Prishtina bëhet ndalesa e radhës e ekspozitës “Tirana 100 vjet kryeqytet”

Fondacioni “ALSAR” e ka bartur në një tjetër shesh “Skënderbej”, në një tjetër kryeqytet të shqiptarëve, ekspozitën e kushtuar 100 viteve të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë. Stendat e ekspozitës “Tirana 100 vjet kryeqytet” kanë mbushur sot sheshin “Skënderbej” të Prishtinës, për të qëndruar aty për dy ditë, më 16 dhe 17 dhjetor, aq sa ç’është menduar për t’u ekspozuar, pasi do të shëtisin dhe në qytete të tjera të hapësirës shqiptare. Interesim i kënaqshëm është treguar për ekspozitën e Fondacionit “ALSAR” dhe ceremoninë e përurimit të saj në Prishtinë. Qytetarët kosovarë kanë ndjekur me vëmendje fjalët përshëndetëse, për të parë më pas përmes fotografive historinë e përmbledhur të kryeqytetit të shtetit amë. Përurimi i ekspozitës u bë nën kujdesin e Fondacionit “ALSAR” dhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës. “Falë ekspozitës ne kemi mundësi të shohim pamje nga e kaluara e Tiranës, nga historia e saj, nga të gjitha veçantitë etno-kulturore specifike që kishte dikur, por dhe transformimin e saj përgjatë një shekulli”, u shpreh drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi. “Për ne, si institut, është nder që të kujtojmë këtë ngjarje shumë të rëndësishme (100-vjetorin e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë)”, tha ai për mjetet informative që e ndoqën aktivitetin. Nga ana e tij, kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, vuri në dukje se Tirana i përket të gjithë shqiptarisë, duke bërë dhe një përshkrim të përmbajtjes së fotografive të ekspozitës dhe të ngjarjeve që ato përcjellin. Të gjetura dhe me domethënie ishin fjalët e tij se, “Njëqindvjetori i Tiranës si kryeqytet nuk i përket vetëm Shqipërisë, nuk është përvjetor për t’u përkujtuar vetëm në Tiranë.” “Tirana është kryeqytet dhe për atë që vjen nga Prishtina, nga Shkupi a Ulqini, si një mirëpritëse e çdo shqiptari.”Ekspozimi në Prishtinë, dhe më tej dhe në qytete të tjera, i fotografive të kushtuara 100 viteve të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë shpalos edhe një herë karakterin kombëtar të veprimtarisë së Fondacionit “ALSAR”. Bërja e kësaj ekspozite dhe shëtitja e saj në këtë kohë pandemie dhe kufizimesh të jetës normale flet po ashtu qartë për ngulmimin e “ALSAR”-it në përmbushjen e objektivave dhe të misionit që i ka vënë vetes. Ekspozita në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës do të jetë e vizitueshme gjatë këtyre dy ditëve mes orëve 11:00-16:00. Më pas ajo do të vazhdojë udhëtimin e saj, për ta treguar historinë e Tiranës në të tjera vendndalime.

soap 2 day