Mbështetja e “ALSAR”-it për arsimimin e të rinjve: bursa dhe libra të dhuruar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër

Përkushtimi i Fondacionit “ALSAR” për t’u ardhur në ndihmë nxënësve e studentëve të vendit në misionin e tyre të nxënies së dijes i dërgoi drejtuesit e tij në Shkodër këtë të mërkurë të 4 marsit.

Qyteti është një vendmbërritje e shpeshtë për “ALSAR”-in, kontribues për mirëqenien e qytetarëve shkodranë sa herëështë parë e nevojshme dhe e arsyeshme. “ALSAR”-i u është gjendur atyre pranë në ditë të mira e të këqija, në përmbytje e përurime, në hall e gëzime.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” i mirëpriti bujarisht të ardhurit në emër të fondacionit për të dhuruar bursa dhe libra, botime të “ALSAR”-it.

Pedagogë e studentë u mblodhën në një prej auditorëve të universitetit, në Fakultetin e Ekonomisë, për të dëgjuar mbi arritjet e  entit dhurues, si dhe për të marrë bursat dhe librat e dhuruar.

Prof. dr. Bajram Xhafa u bëri të njohur të pranishmëve të shumtë në auditor aktivitetin e dendur të Fondacionit “ALSAR”, dhënë gati në detaje dhe me shifra. Ai u tregoi dëgjuesve se puna e “ALSAR”-it mbështetet në tre kolona kryesore: kontribut humanitar, arsimor dhe kulturor. Përshkrimi i profesorit ishte i mjaftueshëm për një njohje të studentëve me “ALSAR”-in, të cilin do ta kenë në vazhdimësi në krah për t’i ndihmuar.

Paraqitjen në veçanti të aktivitetit botues të fondacionit e bëri prof. dr. Emil Lafe, bashkëpunëtor i “ALSAR”-it dhe njohës i kësaj veprimtarie. Larmia dhe përzgjedhja e titujve të botimeve, numri i madh i tyre, suksesi i “ALSAR”-it në fushën botuese, u prekën të gjitha në fjalën e akademikut të nderuar.

Në radhën e folësve ishte drejtori administrativ i Fondacionit “ALSAR”, z. Saimir Rusheku. Ligjërimi i tij u përqendrua në aktivitetin e “ALSAR”-it në fushën arsimore. Edhe ai, ashtu si parafolësit, u ndal në shifra dhe arritje, në bilance pune të admirueshme për një organizëm joshtetëror. Teksa përmendi bursat e dhuruara, ai premtoi si përfaqësues i “ALSAR”-it dyfishimin e tyre për vitin e ardhshëm shkollor.

Mirënjohjen për kontributin e Fondacionit “ALSAR” e shprehu rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Adem Bekteshi. Rektori nënvizoi veçantinë e një akti të tillë të “ALSAR”-it, si përvojë e parë në atë universitet.

Fondacioni “ALSAR” dhuroi 15 bursa për studentët e shkëlqyer të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe u shpërndau studentëve 50 tituj librash të botuar prej tij. Premtimi për dyfishimin e bursave në të ardhmen e afërt, në sezonin e ri shkollor, është një provë e qartë se kontributi i “ALSAR”-it për arsimin në tërësi dhe për këtë universitet në veçanti nuk ka natyrë sporadike dhe rastësore.

Angazhimi i “ALSAR”-it për t’i ndihmuar universitetet dhe studentët është i vazhdueshëm. “Luigj Gurakuqi” ishte ndalesa e radhës në institucionet e arsimit të lartë që kanë përfituar prej ndihmës disaplanëshe të “ALSAR”-it.