Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, zhvilloi në auditorët e këtij fakulteti projektin “Libri dhurata më e çmuar”, që synon të kontribuojë në mënyrë modeste për të pasuruar bibliotekën e këtij institucioni arsimor e akademik.
Përmes realizimit të këtij projekti, u dhuruan 20 tituj të ndryshëm librash botime të Fondacionit “ALSAR”, që përbëjnë një burim të mirëfilltë dijesh dhe ofrojnë një gamë të gjerë njohurish e të dhënash nga punime e studime interesante rreth shumë çështjeve të historisë, të kulturës dhe kërkimit shkencor, ndër të cilat spikat edhe kolana e “Kalendarit Kombiar (1897- 1928)”, një nga veprat më madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.