“Kullat e sahatit në Shqipëri”, botimi i një studimi të munguar

Nga: Mehdi Gurra

Në zhvillimin e shpejtë të qendrave urbane, në valën e njerëzve që lënë e zënë qytete apo metropole, në kaosin e ndërtimeve, në mishmashin arkitektural, kujtesa njerëzore, kryesisht e atyre në mbi të dyzetat dhe të gatshëm për ta ngadalësuar herë pas here ritmin e vrullshëm të jetës së sotme, kapet pas së shkuarës përmes gjërash identifikuese ende të pafshira nga kjo kohë e pamëshirshme.

Nuk është në natyrën e modernizimit gjurmëfshirës të tregohet sentimental, sidomos të këtij tonit, thuajse atipik. Për njëfarë frenimi të tij i duhet njohur merita qenies ende të një brezi të pangacmuar prej dellit të modernitetit absolut. Sado kapitulluese të duket, është çështje kohe kur e tashmja e pataban ta marrë përpara e të mos i lërë shenjë të shkuarës së mbetur pa mbrojtje.

Megjithatë, mes këtij pesimizmi të justifikuar nga çfarë dëshmohet ditë pas dite dhe nga çfarë shihet të jetë prirja e zhvillimit, ka vend ende për pak optimizëm. Ndjesia optimiste gjen hapësirë sa prej asaj që ndodh (apo nuk ndodh) vetiu, sa prej punës dhe këmbënguljes së ca njerëzve profesionistë, me vullnet e kurajë. Në fushën ndërtimore, mes të tjerash, simbolika e fituar nga shumë godina u ka dhënë atyre cilësinë e së paprekshmes, e, përveç kësaj, nxjerrja në pah e rëndësisë së tyre për të shkuarën dhe të sotmen ka vlerë të njëjtë në dhënien e asaj cilësie.

Guximi shkon deri në ngritjen pranë këtyre simboleve të ndërtesave shumëkatëshe që për identitet të vetëm kanë shkëlqimin dhe luksin e siguruar prej parasë, por jo aq sa t’u vihet kazma fare pak të mbeturave e mbi to të ngrihen rrokaqiej.

Dhe ja ku gjendemi në temë, te botimi i një libri për ndërtime simbol, te një studim monografik në nivelet e shterueses për kullat e sahatit në vendin tonë, i, pari për to me gjerësi gjithpërfshirëse. Shterues jo aq për vëllimin e librit, në mbi 400 faqe, sa për përmbajtjen, analizuese në çdo pikëpamje.

“Kullat e sahatit në Shqipëri – historia dhe arkitektura” është një vepër e plotë studimore, një inventar dhe udhërrëfyes i hollësishëm objektesh ndërtimore që u dhanë formë e ngjyrë qyteteve tona krahas objekteve të kultit, një përpjekje e madhe për të vënë në dukje një traditë, e cila duhet ruajtur aty ku akoma ekziston. Në këtë kuptim, dhe nga çfarë u shpreh më sipër, studimi duhet çmuar dhe si një mëtim, si një thirrje, për ta ruajtur atë të shkuar, simbolizuar këtu me objekte simbol si kullat e sahatit.

Një angazhim profesional disavjeçar, mbi njëdekadësh, i autorit, duke kërkuar, lexuar, studiuar, duke mbledhur të dhëna, fakte, ilustrime, vetë duke fotografuar, skicuar, shkruar, përpiluar, dokumentuar… Monografia ka gjithçka për t’u cilësuar e tillë, duke na dhënë përmes historisë së kullave të sahatit historinë e qyteteve tona, edhe të atyre që rëndësinë e dikurshme ua ka marrë era, ua ka hequr koha. Një trajtim i plotë i kësaj trashëgimie arkitektonike, i ndërtimit të kullave të sahatit si një veçori në trojet shqiptare, si në vështrimi historik, arkitekturor, urban, historik, restaurues. Çdo kulle sahati i është kushtuar një material më vete; këmbanat e tyre janë studiuar gjithashtu, mekanizmat e orëve. Nga përshkrimet e Evlija Çelebiut te akuarelet e Edward Lear-it, materialet arkivore, fotografitë, gravurat, planimetritë, skicat, është shfrytëzuar gjithçka për një histori tërësore.

Faqet e para të monografisë së Dritan Çokut i kushtohen historikut të shkurtër të kullave të sahatit, prej nevojës së njerëzimit për të kuptuar kohën, llojeve të orëve në format primitive. Ndalesë bëhet në historikun e kullave të sahatit në Perandorinë Osmane, për çka ai shkruan se kullat e sahatit me orë mekanike u shfaqën në atë perandori rreth 200 vite më vonë se në Europë: fillimin e ngritjeve të tyre duhet ta shohim pas mesit të viteve ’60 deri në fillim të viteve ’70 të shekullit të XVI. Për vënien në funksion të sahatit të Shkupit mendohen vitet 1566-1574, që, sipas shënimeve të një udhëtari të kohës, “e trokiste kohën ‘alla frënga’ dhe nuk kishte asnjë kullë të tillë sahati në të gjithë Turqinë”. Bashkë me kullën e sahatit të Osijekut, këto konsiderohen të parat objekte të tilla në Perandorinë Osmane.

Kullat e larta katrore të sahateve të ndërtuara prej guri gjallëronin sheshet e pazareve dhe mjediset e tjera të qyteteve; kullat e sahateve, minaret e xhamive dhe këmbanoret e kishave ndërhynin si elemente të rëndësishme vertikale në siluetën e qyteteve; kullat e sahateve dhe minaret e xhamive, si godina të njohura publike dhe kulti, ishin të lejuara, bile dhe të imponuara, nga autoritetet osmane në qendër të qyteteve, shpjegon shkruesi i monografisë.

Pranëvendosjen e një objekti laik si kulla e sahatit dhe të një objekti kulti si xhamia e ndeshim në fakt në qytetet shqiptare, mbase në një lloj rivaliteti të heshtur midis tyre për vëmendje publike.

Kapitulli i parë i monografisë i kushtohet historisë dhe rrethanave të krijimit të kullave të sahatit në Shqipëri, i dyti merret me tipologjinë e tyre, kapitulli i tretë i është lënë vështrimit si krijime arkitektonike në lidhje me vendin ku u ndërtuan, dhe kapitulli i katërt, e më i gjati, flet për trajtimin specifik të çdo kulle sahati në Shqipëri.

Konkluzion i studiuesit autor është se në vendin tonë kanë qenë ndërtuar kulla sahati në njëzet e një qytete. Dhjetë prej tyre janë ndërtuar në rrënojat e kullave të vjetra të kalave, katër në pazare, katër pranë xhamive kryesore dhe në afërsi të pazareve, dhe tre në vend tjetër. Në kalanë e Shkodrës, ndërtimi i kullës së sahatit lidhet me emrin e Sylejman pashës, të derës së Bushatllinjve, në Gjirokastër, me atë të Ali Pashë Tepelenës, ndërtuesi i kullës së sahatit në Kavajë ka qenë Ibrahim bej Alltuni, te e Tiranës financuesi ishte E’them Beu, kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit u ndërtua me shpenzimet dhe mbikëqyrjen e komisionit të formuar dhe kryesuar prej Aqif pashë Elbasanit. Në ditët tona kanë mbërritur të plota arkitektonikisht njëmbëdhjetë kulla sahati, e një rrënojë.

Në kalanë e Krujës, në Berat, në kalanë e Elbasanit, në Shkodër, Korçë, Durrës, në kalanë e Gjirokastrës, në kalanë e Tepelenës, në Përmet, Leskovik, Libohovë, në kështjellën e Kardhiqit, në Zhulat, në kështjellën e Delvinës, në kalanë e Kaninës, në kalanë e Prezës, në Kavajë, Tiranë, Peqin, Vlorë, Librazhd, nga faqja 87 në 421, çdonjë prej kullave të sahatit ka një përshkrim të plotë e të gjithanshëm, në çdo aspekt.

Për ta bërë të qartë, monografia është pa dyshim një ndihmesë e madhe për lexuesin e specializuar, për studiuesit dhe kërkuesit e së njëjtës fushë, me shumë elemente teknike. Parë kështu, është krejt e pamundur të përmblidhet këtu e gjitha çfarë ka botimi. Po, një përshkrim i shkurtër është i mundur, për kureshtarët, për atë që kërkon të dijë se ç’përmban studimi.

Historia e kullës së sahatit të Inglizit në Shkodër është, për shembull, mjaft interesante. Edhe e kullës së sahatit të Peqinit, si unike për nga ndërtimi, element i së njëjtës ndërtesë të xhamisë, hasur ngjashëm në Ballkan vetëm në Selanik. Krahasuar me “këmbanoret e qyteteve të vjetra franceze” nga studiuesi francez Gabriel Louis-Yaray, kulla e sahatit të kryeqytetit merr më tepër vëmendje. Për të cilën autori nënvizon se është një nga gjinitë e rralla social-kulturore që i kanë mbetur fondit arkitektonik të përcjellë nga e kaluara. Data e përfundimit të saj nga Et’hem beu jepet nga dy burime, në vitin 1822, prej poetit krutan Shaban “Hulusi” bej Toptani në një poezi, dhe në vitin 1830 (nisur ndërtimi në vitin 1822), prej një burimi tjetër. Ajo ndryshoi formë dhe e mori pamjen e sotme në vitin 1928.

Historia e kullave të sahatit është e pandashme nga historia e zhvillimit të qyteteve dhe jetës qytetare shqiptare. Shumë prej atyre kullave nuk u mirëmbajtën, e humbën rëndësinë, u rrënuan me rrënimin e qyteteve dhe qendrave të banuara. Të tjera rezistuan, e ruajtën simbolikën dhe e përforcuan atë përpjestueshëm me shtimin e rrallësisë së tyre. Kulla e sahatit në kryeqytet është kartolinë e Tiranës së bashku me xhaminë në krah.

“Kullat e sahatit në Shqipëri” u botua nga Fondacioni “ALSAR”, një mbështetës dhe inkurajues i studimeve të këtilla. Punimet mbi historinë, traditën, të djeshmen dhe të sotmen kombëtare, janë gjithmonë të dëshiruara për këtë ent. “ALSAR”-i kërkon t’i shndërrojë në materiale mbi të cilat të punohet botimet e tij në fushën e albanologjisë, për t’ua lehtësuar punën kurdo që të duhet rishkruesve të historisë sonë.

Për përkushtimin profesional, për arritjen studimore, falënderimet janë për autorin. Një tjetër falënderim, të cilin e ndiejmë të nevojshëm ta bëjmë, është për inxhinierin restaurator Genci Samimi, ndihmues i drejtpërdrejtë në vendosjen e urave të bashkëpunimit midis nesh dhe autorit të monografisë.

 

Artikulli është marrë nga revista “Shenja”    

soap 2 day