Fondacioni ALSAR në mbështetje të nismave që synojnë të promovojnë vlerat e kulturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, ka ofruar kontributin e tij inkurajues për Muzeun e Gruas që është ngritur për të prezantuar nëpërmjet artefakteve, dokumentave apo objekteve të tjera me rëndësi kulturore, historinë e gruas shqiptare në periudhat si Antikiteti, Mesjeta, Periudha Osmane, Rilindja dhe Pavarësia, Monarkia, Lufta e Dyte Botërore, Komunizmi dhe deri në dekadat e sotme.
Muzeu i Gruas është parë nga këndvështrimi i grave, dhe prezanton pozitën e tyre në familje, kontributin dhe influencat e tyre që ato kanë dhënë në shoqëri për arritjen e civilizimit, emancipimit dhe të të drejtave.
Nëpërmjet objekteve personale, veshjeve, dokumentave, fotove, filmimeve, orendive, librave, dhe çdo objekti që është në funksion historik, shpirtëror e psikologjik të jetës së grave, muzeu do të mundësojë informacione të pazbuluara më parë, duke ndihmuar kësisoj edukimin e të rinjve, që nëpërmjet kulturës të kultivojnë njohuritë e tyre dhe memorien historike.
Fondacioni “ALSAR” permes programeve të tij kulturore, angazhohet në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore.