Ditë më parë doli nga shtypi botimi, “Kullat e sahatit në Shqipëri – historia dhe arkitektura”, i autorit Dritan Çoku. I botuar nga Fondacioni ALSAR, libri është një monografi për këtë gjini ndërtimore.
Ky studim monografik me mbi 400 faqe është i ndarë në katër kapituj, duke i trajtuar në çdo aspekt kullat e sahatit, historikun e tyre, ndërtimin, e çdo veçori tjetër. “Historia e kullave të sahatit dhe rrethanat e krijimit të tyre në qytetet shqiptare” është titulli i kapitullit të parë, shpjegues dhe i tematikës. Tipologjinë e kullave të sahatit në vendin tonë e trajton kapitulli i dytë. Dy kapitujt e tjerë janë, “Kullat e sahatit si krijime arkitektonike në lidhje me vendin ku u ndërtuan dhe si ndërtime me pajisje të veçanta” dhe “Kullat e sahatit në Shqipëri”. Kapitulli i fundit e trajton më vete çdo kullë sahati në qytetet apo lokalitetet shqiptare.
Për autorin dhe punën e tij studimore veçojmë një pjesëz nga parathënia e botimit: “Autori Dritan Çoku ka hyrë në thellësi e gjerësi të temës që ka marrë në studim. Ai me skrupulozitet ka studiuar pothuajse të gjitha të dhënat bibliografike për të gjitha kullat e sahatit në Shqipëri të autorëve vendas dhe të huaj…. Autori ka shkuar në çdo objekt, pranë çdo kulle sahati apo gjurmë të ndërtimit të saj, ku ka marrë dhe ka realizuar rilevimin e saj, duke e studiuar me imtësi të gjithë pamjen arkitektonike…. Nuk ka lënë asnjë hollësi të jashtme dhe të brendshme, deri në relievet dekorative të gdhendura në gurë, duke studiuar dhe kuptimin e simboleve të tyre.”
Shkruesi i parathënies e sheh botimin, pra, monografinë, si një dokument historik mjaft të vlefshëm dhe për problemet e ruajtjes, mbrojtjes, mirëmbajtjes, përforcimit, konservimit dhe restaurimit të kullave të sahatit në territorin shqiptar.
Prej hyrjes, pas parathënies, shkëpusim fjalinë e parë, e cila thotë se, “Kullat e sahatit, si një gjini ndërtimore me karakter publik, ngrihen në të gjitha trojet shqiptare gjatë Kohës së Re dhe asaj Moderne, duke u bërë dëshmi të qarta të periudhave të historisë së popullit shqiptar dhe kulturës sonë tradicionale ndërtimore në veçanti.”
Pavarësisht specifikës së tij, botimi është tërheqës, dhe duhet të jetë i tillë, për çdo lexues. “Kullat e sahatit në Shqipëri” është studim me shumë vlerë; botimi cilësor i Fondacionit ALSAR ia shton vlerën, ia vë më në pah!