Monografi për romët, këta njerëz të çuditshëm

Ç’janë romët? Ç’është e kaluara e tyre, nga vijnë, ku gjenden? Ç’i dallon, ç’traditë kanë, ç’gjuhë? Ç’bëhet me ta sot dhe si parashihet e ardhmja e tyre?

Monografia e botuar nga Fondacioni ALSAR i trajton të tëra këto pyetje, me një vështrim të gjithmbarshëm, gjeografik, historik, etnografik, gjuhësor, letrar. Ajo flet për përndjekjen, për vuajtjen, për ekzistencën e tyre në vendin tonë dhe në pjesë të tjera të Europës.

“Romët (ciganët), këta njerëz të çuditshëm!” e shuan kureshtjen për shumë gjëra të paditura për ta, si krijesa njerëzore rëndom të paragjykuara e të shpërfillura.

“Romi,” thekson autori, Viktor Bakillari, “nuk do qiejgërvishtës, do tendë; nuk do beton, do hapësirë të blertë; nuk do asfalt, do rrugë me kalldrëm; nuk do bori makinash, do cicërima zogjsh; nuk do rrapëllimë metalike a sirenë treni, do trokun e patkonjve dhe hingëllimën e kalit.”

Mendësia cigane merr një kapitull për t’u trajtuar; me t’u lexuar, asgjë e theksuar më sipër nga autori nuk përbën më çudi.

Pak fjalë, shumë mendim (Xaca dùme, but godi), siç thonë romët, përcjellin 187 proverbat rome të sjella në shqip nëpërmjet frëngjishtes. Përpos tyre, janë dhe krijimet letrare për romët; ato poetike, nga autorë të huaj, përgjithësisht francezë (Bodler, Rembo, Apoliner, etj.), dhe nga poeti shqiptar Pano Taçi.

Përzgjedhje e kujdesshme u është bërë këngëve, poezive (në poezinë e romëve, në poezinë frënge dhe shqipe). Autori e ka plotësuar gjithçka të thënë për romët me një tregim të tijin, që në qendër ka romin shqiptar. Bibliografia mbyll trajtesën monografike.

Ndër të rrallat monografi në shqip për romët, ajo e shton më tej larminë e titujve të botuar nga Fondacioni ALSAR.

soap 2 day