Në kuadër të veprimtarive përkujtimore në përvjetorin e nëntë të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, në kryeqytet është mbajtur paneli i titulluar, “Emri i fitores: Turqi”.
Paneli është organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë dhe të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.
Mes pjesëmarrësve në panel është dalluar prania e kryetarit dhe e drejtorit administrativ të Fondacionit ALSAR, të pranishëm një ditë më herët dhe në aktivitetin përkujtues në memorialin me emrat e dëshmorëve të 15 korrikut, ku z. Mehdi Gurra mbajti një fjalë në emër të shoqërisë civile.
Një mesazh nga drejtuesi i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, z. Burhanettin Duran, dhe një material filmik kushtuar 15 korrikut të 2016-s u janë paraqitur ndjekësve të punimeve të panelit.
Atë e ka përshëndetur zëvendësambasadorja e Republikës së Turqisë në vendin tonë, znj. Naime Öztürk Meral, theksuese e rëndësisë së aktivitetit për ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi rrezikshmërinë e FETÖ-s, organizatës përgjegjëse për tentativën e dështuar për grusht shteti nëntë vite më parë.
Panelin e moderoi prof. Yusuf Özkır, shef i departamentit të gazetarisë në Universitetin Medipol në Turqi, dhënës i fjalës për pjesëmarrësit e tjerë në panel.
Panelistët ligjëruan mbi 15 korrikun, mbi ngjarjen dhe rrjedhojat e saj për Turqinë e më gjerë. FETÖ-ja si një strukturë kriminale, ende një kërcënim dhe për vende si Shqipëria, ku e ka praninë të prekshme, mori vëmendjen e duhur dhe kohën e folësve, trajtuar në mënyrë të argumentuar dhe bindëse.
Një pikë kthese për Turqinë ishte cilësimi me të cilën e përmblodhi 15 korrikun diskutuesi turk, asist. prof. Recep Şehitoğlu, nga Universiteti i Gaziantepit.
Mes folësve, prof. Ardian Muhaj kërkoi çlirimin e Shqipërisë nga ndikimi i FETÖ-s, e njëkohësisht i mëshoi përcaktimit se Turqia dhe populli turk janë aleatët më të mirë të shqiptarëve.
Epokaliteti i një ngjarjeje të tillë aq dramatike, efektet në fatet e Turqisë moderne, roli kritik dhe jetik i vullnetit popullor në dështimin e grushtit të shtetit, u diskutuan gjerësisht dhe hollësisht.
Ndërgjegjësimi, vigjilenca dhe angazhimi për të mos lejuar më një përpjekje të ngjashme kërcënuese për rendin kushtetues në Turqi, prerja e çdo mundësie për aktivitet të organizatës gyleniste brenda dhe jashtë Turqisë, e në këtë kontekst, në Shqipëri, përbënë pjesë të temave të trajtuara nga folësit në panel.
Një ekspozitë fotografike u dha të pranishmëve në panel mundësinë për të riparë momente të veçanta dhe domethënëse të 15 korrikut dhe të ditëve pasuese.





