Solidariteti human i treguar në Ramazan nëpërmjet aktiviteteve të shumta humanitare të Fondacionit ALSAR vijon të jetë i prekshëm dhe dobiprurës për njerëz e shtresa në nevojë.
Ente partnere, organizata, shoqata e fondacione, mundësojnë realizime projektesh anembanë vendit, në ndihmë të popullatës dhe përçuese të frymës së veçantë të këtij muaji.
Ndër kontribuesit e ka shkruar emrin dhe organizata bamirëse HİLAL me qendër në Gjermani.
Me përfaqësuesit e saj në terren, ajo bëri të mundur zhvillimin e tre aktiviteteve humanitare.
Një prej tyre ishte shpërndarja e pakove ushqimore në njësinë administrative Dajt të Bashkisë së Tiranës.
Për banorë të kësaj njësie, për familje në nevojë, u dhanë 200 pako me artikujt bazë ushqimorë.
Si kudo, ndihma u prit me mirënjohje nga përfituesit.



