Tag Archives: aktivitet humanitar

Ndër veprimtaritë humanitare të këtij muaji dhe dhënie fidanësh ulliri për familje jetimësh.

Në hovin e aksionit humanitar përgjatë muajit të Ramazanit, një prej veprimtarive të para në nisje të tij ishte dhe dhurimi i dhjetëra fidanëve për familje të jetimëve.

Shpërndarja e këtyre fidanëve të ullirit do të bëhej në fshatin Varosh, në të dalë të kryeqytetit.

Për familje të jetimëve u dhanë 30 fidanë ullinjsh, me pjesëmarrjen në aktivitet dhe të përfaqësuesve të entit dhurues.

Kështu, ndihmën e bëri të mundur mbështetja nga Send A Little Hope, një organizëm humanitar me qendër në Britani.

Fondacioni ALSAR ka një program të ngjeshur humanitar gjatë Ramazanit; projekte që realizohen në bashkëpunim të ngushtë me organizata dhe shoqata partnere përgjithësisht ndërkombëtare.

Zhvillohet në Tiranë aktiviteti i shpërndarjes së ndihmave ushqimore nga TİKA dhe Fondacioni ALSAR.

Me hyrjen e muajit të begatë të Ramazanit, ashtu si në vitet e shkuara, në pallatin e sportit “Farie Hoti” në kryeqytet është zhvilluar aktiviteti i shpërndarjes së pakove me ushqime për familje të fëmijëve jetimë.

Shpërndarjes i ka paraprirë një ceremoni, me pjesëmarrjen e ambasadorit turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, koordinatorit të TİKA-s, z. Mustafa Ata, dhe kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Ceremonia iu kushtua një aksioni të gjerë humanitar gjatë këtij muaji të mbështetur nga TİKA, Agjencia Turke për Bshkëpunim dhe Koordinim, dhe të shtrirë në të katër anët e vendit.

Ramazani dhe fryma e tij përbashkuese zunë vend në fjalën e përfaqësuesit diplomatik të Turqisë në Shqipëri, z. Tayyar Kağan Atay, vënës në pah i vëllazërisë së dy popujve.

Ai u tha të ardhurve në aktivitet se ndihma në pako ushqimore është në shenjë të dashurisë së popullit turk për ta.

Kryetari i Fondacionit ALSAR u ndal, tek mori fjalën, në bashkëpunimin me TİKA-n në ndihmë të shtresave në nevojë. Z. Gurra u shprehu falënderimet Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe TİKA-s për këtë kontribut humanitar.

Shpërndarja e pakove me ushqime do të pasonte fjalët përshëndetëse. Për familje të jetimëve u dhanë 900 pako.

Ky projekt i koordinuar humanitar parashikon shpërndarjen e 3500 pakove ushqimore përgjatë Ramazanit.

Ka nisur zbatimi i projektit humanitar të shpërndarjes së pakove ushqimore në Ramazan me mbështetjen nga TİKA.

Në kuadër të aktiviteteve humanitare që zhvillohen gjatë tërë muajit të Ramazanit, dhe të ditëve të solidaritetit human, prej së hënës po vihet në zbatim një projekt i gjerë ndihme për familjet e jetimëve dhe shtresat në nevojë.

Me një traditë shumëvjeçare tashmë, ky projekt ka mbështetjen e TİKA-s, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Ndihmën e gjerë me pako ushqimore do ta përfitojnë 3500 familje në thuajse tërë qytetet e Shqipërisë.

Shpërndarja, si një aksion i përbashkët me Fondacionin ALSAR, filloi të hënën drejt veriut të vendit, nga Fushë-Kruja në Thumanë, Mamurras, Lezhë, Shkodër dhe Koplik.

Pako me artikuj bazë ushqimorë u dhanë për 260 familje.

Një ceremoni do të ketë të mërkurën në Tiranë kushtuar kësaj veprimtarie humanitare, shoqëruar dhe me shpërndarje të ndihmës ushqimore.

Në fshatin Zhamë të Lushnjës shpërndahen ndihma ushqimore.

Në kuadër të afrimit të Ramazanit dhe të nisjes së ditëve të solidaritetit human gjatë këtij muaji, aktiviteti humanitar i Fondacionit ALSAR ka vijuar në fshatin Zhamë, në Lushnjë.

Mes interesit të madh të banorëve në zonë, për njerëz e familje në nevojë u shpërndanë të shtunën 200 pako me artikuj bazë ushqimorë.

Realizimi i shpërndarjes së kësaj ndihme u bë i mundur me mbështetjen e organizatës humanitare IHH me qendër në Holandë.

Ky ishte vetëm kontingjenti i parë i ndihmave ushqimore të mundësuara nga kjo organizatë.

IHHNL do të kontribuojë me kontingjente të tjera të ndihmave ushqimore për shtresat në nevojë gjatë muajit të Ramazanit.

ALSAR ka një bashkëpunim të shtuar në Ramazan me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët koordinohen shumë veprimtari humanitare.

ALSAR-i dhe TİKA japin farëra bujqësore për familje jetimësh

Fondacioni ALSAR dhe TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, kanë zhvilluar një veprimtari të përbashkët humanitare në ndihmë të 50 familjeve të fëmijëve jetimë.

Me synimin për të kontribuar në rritjen e ekonomisë së këtyre familjeve, në Lushnjë janë shpërndarë farëra bujqësore dhe plehra kimike.

Ndihmën e përbërë nga farëra misri, jonxhe dhe fasuleje e kanë përfituar 26 familje, që bashkë me to kanë marrë dhe pleh kimik.

Çdo familje ka marrë një sasi të përgjithshme ndihme bujqësore prej 220 kg.

Në aktivitetin e dhurimit ishte i pranishëm ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, përshëndetës dhe me një fjalë të shkurtër.

Ai vuri në pah miqësinë mes dy popujve, angazhimin humanitar në ndihmë të shtresave në nevojë, si dhe foli për projektet e TİKA-s në fushën e bujqësisë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR theksoi rëndësinë e projektit, si një mundësi e dhënë për shfrytëzimin e tokës bujqësore. Projekti, tha z. Mehdi Gurra, flet për vijimësinë e ndihmës së popullit turk, dhënë për jetimët dhe familjet shqiptare në nevojë përmes TİKA-s.

Të premten do të shpërndahet në Tiranë ndihma në farëra bujqësore dhe plehra kimike e dedikuar për 24 familje.

Nis vargu i veprimtarive humanitare me afrimin e Ramazanit, shpërndahen ndihma ushqimore në fshatrat Shupal dhe Pajan të Tiranës.

Pragu i Ramazanit lajmëron si për çdo vit fillimin e një vargu të gjatë veprimtarish humanitare të Fondacionit ALSAR në ndihmë të shtresave në nevojë.

Aktivitete të shumta organizohen në bashkëpunim dhe në bashkërendim me partnerë vendas dhe të huaj, shoqata, organizata dhe individë të angazhuar në fushën humanitare.

Fushata ka nisur të shtunën, për të vijuar dhe të dielën, me shpërndarje të ndihmave ushqimore.

Në fshatin Shupal është shpërndarë një sasi prej 100 pakosh me artikuj bazë ushqimore. Në Pajan, një tjetër fshat i Tiranës, është ndarë e njëjta sasi ndihme, 100 pako ushqimore për nevojtarët.

Aktivitetin e kanë shoqëruar vizita në shtëpi të banorëve me aftësi të kufizuar apo të sëmurë, ndihmuar gjithashtu me pako me ushqime.

Dhënien e kësaj ndihme e mundësoi organizmi humanitar me qendër në Britani, Send A Little Hope.