Gëzuar Kurban Bajramin, festën e sakrificës njerëzore!

Fondacioni ALSAR përcjell në këtë ditë me simbolikë të fuqishme urimin e përzemërt dhe gjithpërfshirës për një Kurban Bajram të gëzuar!

U përjetoftë ky Kurban Bajram me përshpirtshmërinë e nxitur natyrshëm dhe vetvetiu nga domethënia e mbartur prej thellësisë së tij burimore!

Na bëftë kjo festë më të njerëzishëm, më të prekshëm, më të prirur për t’iu gjendur pranë njëri-tjetrit, më të solidarizuar me vuajtjet e krijesave të tjera njerëzore afër dhe larg nesh!

Akti i gatishmërisë së Ibrahimit, patriarkut të monoteizmit, për të flijuar të birin për hir të Zotit të Gjithësisë përçon në njerëzinë botëkuptimin e duhur mbi ekzistencën tonë në këtë botë dhe i jep çdo krijese njerëzore me vetëdije të formuar si duhet energjinë dhe dëshirën për sakrifikim.

Devotshmëria jonë është ajo që vlen, që mbërrin, te Krijuesi, i Plotfuqishmi, Mëshiruesi, e jo gjaku dhe mishi i gjësë së flijuar. Dhe kjo devotshmëri nuk duhet të jetë një fotografim çasti, njëditor, por cilësi e pandashme dhe shumë e vyer e jetës sonë, për të qenë të mirë sot dhe mirë nesër, këtu, në këtë botë, e në amshim.

Kurban Bajrami është festë e sakrificës më të lartë njerëzore, kujtesë se kjo jetë është e mbushur me sprova, më së pari për besimin tonë, e se kalimi me sukses i tyre sjell kënaqësi genuine, esenciale.

Pa përsiatjen e nevojshme reflektuese, pa na ngjallur empati e solidaritet njerëzor, pa na inspiruar për përmirësimin e qenies sonë, kjo festë mbetet e mangët. Duhet kujtuar se vullneti për të sakrifikuar gjërat më të shtrenjta për hir të Hyjnores është virtyt i krijesës njerëzore të devotshme.

Edhe një herë, me çdo fjalë të thënë më sipër, Fondacioni ALSAR uron: Gëzuar Kurban Bajramin!

soap 2 day