Fondacioni “Alsar”, në kuadër të veprimtarive kulturore organizoi një udhëtim turistik në Bosnje Hercegovinë, me synimin për të njohur trashëgiminë kulturore e historike të këtij vendi të rajonit tonë.
Magjia e një udhëtimi qëndron në faktin se ia vlen të kundrosh qetësisht një vend, të cilin e sheh për herë të parë, të shuash kureshtjen dhe emocionet që të kanë pushtuar ditë më parë dhe ku realisht para vetes ke gjëra të bukura e mbresëlënëse për të vështruar, objekte dhe peizazhe interesante.
Ky udhëtim i rrallë nuk na emocionoi vetëm për bukuritë e natyrës, kulturën, objektet historike me vlera arkitektonike, rregullin, sjelljen njerëzore, por edhe për zhvillimin e këtij vendi, siç është Bosnje-Hercegovina,
Tashmë të gjithë e dimë historinë e gjakderdhjes së gjenocidit më të egër etnik, nga i cili kanë kaluar më shumë se 20 vjet më parë dhe që do të mbahet mend si një nga ngjarjet më tragjike në Ballkan. Dikur para viteve ’90, një nga gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë për disa dekada, një shtet multientnik, ku pjesën më të madhe e zënë boshnjakët, të tjerë serb e kroat.
Populli i thjeshtë dhe kulturëdashës i Bosnje–Hercegovinës,që përjetoi tmerrin e gjenocidit absurd nga fqinji i tij, ka ruajtur me fanatizëm dëshmi të kulturës së lashtë e të re. Gjurmët e atij konflikti të pashembullt shihen edhe sot në godina të ndryshme: shtëpi, hotele, fabrika të goditura nga plumbat e predhat, si muze natyror i asaj faqeje të historisë të shkruar me gjak në vitet 1992-1995. Mostari është një nga qytetet që e pësoi më rëndë këtë gjenocid.
Gjatë udhëtimit tone u ndalëm në këtë qytet ai shtrihej në mes të një grykë të madhe shkëmbore. Ajo që të tërheq mbi gjithçka në Mostar është ura, simboli i qytetit e që njihet në histori si “Ura e Mostarit”.
Lumin Neredva e kalojnë dhjetëra ura, por interesante është ura me gurë, një ndërtim i mrekullueshëm arkitekturor. Ura e vjetër pesëqind vjeçare u shkatërrua me artileri më 9 nëntor të vitit 1993 nga ushtria e kroatëve të Bosnjës. Ura e vjetër nuk kishte rëndësi strategjike, por shkatërrimi i saj për qëllim shuarjen e një simboli të kulturës osmane. Ajo u rindërtua 11 vjet pas shkatërrimit, pas plot 7 vjet rresht pune intensive, dhe sot qëndron përsëri më këmbë mrekullisht e njëjtë në strukturë, si ajo e para, e ndërtuar gjatë viteve 1557 – 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh.
Mëngjesi i ditës tjetër erdhi mbi Sarajevë, fillimisht në Vrelo Bosne, një park që të përkujton Drilonin në Pogradec. Sarajeva të befason më shumë me arkitekturën karakteristike. Mjafton ky realitet për të kuptuar nga njëra anë natyrën, dhe nga ana tjetër kulturën e zhvillim e saj.
Është e vështirë ta shëtisësh të gjithë Sarajevën, por ne edhe me aq sa e vëzhguam mbetëm mjaft të kënaqur dhe të befasuar njëkohësisht. Sidomos kur u ndodhëm përballë xhamive të shumta, që të stepin në vështrimin e parë me madhështinë e bukurinë e tyre.
Nuk di ku të ndalesh sytë më parë e megjithatë bëjmë dhjetëra foto përpara Xhamisë mbi 500 vjeçare Gazi Husref-bej, e veçantë për vlerat arkitektonike. Një vepër arti e ndërtuar me mjeshtëri në teknikë e kombinacione.
Ditët nuk ishin të mjaftueshme për të shijuar gjithë këto bukuri magjepsëse të Bosnje-Hercegovinës, si gjërat e çmueshme, veçse, duke ju treguar këto fotografi me pamje të këtyre bukurive gjatë ditëve të këtij udhëtimi, mendojmë se do të transmetojmë te ju një pjesë sado të vogël të atyre emocioneve që përjetuam në atë qëndrim të shkurtër, por të paharruar.