Rreth Nesh

Iniciativa për krijimin e Fondacionit “Alternativa e së ardhmes” iu shtua strukturës ende të re të shoqërisë civile shqiptare me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 21 shtator 2006, duke u njohur si person juridik që gëzon të drejtën e ushtrimit të aktivitetit mirëbërës shoqëror me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar.  “ALSAR” është një organizëm i pavarur, që nuk ndjek qëllime fitimprurëse, i themeluar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Misioni dhe vizioni i qartë programor i Fondacionit “ALSAR” është ngjallja në shoqëri e shpresës se askush nuk është vetëm, se është e drejta e lindur e çdokujt të ndihmohet kur ka nevojë.

Strategjia e veprimtarisë së zhvilluar nga “ALSAR”-i mbështetet dhe përqendrohet në përmbushjen e synimeve dhe objektivave të organizatës, në planin shumëdimensional të karakterit kulturor, arsimor dhe humanitar.

Programi dhe objektivat e Fondacionit “ALSAR” kanë në qendër të tyre punën për: (1) rritjen në shoqërinë shqiptare të frymës së kolektivitetit, ndershmërisë, përgjegjësisë ndaj individit, ndaj komunitetit, për nxitjen e arsimimit, të studimit të shkencave shoqërore dhe ekzakte, për nxitjen e punësimit, të respektimit të kulturës, traditave dhe mjedisit, (2) mbështetjen me të gjitha mënyrat që njeh ligji të intelektualëve dhe veprimtarëve të shoqërisë civile për hartimin e projekteve në dobi dhe në funksion të interesave të komunitetit, (3) kontribuimin me forcat e veta, apo nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet shtetërore e private, me individë shqiptarë dhe të huaj, për t’i përmirësuar standardet e edukimit dhe arsimimit në vend, (4) realizimin e projekteve humanitare të ndihmës morale e materiale, si dhe ndihmës komunitare, për njerëz në nevojë në bashkëpunim me shoqata homologe brenda dhe jashtë vendit që kanë karakter dhe status të përbashkët, (5) dhënien e ndihmës në përmirësimin e kushteve të punës të intelektualëve, të komunitetit të kërkuesve dhe studiuesve shqiptarë, dhe në paraqitjen sa më me dinjitet të punës së tyre brenda e jashtë vendit, (6) ndihmesën në përmirësimin e mjedisit shoqëror, kulturor e natyror.

Vlerat institucionale të Fondacionit “ALSAR” janë: dhembshuria dhe përkujdesi, natyra përfshirëse, integriteti dhe transparenca, përshtatshmëria.

Aktiviteti i “ALSAR”-it ka karakter humanitar, arsimor dhe kulturor.

Veprimtaria e e Fondacionit “ALSAR” nuk njeh kufij brenda territorit të Shqipërisë, duke i përfshirë të tëra njësitë administrative. Përqendrimi i punës për një kohë në një qytet a rreth të veçantë ka të bëjë me nevojat e atij lokaliteti.

Bashkëpunimi me autoritetet lokale për të bashkërenduar punën në raste veprimtarish, si shpërndarje ndihmash, përmirësime infrastrukturore, etj., është i vazhdueshëm. Në nivel ndërkombëtar, “ALSAR” ka bashkëpunim me shumë organizata, si donatore apo ndryshe.

Arritjet në vitet e aktivitetit të “ALSAR”-it përbëjnë një bilanc të jashtëzakonshëm, me qindra projekte të realizuara, duke ndihmuar mijëra familje në nevojë e fëmijë jetimë, duke rregulluar dhe plotësuar infrastrukturë, duke pajisur nxënës dhe shkolla me mjete didaktike, duke hapur kurse, duke dhënë bursa, duke organizuar simpoziume, konferenca shkencore, panaire, ekspozita, duke mbështetur intelektualë dhe autorë, duke botuar tituj të shumtë, etj.

Struktura e Fondacionit “ALSAR” ka në të, si drejtues, kryetarin, z. Mehdi Gurra, nënkryetarin dhe drejtorin administrativ, z. Saimir Rusheku. Organizimi është i ndarë në tre departamente: i ndihmave humanitare, i arsimit, i kulturës. Departamentet kanë po ashtu seksionet e tyre. Në fondacion janë zyra e financës, zyra juridike, dhe zyra e medias.

soap 2 day