Ramazani, muaji i bekuar!

Nga: Saimir Rusheku

Për jetën e individit, familjes dhe shoqërisë islame, Ramazani, me shenjtërinë e tij, shfaqet si  një muaj i veçantë, të cilin mund ta emërtojmë si pranvera e jetës islame, nga që në të ripërtërihet jeta në tërësi. Ripërtërihen mendjet me njohuri, ripërtërihen zemrat me besim dhe devotshmëri.
Muaji i Ramazanit është një nga periudhat më të rëndësishme të mirësisë dhe begatisë hyjnore, sepse në të pastrohen dhe lartësohen shpirtërat, afrohen zemrat tek Krijuesi i tyre, hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehennemit. Ështe muaji i faljes dhe mëshirës, në të cilin Allahu i Lartësuar u dhuron amnistinë e Tij hyjnore besimtarëve.

Rituali  i agjërimit, i kryer gjatë këtij muaji, është një ndër bazat fundamentale të fesë islame. Atë e karakterizojnë vlera unikale, morale, shpirtërore dhe edukative, dhe është pikërisht ky sistem vlerash i kristalizuar në këtë ritual adhurimi që simbolizon urtësinë hyjnore të Krijuesit të gjithësisë.

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Kur’an, 2:183)

Transmetohet se, në prag të muajit ramazan, Profeti Muhammed (a.s.) u ka thënë besimtarëve: “O ju njerëz! Është afruar muaji famëlartë dhe i begatshëm në të cilin gjendet  Nata e Kadrit, që vlerësohet si më e mirë se një mijë muaj. Zoti i Lartësuar e bëri obligim agjërimin e tij dhe faljen e teravisë e bëri të pëlqyeshme. Ai që gjatë këtij muaji kryen një obligim fetar shpërblehet sikur ka kryer 70 të tilla, e ai që kryen një punë vullnetare shpërblehet sikur ka kryer një detyrë fetare. Ky është muaji i durimit, dhe durimi shpërblehet me xhennet. Ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rizkut) të besimtarit; ai që ushqen një agjërues i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet fare shpërblimi.”

Sipas një hadithi, Profeti (a.s.) u është drejtuar dhe kështu besimtarëve
në fillim të muajit të Ramazanit:

“O njerëz! Ju ka ardhur muaji i Allahut të Madhëruar, muaj i begative, mëshirës dhe faljes; muaji më i lartë tek Allahu. Ditët e këtij muaji janë më të vlefshmet, netët e këtij muaji janë më të mirat, orët e këtij muaji janë më të bekuarat. Ky është muaji në të cilin jeni të ftuar tek Allahu si miqtë më të respektuar të Tij. Është muaji në të cilin shikimi është lartësim i Allahut dhe gjumi është adhurim, është muaji kur pranohet lutja dhe shumëfishohet shpërblimi për veprat. Kërkoni pra, me zemër të pastër dhe qëllim të sinqertë bekimet e Allahut për mbajtjen e agjërimit gjatë këtij muaji dhe lexoni Kur’an për hir të Tij. Kujt i mohohet falja e mëkateve në këtë muaj, ai është njeriu më i pafat. Uria dhe etja e këtij muaji le t’ju sjellë ndërmend urinë dhe etjen e Ditës së Kiametit. Jepni lëmoshë për të varfrit dhe të vobektët, nderoni të moshuarit dhe silluni me ëmbëlsi ndaj fëmijëve, forconi lidhjet farefisnore, ruajeni gjuhën, uleni shikimin dhe ruajeni dëgjimin nga ajo që është e ndaluar, tregohuni të mëshirshëm me jetimët, që të tjerët të tregohen të mëshirshëm me ju, kthehuni tek Allahu të penduar sinqerisht, ngrijini duart në lutjet tuaja për të kërkuar begatitë dhe mëshirën e Tij.”

Rituali i agjërimit, i parë në planin teologjik, ka të bëjë me ndërtimin e sistemit të vlerave, me edukimin moral e shpirtëror, me formimin e karakterit devocional të jetës njerëzore. Roli dhe filozofia e këtij rituali ka një karakter edukativ, si në aspektin social, ashtu dhe në atë moral e shpirtëror. Nga pikëpamja e edukimit social, agjërimi ngjall frymën e vërtetë të përkatësisë sociale, të vëllazërisë dhe të barazisë para Krijuesit të gjithësisë. Nga pikëpamja e edukimit moral e shpirtëror, agjërimi nxit dashurinë e sinqertë dhe parimin e devotshmërisë ndaj Allahut.

Agjërimi kultivon tek njeriu virtytin e çiltërsisë shpirtërore, ngaqë individi, kur agjëron, këtë ritual ia kushton Zotit të gjithësisë. Kultivon tek ai një ndjenjë vetëdijeje vigjilente, pasi agjëruesi e mban agjërimin e tij fshehurazi dhe publikisht.

Agjërimi është shprehje e mësimit efektiv për urtësi, si dhe e fuqisë së vullnetit. Individi që e kryen këtë ritual në mënyrë të përpiktë është pa dyshim dikush që mund t’i disiplinojë dëshirat dhe pasionet e tij, që mund t’i mbajë larg ngacmimet instiktive materiale. Ky njeri karakterizohet nga një personalitet dhe karakter i lartë devocional.

Roli edukativ i ritualit të agjërimit është vendimtar. Agjërimi e aftëson njeriun për t’iu nënshtruar urdhrave hyjnore. Agjërimi vendos një ekuilibër midis trupit dhe shpirtit që të qëndrojnë së bashku në ekzistencë të harmonizuar paqësore. Në këtë mënyrë, e mbron dinjitetin e tij dhe lirinë e ndërgjegjes nga vargonjtë e së keqes. Kur njeriu e kryen këtë, ai ka krijuar burimin e pashtershëm të paqes në raport me Krijuesin e tij, me natyrën e tij të brendshme, si dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Profeti (a.s.) thotë: ”Ai që nuk shmang fjalët e ulëta (përgojuese, e shpifëse, qëllimet djallëzore në sjelljet e tij) dhe përdorimin e tyre nuk do ta meritojë shpërblimin e Allahut pse e la ngrënien dhe pirjen.”

Dhe kur flitet për Ramazanin, ai është muaji i simboleve dhe ngjarjeve që ndryshuan rrjedhën e historisë njerëzore.

Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Kur’an, 2:185)

Gjatë këtij muaji është zhvilluar Beteja e Bedrit, ka ndodhur çlirimi i Mekës; simbole historike të triumfit të besimit monoteist ndaj idhujtarisë dhe paganizmit. Në të gjendet Nata e Kadrit, e cila  “është më e rëndësishme se një mijë muaj”.

Të gjitha këto përbëjnë shkak për meditim, për të konceptuar si duhet rëndësinë, vlerat, karakteristikat dhe rolin edukativ të këtij muaji tek personaliteti njerezor.

Si krijesa njerëzore, si besimtarë muslimanë, duhet t’i shfrytëzojmë mirësitë e këtij muaji të bekuar dhe ta vlerësojmë lart madhështinë e kësaj kohe me adhurime të shumta. Allahu i Lartësuar e ka bërë këtë muaj një kohë për adhurim! Duhet t’u kushtojmë më shumë kohë ritualeve të adhurimit dhe kryerjes së veprave të bamirësisë. Me vullnet të plotë duhet të pendohemi gjatë këtij muaji për të gjitha mëkatet tona, t’i përkushtohemi më shumë leximit të Kuranit Famëlartë, t’u vijmë në ndihmë me përkushtim të varfërve, nevojtarëve, jetimëve.

Mirëseardhja sublime për Ramazanin tregon se ky muaj gëzon një pozitë  të lartë në sistemin e jetës islame. Ramazani troket në hapësirën shpirtërore të bashkësisë muslimane të mbarë botes, troket në zemrën dhe familjen e çdo muslimani.

Mirë se erdhe Ramazan, mirë se erdhe muaji i agjërimit! O Zot, na e prano adhurimin tonë!

soap 2 day