit, parë në forma të ndryshme. Folën në konferencë prof. dr. Ferit Duka, dr. Metin Ünver, prof. dr. Tomor Osmani, prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Emil Lafe, dr. Şamil Mutlu, prof. dr. Rami Memushaj, dr. Zekerija Ibrahimi, dhe prof. dr. Xhevat Lloshi.

Për t’u veçuar qe konkluzioni i një prej dy folësve turq në konferencë, i dalluar për realizmin në vështrimin e qëndrimit të Perandorisë Osmane ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për ta folur dhe shkruar gjuhën e tyre: “Qëndrimi që ka mbajtur shteti osman duke filluar nga çereku i fundit i shekullit të 19-të ndaj gjuhës shqipe dhe arsimimit të shqiptarëve nuk ka qenë kurrë në të njëjtin drejtim, por është ndikuar së tepërmi nga zhvillimet sipas periudhave, nga zhvillimet politike të brendshme dhe të jashtme. Kështu, ndërsa në vitin 1878 ka mbështetur Lidhjen e Prizrenit dhe ka inkurajuar përhapjen e alfabetit të Stambollit, më vonë, për shkak të zhvillimeve të reja, ka qenë i detyruar të veprojë në një linjë të ndryshme. Politika arsimore që shteti zbatoi ndaj shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë më poshtë nga ajo e ndjekur ndaj popujve të tjerë që jetonin në Perandorinë Osmane.”

Punimet e konferencës, të gjitha kumtesat e mbajtura në të, do të botohen si një përmbledhje më vete nga Fondacioni “ALSAR”.

“ALSAR” promovon botimin e dy veprave të Pashko Vasës

Botimet më të fundit të Fondacionit “ALSAR”, dy vepra të atdhetarit Pashko Vasa, kanë mbledhur në Hotel Tirana këtë të mërkurë figura të njohura të fushës akademike. Promovimi i veprave “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare” u bë në sallën “Balsha”. Të pranishmit e shumtë në aktivitetin promovues dëgjuan fillimisht fjalën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra. Fjala e tij u përqendrua te figura e Pashko Vasës dhe te elemente të spikatura të ideve të tij në këto dy vepra. Ai falënderoi studiuesin dhe albanologun gjerman Michael Schmidt-Neke për dhënien e kopjes së fotokopjuar të veprës “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, si dhe përkthyesin e saj nga frëngjishtja, prof. dr. Seit Mansakun. Ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, do të nënvizonte z. Gurra, Pashko Vasa na ndihmon të mos e kuptojmë historinë si bardhë e zi. Fjalëmbajtësi, tek fliste për veprën “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, u shpreh kësisoj: “Historiografia osmanofobe merr një goditje të fortë prej përfundimit të nxjerrë nga ky ideolog asokohe se Shqipëria nuk mund të vazhdonte të jetonte veç se nën një zotnim që e nderonte ekzistencën, zakonet dhe kombësinë e saj, dhe se gjer atëherë kishte qenë Perandoria Otomane që i kishte përmbushur të gjitha këto kondita.” Vepra e sipërpërmendur është një botim anastatik, në vazhdën e botimeve të tilla të mëhershme të Fondacionit “ALSAR”. Mikpritësi në këtë promovim u ndal dhe te vepra tjetër, “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, për të cilën tha se ajo rrëfen si për malazezët dhe për shqiptarët fqinj me ta. “Dy veprat na ndihmojnë ta njohim më mirë figurën e Pashko Vasës. Ato na ndihmojnë po ashtu t’i mësojmë ca të vërteta, e në i paçim ditur, t’i rifreskojmë në mendje,” theksoi në fund kryetari i Fondacionit “ALSAR”. I ftuar në promovim ishte studiuesi dhe albanologu gjerman Michael Schmidt-Neke, mbajtës i një kumtese mjaft interesante, “Disa mendimet për receptimin e shkrimeve të Pashko Vasës”. Me një shqipe tepër të kuptueshme, miku i veçantë kumtoi për atë çka ai e quajti manifest të Pashko Vasës, veprën “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, për të cilën dha dhe hollësi të botimeve në gjuhë të tjera perëndimore. Në fjalën e tij përmendi dhe censurimin që u ishte bërë paragrafëve të veçantë të këtij libri në botimin e para viteve ’90 të shekullit të shkuar. Michael Schmidt-Neke falënderoi Fondacionin “ALSAR” për punën e bërë. Fjala e prof. dr. Gazmend Shpuzës u end në disa lëmenj njëherësh, me figurën e Pashko Vasës gjithmonë në qendër. Temë e kumtesës së tij ishte përsiatja rreth ribotimit të përkthimit të parë në shqip të kryeveprës së Pashko Vasë Shkodranit. I ftuari nga Kosova, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, mbajti kumtesën, “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në veprën e Pashko Vasës”. Kumtoi po ashtu dhe dr. Bejtulla Destani, i cili foli për burime të panjohura për veprën e Pashko Vasës. E fundit kumtesë në këtë veprimtari promovuese ishte ajo e prof. dr. Seit Mansakut, përkthyesit të njërës prej veprave. Profesori i nderuar kishte zgjedhur për temë etnogjenezën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në veprën e Pashko Vasës dhe shënimet kritike të Mehdi Frashërit.

FORUM NDËRKOMBËTAR: ZËRI I “ALSAR”-IT DËGJOHET NË LONDËR

Në kryeqytetin britanik është mbajtur më 6 dhe 7 dhjetor Forumi i 4-t Botëror i Udhëheqjes Muslimane, me temë qendrore të tij, “Roli i udhëheqjes muslimane në rindërtimin e imazhit global të Islamit”.
Politikanë, parlamentarë, qeveritarë, studiues, ekspertë, organizma të OKB-së, aktivistë dhe drejtues organizatash joqeveritare kanë qenë të ftuar në aktivitetin e zhvilluar në Londër nën kujdesin e disa institucioneve.
Forumi dyditor ka trajtuar çështje kyçe të lidhura me Islamin dhe me muslimanët. Fjalët e mbajtura kanë patur për referencë disa fusha kryesore, si krijimin e një narrative të re mbi Islamin, forcimin e udhëheqjes muslimane në të tëra nivelet, fuqizimin e femrave dhe rolin e tyre në ritrajtësimin e narrativës së re islame, dhe krijimin e platformave për udhëheqësit muslimanë për të dhënë zgjidhje për problemet aktuale të shoqërisë.
Drejtues apo ish-drejtues shtetërorë e kanë nderuar forumin me pjesëmarrjen e tyre. Veçohej pjesëmarrja e zëvendëskryeministres së Malajzisë, dr. Wan Azizah Wan Ismail, që foli për pozitën dhe rolin e femrave muslimane në shoqëri.
“Femrat muslimane duhet të dalin në pah, duhet t’i zhvillojnë e t’i vënë në punë aftësitë e tyre për të parë një përmirësim të vërtetë afatgjatë në shoqëritë muslimane”, tha mes të tjerash ajo në fjalën e mbajtur në Lambeth Palace.
I ftuar në këtë forum ka qenë dhe z. Mehdi Gurra, si kryetar i “ALSAR”-it, një prej fondacioneve më aktive në jetën shoqërore shqiptare.
Veç takimeve dhe shkëmbimit të ideve me të ftuarit në këtë forum, z. Gurra ka mbajtur dhe një fjalë, përqendruar te veprimtaria shumëdimensionale e fondacionit që ai drejton.
“Ndihem tepër i vlerësuar për ftesën e bërë për të marrë pjesë në këtë konferencë. Jam i gëzuar po ashtu që po më jepet mundësia të flas para një auditori të tillë, që të bëj një pasqyrë të zhvillimeve në vendin tim, dhe të tregoj për punën dymbëdhjetëvjeçare të organizmit që drejtoj, Fondacionit ‘ALSAR’, për misionin e tij, duke iu përmbajtur dhe tematikës së kësaj veprimtarie,” është shprehur fillimisht i ftuari nga Shqipëria.
“Bota islame është ndeshur në dekadat e fundit me sfida të jashtëzakonshme. Shumë herë ajo ka qenë e papërgatitur t’u përgjigjet atyre. Këto sfida janë ende aktuale, një pjesë e tyre akoma janë në pritje për t’u trajtuar siç duhet. Rrugëdaljet kërkojnë angazhim tërësor të shoqërisë. Nga organet qeverisëse te shoqëria civile dhe te vetë individi, të tërë kanë detyrimin për t’u prerë rrugën sëmundjeve të kohës. Këto sëmundje kanë ndikuar dhe në cenimin e imazhit të Islamit. Mëkëmbja e këtij imazhi është në vetvete sfida më e madhe e botës islame. Ajo kërkon vepra, jo fjalë!”, ka nënvizuar z. Gurra.
Të pranishmit janë njohur nëpërmjet tij me bashkëjetesën fetare në vendin tonë, por dhe me problematikat e shoqërisë shqiptare.
“Çfarë e veçon vendin tim është bashkëjetesa fetare, mbase një prej pasurive më të çmuara të Shqipërisë. Me një popullsi në shumicë muslimane, aty fetë bashkëjetojnë në paqe. Ashtu bashkëjetojnë dhe besimtarët e feve të ndryshme. Në Tiranë, në kryeqytet, brenda një hapësire jo fort të madhe i ndesh objektet qendrore të kultit të tre besimeve kryesore. Përplasjet me sfond fetar mungojnë; nëse ndodh të ketë problematika, ato janë të vogla, sporadike, dhe më së shumti janë fërkime midis kufijve të laikes dhe fetares. Proceset demokratike, ndërkaq, kanë ndjekur drejtimin e tyre, megjithëse qeverisja nuk mund të thuhet se i ka përmbushur pritshmëritë e publikut. Keqadministrimi, korrupsioni dhe papunësia janë plagë nga të cilat vuan kronikisht shoqëria shqiptare. Vendi mbetet ende në tranzicion, shoqëria ka nevojë akoma për përkujdesje.”
Fjala e mbajtur prej z. Gurra në forumin ndërkombëtar në Londër ka patur më tej në qendër “ALSAR”-in, në funksion të tematikës së aktivitetit:
“Fondacioni ‘ALSAR’ erdhi kështu në jetë në shtator të vitit 2006 jo aksidentalisht, por si nevojë për të prirë me modesti në rrugën e mëkëmbjes së shoqërisë shqiptare. Mjedisi kishte njohur dhe nisma të tjera të ngjashme, shumë prej të cilave nuk e kishin patur të gjatë. Të tjera organizata të shoqërisë civile kishin veprimtari të zbehtë, aq sa ishte e vështirë t’u mbahej mend emri. Si ‘Alternativë e së ardhmes’, misioni për të ndihmuar në mbarëvajtjen e jetës shoqërore e ka shoqëruar Fondacionin ‘ALSAR’ në këto dymbëdhjetë vite. Veprimtaria ka qenë e përqendruar në tre drejtime kryesore, në atë humanitar, arsimor dhe kulturor, duke synuar rritjen e mirëqenies në të gjitha kuptimet e fjalës.”
Përpara se të ndalet më gjerësisht te shifrat e veprimtarisë së fondacionit, ai ka theksuar se, “‘ALSAR’ është sot lehtësisht i identifikueshëm, është lehtësisht i njohshëm, falë aktivitetit intensiv. Progresi është i dukshëm mbas më shumë se një dekade. Veprimtaritë janë më të shumta, në më shumë fusha, përfituesit e drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga aktiviteti i ‘ALSAR’-it janë në rritje progresive, bashkëpunimi me fondacione të ngjashme në botë është po ashtu në shtim të vazhdueshëm. Nga veprimtaria në kufij lokalë është kaluar në ato rajonalë, si një organizëm i kudogjendshëm. Për shembull të mirë kemi nevojë, atë po përpiqemi të japim! Për imazh të mirë kemi nevojë, atë po përpiqemi të krijojmë!”
Teksa ka përfunduar tregimin e hollësishëm të punës së “ALSAR”-it, kryetari i tij, mbajtësi i fjalës, u ka thënë të pranishmëve: “Ky është kontributi që ne japim për shoqërinë shqiptare, ky është shembulli se si duhen ndryshuar gjërat.”
Pjesëmarrja e z. Mehdi Gurra në këtë forum ka qenë një mundësi e mirë për ta bërë të ditur në nivel ndërkombëtar veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”. Ajo i ka shërbyer në të njëjtën kohë dhe njohjes me organizata me aktivitet të ngjashëm në pjesë të tjera të botës, krijimit të lidhjeve të reja për t’u çelur rrugën bashkëpunimeve të ardhshme.

VEPRIMTARI KULTURORE ME RASTIN E FESTËS SË PAVARËSISË

Në një atmosferë festive është përkujtuar 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë sonë Kombëtare. Veprimtaria kulturore u zhvillua në sallën e konferencave të fondacionit ALSAR, e organizuar nga grupi i fëmijëve që frekuentojnë qendrën e kurseve të gjuhëve të huaja.

Fëmijët gjatë performancës së tyre artistike në këtë veprimtari, prezantuan një program me materiale artistike e letrare të përzgjedhura, gjatë së cilës nxorrën në pah rëndësinë dhe vlerat e kësaj feste, kësaj dite të shënuar për të gjithë ne e cila ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar.

Lutjet dhe urimet e të pranishmeve buronin nga thellësitë e zemrave: “Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe e ndriçoftë atë në rrugën drejt progresit e prosperitetit kombëtar”.

ALSAR NË PANAIRIN E III-TË TË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE

U zhvillua në Stamboll nga data 17 – 18 nëntor 2018 Panairi i III-të Ndërkombëtar i Organizatave të Shoqërisë Civile. Fondacioni “ALSAR” mori pjesë në këtë panair, krahas 170 organizatave nga 40 vende të ndryshme të botës.

Çeljen e panairit e inauguruan përfaqësues të institucioneve turke, të cilët gjatë fjalëve të tyre përshëndetëse, vlerësuan rolin dhe rëndësinë e organizimit të tij, duke e konsideruar atë një ngjarje të rëndësishme, që prezanton aleancën e vlerave të organizatave e shoqerise civile kudo në botë, e cila synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve dhe shteteve.

Ky panair bashkoi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të vendeve të ndryshme, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte midis tyre, për të shkëmbyer përvojat e tyre më të suksesshme institucionale, si dhe për të pasqyruar veprimtarite e këtyre organizatave dhe efektet e tyre në komunitetet dhe shtetet e tyre përkatëse.

Në këtë kontekst, Fondacioni “ALSAR” prezantoi në stendën e tij përmes materialeve promovuese të natyrave audio-vizuale dhe të shkruar, programin dhe veprimtarinë e tij mirëbërëse me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar në shërbim të shoqërisë shqiptare, si në drejtim të ruajtjes e promovimit të vlerave të traditës sonë kulturore e kombëtare, ashtu edhe në drejtim të përkujdesjes sociale ndaj shtresave në nevojë.