Nga: Saimir Rusheku
Bashkësia muslimane anembanë botës përjeton një ndër ngjarjet më të rëndësishme fetare të vitit, festën e sakrificës, duke u paraqitur në këtë mënyrë me identitetin e saj moral, shpirtëror dhe fetar në arenën e madhe historike e botërore të zhvillimit të popujve, kulturave e qytetërimeve.
Institucion i sakrificës
Parimi i sakrificës ka qenë historikisht një prej elementeve qëndrore në besimet e ndryshme, dhe, përmes sakrifikimit të kryer në forma të ndryshme, njerëzit janë munduar t’i afrohen qenies hyjnore dhe të arrijnë grada të larta shpirtërore.
Islami i dha sakrifikimit kuptim dhe formë krejt tjetër prej ç’ekzistonte te popujt e lashtë. Një nga format e sakrifikimit në Islam është institucioni i kurbanit. Prej këtej, ai përbën karakteristikën më të theksuar të festës së dytë islame, festës së kurbanit, ngaqë në këtë ditë muslimanët kudo në botë therin kurbanë.
Në këtë kontekst, nënvizojmë se kurbani është institucion fetar që ka për synim kryesor humanizimin e njeriut, pastrimin shpirtëror, begatimin me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e tij. Pra, nëpërmjet këtij institucioni kërkohet të nxitet formimi i personalitetit të shëndoshë human dhe i bashkësisë së shëndoshë njerëzore.
Kurbani është simbol i devotshmërisë, i nënshtrueshmërisë, i dorëzimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Me therjen e kurbanit, te Allahu nuk arrin gjaku apo mishi, por nijeti, vendosmëria dhe motivi i njeriut në therjen e kurbanit, vullneti për të arritur grada më të larta të përsosurisë shpirtërore.
Kurbani rrezaton në vetvete karakterin mirënjohës dhe falënderues njerëzor ndaj Allahut të Madhërishëm. Përmes therjes së kurbanit, njeriu tregohet mirënjohës ndaj Tij, e falënderon Atë për të mirat dhe begatitë që ia fal.
Kurbani paraqet ngadhënjim të shpirtërores dhe fetares te njeriu mbi materialen dhe neglizhencën fetare. Këtë e demonstron besimtari me therjen e kurbanit, kur tregon qartë se përkushtimi për Allahun mbizotëron karshi ndjenjave dhe pasioneve tokësore: pranim i të sakrifikuarit për hir të Allahut!
Përkujtim, dimensione dhe filozofi
Kurbani ka dimension social, pasi është dëshmi e përkujdesit të njerëzve për njëri-tjetrin, e ndihmës materiale që i jepet të afërmit, mikut, nevojtarit. Me këtë bëhet edukimi i shpirtit të njeriut, lufta mbi egoizmin, spikatja në skenën e madhe të solidaritetit, të ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.
Kurbani na përkujton një mësim domethënës të trashëguar nga historiku i misioneve profetike: gatishmërinë e profetit Ibrahim (a.s.) që të sakrifikojë gjënë më të shtrenjtë, të birin, Ismailin (a.s.), për hir të Allahut të Lartësuar! Tek personaliteti i profetit Ibrahim (a.s.) shohim të mishërohen ndjenjat dhe idealet e larta devocionale. Besimi ndaj Allahut e bëri atë që ta përmbushë pa mëdyshje frymëzimin hyjnor.
Në këndvështrimin islam, nocioni “festë” nuk ka vetëm dimension solemn dhe përkujtimor, por filozofia është shumë më e gjerë. Urtësia e Zotit të Lartësuar e ka përcaktuar në dispozitat fetare që festat islame të pasojnë kryerjen e ritualeve adhurimore. Kështu, Fitër Bajrami vjen pas përfundimit të muajit të Ramazanit, pas kryerjes së ritualit të agjërimit, një prej bazave themelore të Islamit. Kurban Bajrami kremtohet në vazhdën e kryerjes së ritualit të haxhit, nëpërmjet demonstrimit të aktit të sakrificës dhe solidaritetit islam.
Esencë
Bërja e kurbanit simbolizon në thelb padiskutueshmërinë e vullnetit hyjnor, gatishmërinë e njeriut besimtar për t’iu bindur atij vullneti. Kremtimi i këtij akti është festim i esencës së marrëdhënies midis të krijuarit dhe Krijuesit: nënshtrimit dhe bindjes së qenies njerëzore ndaj Qenies Hyjnore!