KRYETARI I YTB-SË VIZITON SELINË E FONDACIONIT“ALSAR”

I gjendur në Tiranë, dhe pjesëmarrës e folës në simpoziumin shkencor “Qytetërimi osman”, të zhvilluar të hënën, kryetari i YTB-së, Departamentit për Turqit që Jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike, ka kryer dhe një vizitë në ambientet e Fondacionit “ALSAR”.
Z. Abdullah Eren dhe shoqëruesit e tij janë pritur nga drejtuesi i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra.
Mes mikpritësit dhe mysafirëve nga Turqia ka pasuar një bisedë mjaft e ngrohtë, përqendruar në fushat ku mund të çohet bashkëpunimi më tej ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari i Fondacionit “ALSAR” e ka njohur mikun e çmuar me aktivitetin e gjerë dhe të ngjeshur të institucionit që drejton, duke i bërë një përshkrim të hollësishëm.
Në emër të fondacionit, z. Gurra i ka kërkuar z. Eren mbështetje për botime të reja, e gjithashtu dhe për ribotime veprash të rëndësishme e të kërkuara. (Duhet vënë në dukje këtu se botimi i veprës “Qytetërimi osman” u realizua nga një bashkëpunim pikërisht mes YTB-së dhe Fondacionit “ALSAR”.)
Një tjetër kërkesë për mikun turk ishte dhe mbështetja me bursa për studentët që ndjekin studimet në universitetit e Shqipërisë.

U parashtrua njëkohësisht dhe nevoja për t’i mbështetur kurset për mësimin e gjuhës turke në veri dhe në jug të Shqipërisë, si ato që janë tashmë të hapura dhe ato që do të hapen në të ardhmen.
I vëmendshëm plotësisht gjatë parashtrimit të aktivitetit të Fondacionit “ALSAR” dhe gjatë shprehjes së kërkesave nga z. Gurra, kryetari i YTB-së, z. Abdullah Eren, premtoi se gjithçka do të shqyrtohej me tepër kujdes, e se do të jepej një përgjigje për kërkesat.
I tërë takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, gjithmonë e pranishme kur Fondacionin “ALSAR” e vizitojnë miq të nderuar.

soap 2 day