Shkëlqesia e Tij Ambasadori i Republikës së Turqisë Z. M.Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij zonja Ayşegül Erdal Yörük, vizituan Fondacionin “ALSAR”. Miqtë e nderuar u pritën me ngrohtësi nga një grup prej 50 fëmijësh jetimë, të cilët ishin veshur me kostume popullore në respekt të traditës dhe të mikpritjes shqiptare.
Z.Mehdi Gurra kryetar i Fondacionit “ALSAR”, bëri një prezantim të veprimtarisë së Fondacionit dhe arritjeve të tij në përmbushje të misionit arsimor, kulturor, dhe humanitar. prej themelimit të tij dhe deri më sot. Ambasadori u njoh me situatën dhe me vështirësitë që kanë fëmijët jetimë në jetë dhe shprehu mbështetjen e tij në aspekt personal dhe institucional në krijimin e mundësive të reja dhe shtimin e shërbimeve si dhe rritjen e cilësisë së tyre për këta fëmijë.
Njohja nga afër e këtij realiteti dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me këta fëmijë dhe me ndryshimin cilësor të jetës së tyre nëpërmjet Fondacionit “ALSAR” dhe shërbimeve që ofrohen nga ky Fondacion për këta fëmijë jetimë. Përparimi i dukshëm i tyre në mësime, në formimin e tyre dhe në aspektin psikologjik e social, janë rezultate të prekshme me tregues të qartë sasiorë dhe cilësorë të cilët justifikojnë më së miri mbështetjen e dhënë nga donatorë të ndryshëm. Njohja nga afër e këtij realiteti dhe konstatimi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente të impaktit të kësaj mbështetjeje nga Shkëlqesia e Tij do të shërbejë për të rritur këtë bashkëpunim me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve ndaj fëmijëve jetimë nëpërmjet Fondacionit “ALSAR”.
Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra dhe plot fëmijë jetimë shprehën mirënjohjen për partnerët dhe institucionet e Republikës së Turqisë që kontribuojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.