Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë viziton stendën e Botimeve ALSAR në Panairin e Librit

Botimet ALSAR, stenda e tyre në Panairin e Librit 2025, kanë patur sot vizitorë të veçantë, të interesuar për të parë më nga afër e për të shfletuar produktet e një pune shumëvjeçare dhe të një përkushtimi të vazhdueshëm botues.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka pritur në stendën e Botimeve ALSAR ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, të shoqëruar nga koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe koordinatori i Institutit “Yunus Emre” në Shqipëri, z. Oğuzhan Sakoğlu.

Ai u ka uruar mirëseardhjen ambasadorit turk dhe dy koordinatorëve, të TİKA-s dhe Institutit “Yunus Emre”, dhe i ka falënderuar për vizitën në stendën e ALSAR-it. Z. Gurra u ka treguar mysafirëve botimet e paraqitura në panair, autorët turq të botuar, dhe u ka folur për punën e jashtëzakonshme që bëhet për t’i sjellë publikut tekste sa më cilësore dhe të dobishme.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, është njohur me botimin e sapodalë me dokumente osmane për gjashtë qytete, secili më vete. Z. Mehdi Gurra i ka shpjeguar se bëhet fjalë për gjashtë libra në dy gjuhë, në shqip dhe turqisht, për Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Ulqinin, Novi Pazarin dhe Nishin, në të cilët gjenden faksimile të dokumenteve osmane mbi jetën sociale, ekonomike, etj., në to.

Titullarët e institucioneve turke në Tiranë kanë parë dhe shumë botime të tjera, përgjithësisht me tematikë historike dhe të lidhura me vendin e tyre.

Nga ata është çmuar puna e Fondacionit ALSAR në fushën e botimeve dhe është shprehur inkurajimi për vazhdimin e këtij angazhimi botues.

soap 2 day