Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit bashkëpunues me institucione me perspektiva dhe interesa përkuese, Fondacioni ALSAR ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Nënshkrimi është kryer në selinë e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, në praninë e drejtuesve përkatës, kryetarit të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, dr. Albert Rakipi, dhe kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Të pranishëm ishin dhe znj. Alba Çela, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, dhe z. Saimir Rusheku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit ALSAR.
Memorandumin e nënshkruan znj. Alba Çela dhe z. Mehdi Gurra, të cilët shkëmbyen dhe dokumentin përkatës.
Marrëveshja synon nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik, ideimin dhe realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Nënshkruesit e memorandumit angazhohen institucionalisht për organizime të përbashkëta forumesh, për pjesëmarrje në konferenca, seminare, ngjarje dhe takime akademike, për shkëmbim të literaturës dhe informacioneve, për përkthime dhe botime, për shkëmbime të dyanshme, e për aktivitete dhe publikime të përbashkëta në fushën e kërkimit shkencor.
Institucionet u zotuan përmes memorandumit të ndajnë informacion rreth punës dhe mundësive të reja për zhvillim institucional, e të raportojnë në bordet përkatëse për rezultatet e bashkëpunimit.
Takimi i drejtuesve të dy institucioneve u mbizotërua nga diskutimi i fushave të bashkëpunimit.
Nënshkrimit të memorandumit me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare do t’i paraprinte muaj më parë një shkëmbim vizitash i drejtuesve të institucioneve.
Falë një aktiviteti të gjerë botues, dhe organizimit të konferencave e simpoziumeve të ndryshme me karakter kulturor dhe shkencor, Fondacioni ALSAR ofron bashkëpunim cilësor për institucionet e interesuara.



