Mbështetur në platformën e veprimtarive të solidaritetit ndaj fëmijëve jetimë, Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR, në bashkëpunim me grupin e studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të regjistruar në programin e bursave te ekselencës, ka realizuar me sukses platformën e zhvillimit të vizitave në shtëpitë e fëmijëve jetimë në qytetin e Tiranës, për të parë e njohur nga afër fëmijët dhe familjarët e tyre, kushtet në të cilat ata jetojnë dhe vështirësitë me të cilat përballen, duke synuar në këtë mënyrë që me ndjenja të sinqerta vëllazërore t’iu ofrojnë mbështetjen, dhe t’iu ngjallin ndjenjat e shpresës e besimit për të ardhmen, duke kontribuar sadopak në drejtim të lehtësimit të vështirësive ekonomike familjare.
Gjatë periudhës mars – maj 2018, në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të vullnetarizmit studentet të organizuar në grupe, kanë zhvilluar vizita sipas një grafiku periodik në 42 familje. Vizitat janë realizuar si në zona urbane, ashtu edhe në ato rurale të qytetit të Tiranës. Realizimi i vizitave ka qenë një angazhim me shumë vlerë për studentët, pasi i njohu ata më tepër me terrenin e vështirë në të cilën këto familje ndodhen. Ky projekt ka ndihmuar në përvetësimin e aftësive praktike te studentet me punën direkte me individët. Qëllimi kryesor i vizitave ishte njohja më nga afër e kushteve dhe nevojave të familjeve të fëmijëve jetimë, që trajtohen me ndihma nga Fondacioni “ALSAR”.
Përsa i përket përvojës së përfituar studentet shprehen se ishte një eksperiencë mjaft e rendësishme për ta, pasi kaluan kohë ndryshe nga përditshmëria e tyre duke ndjerë atmosferën e ngrohtë familjare qe e karakterizon traditën e mikpritjes shqiptare.