Nga: Fondacioni “ALSAR”
Humbjet njerëzore të armenëve në Anadoll gjatë Luftës së Parë Botërore janë kthyer prej kohësh në një instrument politik të përdorur në lojën gjeopolitike me Turqinë. Në mënyrë ciklike, për çdo vit në këtë kohë gjenerohet i njëjti tension dhe debat, që në thelb ka përdorimin e një termi të cilin Turqia nuk e pranon kurrsesi dhe nuk ka si ta pranojë.
Futja e politikanëve në një fushë që nuk u përket atyre nuk i shërben aspak gjykimit të saktë historik, madje ata as janë në gjendje të japin një definicion i cili u takon historianëve.
Dhe më i mirënjohuri historian në betejën ndërkombëtare për të dhënë një përkufizim për tragjeditë njerëzore të armenëve në tokën osmane, amerikani Justin Mc Carthy, në trajtesën e tij të jashtëzakonshme të njohur si libër me titullin, “Vdekje dhe dëbim”, të botuar në shqip nga Fondacioni “ALSAR”, por dhe gjetiu, e shikon ndryshe historinë, me dy anët e saj. Ai flet sigurisht për humbjet e armenëve, por dhe për barbarizmat e tyre në Anadollin Lindor. Analiza e tij e përjashton elementin e gjenocidit me dritën e hedhur në humbjet e jetëve të muslimanëve, po aq të mëdha, por kurrë të vlerësuara njëlloj. “Njëlloj si armenët, edhe muslimanët u masakruan ose vdiqën nga uria dhe sëmundja në një numër tronditës,” vë në pah historiani; një përcaktim që flet shumë për atë se çfarë ndodhi, pa natyrë gjenocidale, por pasojë e luftës dhe e aktivizmit armen kundër osmanëve.
Patriarku armen në Turqi, Şahak Maşalyan, e ka cilësuar së fundi përdorimin e ngjarjeve të 1915-s si një instrument politik. Një reagim që thotë shumë! Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, që në deklaratën e tij i “përkujton me respekt armenët osmanë të cilët kanë humbur jetën në kushtet e vështira të Luftës së Parë Botërore”, është kundër politizimit të çështjes kundër Turqisë.
Turqia prej kohësh, prej vitesh, ka kërkuar ngritjen e një komisioni historianësh për hulumtimin e ngjarjeve të 1915-s, pa marrë përgjigje prej palës armene. McCarthy, ndërkohë, si historian, thotë se Armenia nuk pranon të hapë arkivat, ndryshe nga ç’ndodh me arkivat osmane, të hapura.
Joe Biden u bë presidenti i parë amerikan që vendosi të përdorë fjalën “gjenocid” për ato ngjarje të fillimshekullit të shkuar, duke mos respektuar traditën e paraardhësve të tij në post, të rezervuar në deklarimet e tyre. Një deklarim që nuk i vjen aspak në ndihmë përmirësimit të marrëdhënieve mes dy partnerëve të NATO-s.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, do të deklaronte se, “Është gabim historik të veprosh me mendësinë e lobeve radikale armene që nuk prodhojnë asgjë tjetër veç terrorit dhe armiqësisë,” për ta ftuar më pas presidentin amerikan ta korrigjojë deklaratën e tij dhe të mbajë një qëndrim të drejtë e që do t’i shërbente paqes rajonale.
Turqia nuk i druhet vështrimit akademik të historisë. Turqia nuk e pranon dhe nuk ka për ta pranuar përdorimin politik të humbjeve njerëzore të armenëve të më shumë se një shekulli më parë! Ajo kërkon të flasin historianët, jo politikanët!
Përdorimi politik i ngjarjeve fatkeqe të 1915-s nuk i shërben paqes, nuk është i dobishëm, nuk sjell dobi! Ato ngjarje nuk përmbushin kriteret për t’u quajtur “gjenocid”, nuk janë akte gjenocidi! Fjala u takon historianëve!