Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Logos-A, organizoi në Shkodër, në kuadër të projektit, “Libri, dhurata më e çmuar”, një takim me shkrimtarin Kim Mehmeti

Fondacioni ALSAR organizoi në Shkodër një takim me shkrimtarin e mirënjohur Kim Mehmeti, të pritur e të dëgjuar në sallën e Bibliotekës “Marin Barleti”.

Aktiviteti i së enjtes, paraditen e 11 dhjetorit, në kuadër të projektit afatgjatë të Fondacionit ALSAR, “Libri, dhurata më e çmuar”, u realizua në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup.

Sallën ku u zhvillua aktiviteti e mbushën banorë të qytetit të Shkodrës, të apasionuar pas librit, njohës dhe lexues të veprave letrare të shkrimtarit të ftuar në këtë takim të veçantë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku nënvizoi hovin e Botimeve ALSAR dhe sjelljen te publiku të titujve shumë cilësorë, dalluar veçanërisht për përmbajtjen.

Ai foli për aktivitetin kulturor të ALSAR-it dhe për praninë në Shkodër me organizime të herëpashershme të fondacionit në tre fushat e veprimtarisë së tij.

Shkrimtari Kim Mehmeti, tek e mori fjalën, tha se ndihej i privilegjuar që gjendej në Shkodër. “Nuk është punë e vogël,” tha ai, “të flasësh në ditë me një moment kaq të rëndësishëm, kur këtij qyteti i bëhet dhurata më e çmuar, libri, e këtë e bëjnë dy botues, ALSAR dhe Logos-A, që janë shumë të rëndësishëm për kulturën shqiptare.”

Me gjuhën e tij të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, e të kuptueshme për çdokënd, Kim Mehmeti u ndal në rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, në peshën që ka të shkruarit, e në ruajtjen dhe të kujtesës historike.

Mjeshtri i penës, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për dëgjesën dhe i la vend pas ligjëratës së shkurtër një bashkëbisedimi të kërkuar çiltërsisht.

Aktiviteti përmbante ekspozimin dhe dhurimin e titujve të përzgjedhur nga botimet e ALSAR-it dhe të Shtëpisë Botuese Logos-A.

Për të pranishmit në takimin me shkrimtarin Kim Mehmeti u dhuruan 144 tituj, në një numër të përgjithshëm prej 3000 kopjesh.

Projekti kulturor i Fondacionit ALSAR, “Libri, dhurata më e çmuar”, i shërben pasurimit të bibliotekave vetjake dhe të institucioneve të ndryshme brenda vendit dhe në troje ku flitet shqip.

soap 2 day