Category Page: Kulturore

    Botimet ALSAR marrin pjesë në Takimin Ndërkombëtar për Botimet Islame në Stamboll të IUIBP-së

    Në Stamboll u mbajt javën e kaluar Takimi Ndërkombëtar për Botimet Islame, i organizuar për të mbledhur për dialog, bashkëpunim dhe lidhje të reja botues nga vende, rajone, gjuhë dhe tregje të ndryshme.

    E ardhmja e botimeve të literaturës islame, projektet e përbashkëta botuese, bashkëpunimet në botime, ishin të gjitha tema të trajtuara në tre ditët e aktivitetit ku morën pjesë rreth 250 botues nga 57 vende.

    Takimin e mbajtur në datat 25-27 shtator në Universitetin Sabahattin Zaim (İZÜ) e ndoqi si pjesëmarrës dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, e njëkohësisht drejtuesi i Botimeve ALSAR, z. Mehdi Gurra.

    Ai i shfrytëzoi ditët e takimit për takime me botues të ndryshëm, të njohur me arritjet e Botimeve ALSAR dhe të ftuar për të bashkëpunuar në projekte botuese.

    Z. Mehdi Gurra dha dhe një intervistë për pritësit e takimit ndërkombëtar, në të cilin përcolli vizionin dhe objektivat e Botimeve ALSAR.

    Një ent botues me njohje të gjerë tashmë në vendin tonë dhe përtej kufijve të tij, Botimet ALSAR u vlerësuan në këtë takim me marrjen e anëtarësisë së plotë në Unionin Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame.

    Pjesëmarrja i shërbeu paraqitjes së Botimeve ALSAR te të pranishmit dhe hapjes së horizonteve të reja në kuadër të botimit të titujve me tematikë islame.

    Fondacionin ALSAR e vizitoi një ekip i YTB-së, entit të mirënjohur turk

    Në Fondacionin ALSAR u prit këtë të shtunë, më 26 shtator, një ekip i YTB-së, Kryesisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike, i mbërritur në vendin tonë për një vizitë pune.

    Ekipin e kryesuar nga z. Umut Deniz Öncel e priti drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

    Miqve nga Turqia iu urua fillimisht mirëseardhja, e më pas ata u njohën me aktivitetin e ALSAR-it.

    Në bisedën e zhvilluar gjatë pritjes u diskutua bashkëpunimi dhe perspektiva e projekteve të reja.

    Shkëmbimi i ideve u shoqërua me propozime konkrete nga z. Saimir Rusheku, dëgjuar me vëmendje nga mysafirët turq.

    Ata mësuan mbi veprimtarinë botuese të Fondacionit ALSAR dhe patën mundësi t’i shohin nga afër botimet më të suksesshme.

    Atmosfera mikpritëse, diskutimi konstruktiv dhe mirëkuptimi e mbizotëruan vizitën. Ekipi i YTB-së u largua me një falënderim për pritjen e ngrohtë.

    Fondacioni ALSAR e përkujtoi Abdi Baletën në njëvjetorin e ikjes nga kjo botë me konferencën shkencore, “Një jetë në shërbim të kombit”

    Fondacioni ALSAR, botuesi i kolanës 36-vëllimëshe të veprës publicistike të Abdi Baletës, e përkujtoi atë këtë të hënë, më 21 shtator 2026, me një konferencë shkencore në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta.

    E zhvilluar në Hotel “Tirana International”, në bashkëpunim me familjen Baleta, konferenca shkencore mblodhi në sallën “Balsha” personalitete, akademikë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të mjeteve të informimit, intelektualë dhe qytetarë të kryeqytetit.

    Konferenca shkencore, “Abdi Baleta: Një jetë në shërbim të kombit”, u hap nga z. Ubejd Gashi, që do t’ia linte mikrofonin kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, për fjalën përshëndetëse.

    “E nderuara zonja Flutura Baleta!

    Të nderuar akademikë, miq e dashamirës të familjes Baleta!

    Të nderuar anëtarë të mediave të shkruara dhe vizive, të pranishëm në këtë sallë!

    Respektues e ndjekës të idealit kombëtar të Abdi Baletës!

    Personalitete, intelektualë dhe veprimtarë të shquar!

    Botës shqiptare i mungon prej një viti një nga kolosët e mendimit, një nga shkruesit më të flaktë, më të paepur e më guximtarë të fjalës për kombin, një prej publicistëve më të pazëvendësueshëm në betejën e ligjërimit publik.”, tha z. Gurra, në nisje të fjalës së tij.

    Ai do të vijonte përshëndetjen duke thënë:

    “Njeriu që e jetoi epilogun e gjatë të jetës së tij në zjarrminë e dashurisë për kombin e të orvajtjes intelektuale për t’ia përkujtuar shoqërisë shqiptare rrezikun e një shqyerjeje të dytë pas një shekulli nga armiqtë e popullit tonë, që nuk u ndal në demaskimin e interesaxhinjve e gjakprishurve, të atyre që nuk e kishin dhe nuk e kanë për gjë të luajnë me fatet e atdheut, e ka mbushur një vit i larguar nga gjiri ynë.

    Në të vërtetë, mosprania do t’i ndihej edhe në të gjallë kur vinin pauzat ndërmjet shkrimeve të botuara kudo ku ishte ende i mirëpritur. Do të sillej ajo mosprani në vetëdijen e njerëzve si fantazmë e harresës së ofruar aq lehtë e aq pa vrasje ndërgjegjeje për luftëtarët e përnjëmendtë të këtij kombi. Përkujtimi i sotëm, interesi për pjesëmarrje, e tregojnë se sa i kotë dhe i pasuksesshëm ka qenë qëllimi i dashakeqësve në këtë kohë padrejtësish për ta shtënë atë midis të harruarve.

    Abdi Baleta do të kujtohet si një nga pak polemistët më të ndezur e më prodhimtarë të tranzicionit shqiptar të pas 1990-s. Fillimisht në sallën e parlamentit e në politikë, e në vazhdim në mjetet e informimit, ai krijoi një profil të pangjashëm me askënd, si në paraqitje, në zë e në shkrim. Iu kundërvu të majtës si të padenjë për të marrë në dorë fatet e vendit pasi e kishte shkatërruar atë për dyzet e ca vjet dhe e drejtoi mandej shpatën e mprehur me fjalë përcëlluese për nga tradhtarët e shitësit e interesit kombëtar.

    Ai e shndërroi botëkuptimin dhe qëndrimin e tij në një shkollë të mendimit mbi politikën dhe çështjen kombëtare dhe u kthye në pikë referuese për të gjithë ata të cilët ndanin të njëjtat ide dhe të njëjtat argumente. Baleta nuk doli asnjëherë nga llogorja prej nga e zhvillonte polemikën, as u tremb e as nuk i ktheu kurrizin kundërshtarit; qe një luftëtar i veçantë në llojin e vet! Kush i mban mend fjalimet e tij në parlament nuk duhet të jetë surprizuar nga çfarë hodhi në letër dhe e botoi gjatë luftës vetmitare për idetë kombëtare. Ndryshe nga shumë bashkëkohës, nuk shfaqi asnjë shenjë ndryshimi në karakter, për të mbetur, siç e përkufizoi një gazetar i njohur dhe përplasës herë-herë me të, një fenomen i papërsëritshëm i trancizionit shqiptar.

    Vlerësimi për Ahmet Zogun e dalloi atë tek i njohu mbretit cilësinë e burrështetit më të shquar të shqiptarëve, të hedhësit të themeleve të shëndosha të shtetit kombëtar shqiptar, të personit kyç për ndërtimin e shtetit shqiptar. ‘Ahmet Zogu do të shënojë gjithnjë pikë kulmore të ndritur në historinë shqiptare. Ai do të jetë gjithnjë shembull shërbimi ndaj kombit dhe shtetit. Veprat e tij janë model veprimi për ata që duan të punojnë për një shtet shqiptar të fortë, demokratik e juridik, dhe për Shqipërinë etnike,’ shkruante ai në revistën ‘Shenja’.

    Identiteti islam i shqiptarëve si faktor i mosshuarjes nacionale të tyre, shovinizmi i vendeve fqinje nga një pikëpamje thellësisht nacionaliste, dhe këmbëngulja e vlerësimit të Turqisë si një aleat i natyrshëm strategjik i Shqipërisë e frymëzuan diplomatin, politikanin dhe publicistin Baleta që të shkruante pa pushim e të debatonte me këdo.

    Kjo kohë, kjo çorodi, ky kërcënim i vazhdueshëm mbi të tashmen dhe të ardhmen tonë, lojërat e çuditshme me aleatë të çuditshëm, e bëjnë aq të dukshme mungesën e tij në polemikë. Imagjinoni se çfarë do të kishte dalë prej gojës dhe penës së Baletës për shtetin bektashi! Puthadorët duhet t’i ketë urryer, e kështu do t’i kishte urryer edhe sot!

    Të pranishëm të nderuar!

    Në respekt të pasurisë publicistike të lënë pasardhësve, të vizionit tonë kombëtar si ALSAR, përmbledhja 36-vëllimëshe e veprës është guri i vendosur prej nesh në kokën e varrit të Abdi Baletës. Asgjë nuk e përshkruan më mirë atë se 36 vëllimet, ku ai flet dhe nuk ndalet, dhe ku fjala fiton më shumë peshë e vlefshmëri me rrjedhjen e kohës. Seria është më e madhja e kushtuar një personaliteti nga Botimet ALSAR, dhe ndër më të mëdhatë e botuara ndonjëherë në tregun shqiptar të librit. Kolana sfidon plotësisht dhe mjeshtërisht mënjanimin dhe harresën e qëllimshme të Abdi Baletës nga bota e errët e shqiptarëve pa din e iman.

    Konferenca e sotme shkencore është një mundësi për ta riparë e rivlerësuar figurën dhe kontributin publicistik dhe atdhetar të Abdi Baletës një vit pas ikjes nga kjo dynja. ‘Një jetë në shërbim të kombit’, në kornizën e emërtimit të aktivitetit shkencor, thotë gjithçka për çfarë do të dëgjojmë sot në një radhë kumtesash nga folës tejet të respektuar.

    Aktiviteti, përpos nderimit për Abdi Baletën, ilustron rëndësinë e dhënë çështjes kombëtare në Fondacionin ALSAR. Në një vit jubilar, si ky i 20-vjetorit të ALSAR-it, konferenca shkencore dëshmon realitetin e fondacionit dhe transformimin nga përparësitë humanitare në objektiva të karakterit kulturor dhe nacional.

    E patëm Abdi Baletën për shumë kohë në mesin tonë, dhe tani, kur ai u është nënshtruar ligjësive të Zotit dhe ka mbushur një vit nga largimi për në përjetësi, ne, të mbeturit nga kjo anë e ekzistencës sonë, kemi radhën, falë ALSAR-it, të flasim për të dhe betejat e tij!

    Faleminderit që erdhët, dhe punë të mbarë konferencës!”

    Z. Mehdi Gurra do të veçonte me një falënderim, për pjesëmarrjen, Princ Lekën.

    Konferencën e përshëndeti më pas bashkëshortja e të ndjerit, znj. Flutura Baleta. E ndalur fillimisht te botimi i kolanës së veprës së Abdi Baletës, ajo nënvizoi këmbënguljen e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, për realizimin e kësaj pune, të nisur para dhjetë vitesh. Rrëfimin e mëpastajmë të saj për bashkëshortin e mbizotëruan

    emocionet e forta, që sidoqoftë nuk ia penguan shprehjen e mendimeve dhe kujtimeve të kthjellëta.

    Tetë ligjërues mbajtën në dy seancat kumtesa të kushtuara Abdi Baletës në këndvështrime të ndryshme akademike. “Dituria e moralit – karakteri dhe virtytet e shqiptarit në veprën e Abdi Baletës” qe tema për të cilën ligjëroi z. Artur Shkurti. Në radhë pas tij, dr. Hysamedin Feraj foli me kumtesën, “Baleta, shkurt e saktë”. Prof. assoc. dr. Enis Sulstarova trajtoi analizën, “Baleta si polemist”. Seancën e parë e mbylli dr. Bajram Xhafa, mbajtës i ligjëratës, “Abdiu, sfidues i tabuve të tezave të historiografisë shqiptare”. Në seancën e dytë e mori fjalën z. Elvis Hoxha, që kishte zgjedhur të fliste për “Pararendjet e Baletës në kuptimin e demokracisë”. Në një dritë tjetër u përkujtua Baleta nga z. Sulejman Gjana, me kumtesën, “Abdi Baleta: Trashëgimia zogiste, angazhimi kombëtarist dhe Mbreti Leka”. Z. Ubejd Gashi u ndal te një aspekt tjetër, paksa i veçantë: “Pse e deshtën Baletën dëgjuesit e RTV Mitrovica”. Kumtesa e fundit iu rezervua z. Salih Kabashi, vënës në dukje me kumtesën se, “Baleta guxoi të fliste kur nuk kishte guxim”.

    Për të pranishmit në konferencë ishte shtruar një koktej në pushimin midis dy seancave, i shfrytëzuar dhe për të shkëmbyer mendime të lira mbi figurën dhe personalitetin e Abdi Baletës.

    Takim në Ankara i kryetarit të Fondacionin ALSAR me kryetaren e Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë

    Drejtuesi i Fondacionit ALSAR ka vijuar takimet në kryeqytetin e Turqisë, në kuadër të një vizite pune disaditore.

    Kryetari, z. Mehdi Gurra, ka vizituar dhe Kryesinë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë, i pritur nga kryetarja e entit turk nën varësinë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

    Mirëseardhja i është uruar nga znj. Esma Ersin, me pritjen të zhvilluar në zyrën e saj.

    Biseda njohëse midis tyre, ku janë paraqitur fushat e aktivitetit dhe interesit, i ka dhënë mundësinë funksionares turke të mësojë mbi botimet e ALSAR-it. Ajo ka treguar interes për ta njohur më nga afër dhe më hollësisht literaturën e botuar nga ALSAR-i, veçanërisht atë të lidhur me bektashinjtë.

    Znj. Esma Ersin ka premtuar bashkëpunim institucional dhe ka pranuar po ashtu ftesën për ta vizituar në muajt e ardhshëm Shqipërinë.

    Ajo do ta falënderonte më herët, gjatë takimit, z. Mehdi Gurra për pjesëmarrjen në forumin e zhvilluar në Nevshehir, si i ftuar i Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë.

    Kryetari i Fondacionit ALSAR shprehu në takim falënderimin për pritjen e ngrohtë dhe sugjeroi që aktivitete si i Nevshehirit të organizohen nga Kryesia për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë dhe në vende të tjera të Ballkanit.

    Forumi me temë, “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme”, do të tërhiqte vëmendjen për theksimin në deklaratën përfundimtare se qendra e bektashizmit është në Haxhibektash, me rrënjë e qendër në Anadoll.

    Vizita e z. Mehdi Gurra në selinë e Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë u krye një ditë pas mbajtjes së forumit.

    Vizitë e kryetarit të Fondacionit ALSAR në godinën qendrore të YTB-së, takim i ngrohtë me titullarin

    Në ditët e ngarkuara me aktivitet në udhëtimin e punës në Turqi në këtë shtator, kryetari i Fondacionit ALSAR ka zhvilluar një vizitë dhe në selinë e Kryesisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike.

    Atë e ka pritur në godinën qendrore të YTB-së, në Ankara, kryetari i saj, z. Abdulhadi Turus.

    Titullari i institucionit dhe kryetari i Fondacionit ALSAR kanë patur mundësinë të bisedojnë e të shkëmbejnë mendime në takimin midis tyre.

    Z. Mehdi Gurra ka folur për veprimtarinë e dendur të Fondacionit ALSAR, ndalur më gjatë në fushat më me interes në kuadër të bashkëpunimit. Arsimi dhe kultura, shkollimi i të rinjve në institucionet e arsimit të lartë në Turqi dhe botimet, janë trajtuar më specifikisht.

    Nga ana e tij, z. Abdulhadi Turus, duke e çmuar mysafirin nga Tirana si një anëtar me vlerë të familjes së të diplomuarve në Turqi, ka vënë në pah kontributin e z. Gurra për rininë në vendin tonë, përvojën në fushën e shoqërisë civile.

    Në bisedë është diskutuar për projektet e përbashkëta që YTB-ja dhe Fondacioni ALSAR mund të realizojnë në Ballkan, më posaçërisht në Shqipëri.

    Kryetari i YTB-së e ka falënderuar z. Mehdi Gurra për vizitën dhe i ka uruar sukses në punën e tij.

    Falënderim për pritjen e ngrohtë ka shprehur kryetari i Fondacionit ALSAR, shoqëruar me urimin për suksese të mëtejshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të dy institucioneve.

    Takimin miqësor e përshkoi fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë, e pranishme si gjithmonë.

    Kryetari i Fondacionit ALSAR viziton në Ankara selinë e Institutit Junus Emre, pritet nga drejtuesi i ri i institucionit

    Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka vizituar gjatë një qëndrimi disaditor në Turqi selinë e një prej institucioneve turke me veprimtari të gjerë në Shqipëri.

    Në selinë e Institutit Junus Emre, në Ankara, ai është pritur nga kryetari, prof. dr. Selim Argun, me të cilin ka patur më tej një bisedë të ngrohtë e miqësore.

    Aktiviteti i dy institucioneve, bashkëpunimi në fushën kulturore, nxitja e ndërveprimit, e kanë mbizotëruar temën e bisedës mjaft të dobishme.

    Z. Mehdi Gurra e ka njohur mikpritësin mes të tjerash me aktivitetin botues të ALSAR-it, të dalluar për intensitetin dhe përzgjedhjen e veçantë të titujve për botim.

    Njëkohësisht, z. Gurra e ka uruar atë për detyrën e marrë vetëm para pak javësh.

    Nga prof. dr. Selim Argun është vlerësuar kontributi shoqëror i Fondacionit ALSAR dhe në kuadër të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke.

    Fjalë falënderuese u thanë prej tij posaçërisht për vizitën dhe urimet e z. Mehdi Gurra.