Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, mbajti sesionin shkencor, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”

Fondacioni ALSAR mbajti sot, të enjten e 4 dhjetorit, një sesion shkencor të kushtuar ish-kryetarit të Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, të ndarë nga kjo jetë një vit më parë.

Sesioni shkencor u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, të krijuar nga familjarë të të ndjerit.

Tema e sesionit shkencor përkonte me titullin e librit, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, të saponxjerrë nga shtypi nga Botimet ALSAR.

Salla “Balsha”, në Hotel “Tirana International”, u mbush me të interesuarit për sesionin shkencor, personalitete, ish-shtetarë, të angazhuar në aktivitet social, të afërm të të ndjerit, qytetarë të Tiranës, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili tha:

“Të nderuar pjesëmarrës në këtë sesion shkencor!

Na ka mbledhur këtu përkujtimi i figurës së një qytetari të denjë të Tiranës, të ikur papritmas nga kjo jetë një vit më parë. Boshllëku i krijuar nga ky largim i beftë ndihet ende qartë, si të kishte ndodhur dje ajo ngjarje lënduese për zemrën dhe shpirtin e çdo njohësi nga afër, e të afërmve të gjakut dhe të shoqërisë së gjerë.

Arben Tafaj la shenjë me aktivitetin social dhe përkushtimin e veçantë për komunitetin e tiranasve. U bë i dashur në të gjallë për ata që e rrethonin, si i afrueshëm, i sjellshëm, i gatshëm për të ndihmuar dhe vepruar, i papërtuar dhe i kudogjendur.

Kujtesa na e sjell atë të qeshur e energjik, të butë në fjalë e të vendosur, të respektueshëm e të vlefshëm për miqësi. Shoqata ‘Tirana’ i detyrohet së tepërmi Arben Tafajt për statusin

që i siguroi, për praninë e kurdohershme në hapësirën ku pulsonte jeta shoqërore e kryeqytetit, për meritat e fituara nëpërmjet protagonizmit pozitiv të tij.

Arben Tafaj përmblodhi brenda vetes dhe i shfaqi si duhet cilësitë më të mira të një tiranasi të dhënë pas traditës dhe përqafues të së resë, të angazhuar për ta ruajtur mirë të parën dhe të kujdesur që e dyta të mos fshijë çfarë gjen përpara. Pikëpamja e tij e palëkundur, për të cilën u kujdes dhe që të materializohej për aq sa e lejonin rrethanat, ishte se Tirana duhej të ruante më së pari vlerat e njohura si qytet, e pastaj të përthitheshin çfarë siguronin pozicioni dhe funksioni si kryeqytet i Shqipërisë.

E kuptojmë tani se ndërthurja tek ai e veprimtarisë shoqërore dhe politike dhe sjellja me masë në çfarë tha dhe bëri e shndërruan atë nga një njeri aktiv në një personalitet me dinjitet e të meritueshëm për kujtesë! Ngulitja e emrit të Arben Tafajt në një fondacion, të themeluar nga familjarë të tij, është nderimi më i mirë për të.

Zonja e zotërinj!

Ky sesion shkencor, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin ‘Arben Tafaj’, i kushtohet të ndjerit, për gjthçka dha për qytetin, për kryeqytetin dhe për qytetarët.

Organizimi i Fondacionit ALSAR pason aktivitetin e mbajtur po nga ky ent në mesin e janarit të këtij viti, në të dyzetat e ndarjes nga kjo jetë të Arben Tafajt. Në atë aktivitet pata treguar për projektin e diskutuar me të më herët për përgatitjen e një libri për veprimtarinë njëzetvjeçare të Shoqatës ‘Tirana’. Ndërsa ALSAR-i e shprehu përkushtimin për ta mbajtur fjalën e dhënë edhe tani, pa praninë e tij fizike në këtë botë, mungoi interesimi nga shoqata për ta realizuar botimin. Gjetja e gjuhës së përbashkët dhe vullneti i dyanshëm me Fondacionin ‘Arben Tafaj’ çuan fatmirësisht në konkretizimin e idesë.

Nuk ka dyshim se çdo njeri në këtë sallë do të donte të thoshte diçka për Arben Tafajn, por ngaqë organizimi ka specifikën e një sesioni shkencor, kjo është e pamundur. Këtë radhë fjalën do të mund ta marrin vetëm të parashikuarit për të folur.

Bashkëpunimi mes nesh, individual dhe institucional, ishte kurdoherë i mirëpritur dhe frytdhënës. Ne bëmë më të mirën dhe kontribuam modestisht, e sinqerisht, sa herë që bashkuam energjitë në aktivitete të përbashkëta për Tiranën.

Ky sesion shkencor dhe botimi që do të dhurohet janë homazhi ynë, i Fondacionit ALSAR, për të munguarin fizikisht dhe të pranishmin fuqimisht me kujtimin e mirë, për të pazëvendësueshmin Arben Tafaj!

Organizimin e një aktiviteti të ngjashëm i sugjerojmë dhe Shoqatës ‘Tirana’, ku mund të japë dhe çmime në shenjë vlerësimi dhe nderimi për ish-kryetarin e saj.

Lusim Zotin t’ia ketë pranuar ndër punët e mira të ndjerit kontributin shoqëror!

Qoftë i xhenetit!

Sesionit shkencor i uroj punime të mbara!”

Një fjalë përshëndetëse mbajti për të pranishmit z. Ilir Tafaj, kryetari i Fondacionit “Arben Tafaj”.

Prof. dr. Fatmira Rama mbajti ligjëratën, “Shoqata ‘Tirana’ në kontekstin historik dhe kontributi i shquar i drejtuesit të saj, Arben Tafaj”.

Pas saj ligjëroi z. Naim Hasa, temë e fjalës së të cilit ishte, “Arben Tafaj – një lider komunitar dhe një model qytetar në promovimin e harmonisë dhe zhvillimit shoqëror”.

Kumtesa e fundit u mbajt nga z. Alban Rreli, nën titullin, “Arben Tafaj, një misionar i vlerave”.

Botimi i Fondacionit ALSAR, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, u dhurua për të pranishmit në përfundim të sesionit shkencor.

soap 2 day