Përvjetori i nëntë i tentativës puçiste në Turqi për të rrëzuar qeverisjen demokratike dhe për të marrë pushtetin me dhunë u përkujtua dhe në Tiranë.
Si në çdo 15 korrik, pranë memorialit të kushtuar të rënëve në atë ngjarje të përgjakshme të vitit 2016 u organizua një ceremoninë nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve turke në vendin tonë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe të kryeqytetit.
Himnet kombëtare të dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë, hapën aktivitetin përkujtues, për t’ua lënë vendin mbajtësve të fjalëve përkatëse.
Duke vënë në pah epopenë e popullit turk në atë moment historik të para nëntë viteve, ambasadori i Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, e vuri theksin te kërcënimi serioz që përbën FETO, organizata terroriste përgjegjëse për tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016, për çdo vend ku ka aktivitet të fshehtë, posaçërisht dhe në Shqipëri, e te rëndësia e luftës ndaj saj.
Në emër të shoqërisë civile, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
“Më 15 korrik 2016, Turqia u përball me një prej sfidave më të mëdha në historinë e saj moderne. Ajo natë solli një përpjekje brutale për përmbysjen e rendit kushtetues, kur një grup puçistësh u ngrit me armë kundër popullit dhe institucioneve të shtetit. Me përdorimin e avionëve luftarakë, tankeve, helikopterëve dhe një arsenali të frikshëm ushtarak, puçistët synuan të rrëzonin qeverinë legjitime dhe të ekzekutonin presidentin e zgjedhur me votë të lirë, Recep Tayyip Erdoğan,” tha z. Gurra.
“Por Turqia nuk u përkul. Pikërisht në orët më të errëta, kur gjithçka dukej e humbur, ndodhi e papritura. Presidenti iu drejtua popullit përmes televizionit, duke i ftuar
qytetarët të dilnin në rrugë, të mbronin demokracinë, lirinë dhe të ardhmen e vendit të tyre. Dhe ata dolën. Miliona njerëz u përballën me plumba, tanke dhe frikë, duke mos lejuar që demokracia të mbytej nga një grusht tradhtarësh. Ata mbrojtën jo vetëm një qeveri, por idealin që e mban të gjallë një komb: lirinë për të vendosur vetë për fatin e tij.
Gjatë asaj nate të zezë, 253 qytetarë u flijuan për atdheun dhe mijëra të tjerë u plagosën. Ata nuk ishin ushtarë profesionistë, por njerëz të thjeshtë, që u bënë heronj me veprën e tyre. Me gjakun e tyre u ndal një tragjedi dhe u mbrojt një demokraci. Ky qëndrim i pathyeshëm i popullit turk u bë një shembull frymëzues për gjithë botën, që e pa me sytë e vet se si guximi dhe bashkimi mund të ndalin edhe armët më të rënda,” vijoi ai.
“Organizata FETO, e cila qëndron pas këtij grushti shteti, u zbulua si një rrjet i rrezikshëm, me veprimtari të fshehtë në çdo segment të shtetit. Nën petkun e një organizate fetare dhe edukative, ajo kishte depërtuar në ushtri, polici, në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet arsimore, duke planifikuar në heshtje rrëzimin e rendit demokratik. Me dështimin e puçit, filloi edhe procesi i pastrimit dhe shërimit të plagëve që kjo organizatë kishte shkaktuar brenda shoqërisë turke.
Por rreziku nuk ishte vetëm brenda kufijve të Turqisë. Tentakulat e kësaj organizate ishin shtrirë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Nëpërmjet rrjeteve të shkollave, universiteteve, bizneseve dhe mediave, struktura gyleniste kishte arritur të ndërtojë një prezencë të konsiderueshme edhe në vendin tonë.
Shqipëria, fatkeqësisht, numëron një nga përqendrimet më të mëdha të kësaj organizate në rajon.
Veçanërisht shqetësues është roli i FETO-s në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku është vërejtur një ndërhyrje e drejtpërdrejtë që ka cenuar thellësisht pavarësinë dhe balancën institucionale të këtij komuniteti. Medresetë dhe Universiteti Bedër përmenden si pjesë e këtij ndikimi, i cili ka ndikuar jo vetën jetën fetare të besimtarëve, por edhe në harmoninë tradicionale ndërfetare që e ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë. Për herë të parë në historinë moderne të shtetit shqiptar, një komunitet fetar drejtohet në mënyrë të hapur nga një rreth me struktura të mbyllura, që ndjek agjenda të huaja dhe jo interesin e besimtarëve shqiptarë.
Në këtë situatë, nuk mund të qëndrohet indiferent. Është detyrë e institucioneve shqiptare që të vlerësojnë me seriozitet këto zhvillime dhe të mbrojnë vlerat e shoqërisë shqiptare, vlera që bazohen në tolerancë, pavarësi dhe ruajtje të harmonisë fetare. Nuk
është çështje politike, por kombëtare. Ajo që ndodhi në Turqi më 15 korrik është një kujtesë e dhimbshme për pasojat e mosvëmendjes ndaj strukturave që veprojnë në heshtje, por godasin fort kur gjejnë terren të përshtatshëm.
Shqiptarët e kanë ndjerë gjithmonë afërsinë me popullin turk. Në ditët më të vështira, si dhe në ditët e triumfit, ata kanë ndarë dhimbje dhe gëzim. Nuk është thjesht një miqësi politike, është një lidhje që vjen nga historia, nga respekti i ndërsjellë dhe nga vlerat e përbashkëta që bashkojnë dy kombe. Një Turqi e qëndrueshme, demokratike dhe e fortë, është një aleat i çmuar për Ballkanin dhe shqiptarët. Populli shqiptar, i lidhur si vëllai me vëllanë me popullin e madh turk, të jetë përherë përkrah tij në përpjekjet e përbashkëta për liri, demokraci e prosperitet.
Fondacioni ALSAR, një institucion i angazhuar në thellimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke, nderon me respekt të thellë dëshmorët e 15 korrikut. Si çdo vit nga 2016-ta, ai përkulet me mirënjohje përpara kujtimit të 253 heronjve që dhanë jetën për lirinë e popullit të tyre. Lutja dhe dëshira e përbashkët e të gjithë atyre që ndajnë vlerat e demokracisë dhe lirisë është e qartë: kurrë më një 15 korrik i tillë për popullin mik turk!”, qenë fjalët e përzgjedhura të z. Mehdi Gurra.
Lutje dhe këndim të vargjeve kur’anore iu kushtuan dëshmorëve të 15 korrikut, aktit të tyre sublim, të dhënies së jetës për të mos e lënë Turqinë të rrëshqasë në anarki dhe në dhunë puçiste.
Pamjet fotografike të ekspozuara në ceremoni risollën të gjallë realitetin tragjik dhe njëkohësisht reagimin historik të popullit turk në të njëjtën ditë të nëntë viteve më parë.
Karafila të kuq u vendosën në memorialin me emrat e dëshmorëve të 15 korrikut.









