Urimi nga ALSAR: Gëzuar Kurban Bajramin!

Në këtë ditë feste për të gjithë ata të cilët e kanë besimin islam pjesë esenciale të qenies dhe jetës së tyre, në këtë atmosferë sublime që krijon simbolika e flijimit si nënshtrim absolut ndaj Zotit, Fondacioni ALSAR uron për të gjithë shqiptarët një Kurban Bajram të gëzuar!

Kurbani, me përçimin e fuqishëm, e lartëson njeriun në virtyt dhe e afron më pranë Krijuesit, si dëshmi e gatishmërisë për t’iu bindur dhe përulur vullnetit të Plotfuqishmit.

Akti i Ibrahimit për ta çuar në vend fjalën hyjnore ishte nënshtrim i pastër, i sinqertë; një veprim shembullor i skalitur si sprovë e kaluar me sukses.

Përsosja jonë kalon përmes akteve flijuese, pasuruese për shpirtin tonë, pastruese dhe ndërgjegjësuese. Krijesa njerëzore nuk mund ta vërë poshtë vesin e t’i jepet devocionit pa atë dashuri të madhe për Hyjnoren që ia bën të lehtë sakrificën.

Nuk janë mishi dhe gjaku që arrijnë tek Ai, por devotshmëria jonë. Pa pastrimin tonë të brendshëm, pa përmirësimin e vetvetes, shoqëria e ka të pamundur të bëhet më e mirë, mirësia e ka të pamundur të mbizotërojë.

Kurbani ynë reflekton prirjen tonë për nga e mira, të vënë më në pah me ndarjen e gjësë së flijuar në njerëzit përreth.

Të shërbejë, pra, kjo ditë, kjo festë, si nxitëse për reflektim, për çdonjë nga ne, për çdo besimtar musliman, për çdo qytetar dhe anëtar të shoqërisë sonë, për çdo pjesëtar të ummetit islam.

Edhe një herë, Fondacioni ALSAR ua uron të gjithëve festën e flijimit, me shpresën e pranimit të sakrificës!

soap 2 day