Tag Archives: aktivitet humanitar

Veshmbathje për paraplegjikët dhe tetraplegjikët në Shkodër

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar në qytetin e Shkodrës në mbyllje të javës së parë të qershorit aktivitetin humanitar të dhurimit të veshmbathjeve për pjesëtarë të shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.

Veshmbathjet u shpërndanë në mënyrë të organizuar për 400 përfitues, të gjithë të pritur e të ndihmuar gjatë veprimtarisë në një ambient të hapur.

Realizimin e projektit e mundësoi mbështetja nga HASENE, organizata e ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani.

Kontributi nga HASENE pason atë të dhënë në ditët e Kurban Bajramit nga i njëjti partner i ALSAR-it për zhvillimin e aktiviteteve të ngjashme humanitare.

Shtresa në nevojë vijojnë të përfitojnë nga bashkëpunimet frytdhënëse të Fondacionit ALSAR me ente partnere ndërkombëtare. Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë të Shkodrës janë ndër përfituesit periodikë nga projektet humanitare të ALSAR-it të zhvilluara kohë pas kohe në këtë qytet.

Dhuratat e Kurban Bajramit për jetimët, veshmbathje dhe ndihma financiare e zekatit

Në mjediset e Fondacionit ALSAR u realizua në mesjavë një prej projekteve humanitare të dedikuara ditëve të Kurban Bajramit.

Në kuadër të festës dhe të kujdesit të pandërprerë për jetimët, u krye dhënia e dhuratave për një numër të madh fëmijësh.

Në dhuratat përfshiheshin veshmbathje dhe ndihma financiare e zekatit, ndërsa zhvillimi i aktivitetit u bë i mundur nga mbështetja e WEFA-s, organizatës së ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani.

Përfaqësues të këtij organizmi partner të Fondacionit ALSAR morën pjesë në dhënien e zarfeve me ndihmën financiare të zekatit për 100 fëmijë jetimë.

Shumë më tepër e morën dhuratën në veshmbathje. Paketimet me veshmbathje iu dhanë 240 jetimëve.

Me një traditë të konsoliduar mirë të lumturimit të fëmijëve jetimë në festa, bajrame, Fondacioni ALSAR çon përpara misionin e tij humanitar dhe fisnikëron më tej aktivitetin.

Dhurohet mish kurbani për njerëz në nevojë në njësinë administrative Çërravë në Pogradec dhe në Librazhd

Puna në Fondacionin ALSAR nuk ka njohur ndërprerje në këto ditë të Kurban Bajramit, me angazhim kryesor shpërndarjen e mishit të kurbanit te shtresat në nevojë në pjesë të ndryshme të vendit.

Midis kontribuesve për zhvillimin e këtij aktiviteti humanitar është renditur dhe WEFA, organizata e ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani.

Ky partner i ALSAR-it e ka ofruar mbështetjen me 80 kurbanë, të ndarë në 320 pako si ndihmë për nevojtarë në dy vendndalime.

Pjesa më e madhe e pakove me mish kurbani, 300 prej tyre, janë shpërndarë në njësinë administrative Çërravë të Pogradecit.

Për jetimë e familje në nevojë të Librazhdit janë dhuruar 20 pako nga ky mish kurbani.

Devotshmëria, sakrifica dhe solidariteti i përshkojnë këto ditë feste; mishi i dhuruar përmban në të ndihmën e prekshme dhe simbolikën e fuqishme të Kurban Bajramit.

Dhurimi i mishit të kurbanit, përfitues të shumtë në shtresat në nevojë

Kurban Bajramin, festën e sakrificës dhe solidaritetit njerëzor, e ka shoqëruar si tradicionalisht në Fondacionin ALSAR shpërndarja e mishit të bagëtive të flijuara.

Partnerë të ALSAR-it kanë mundësuar një numër aktivitetesh në këtë kuadër, që nga bërja e kurbanëve në dhurimin e mishit të tyre.

HASENE, organizata e ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani, ka kontribuar me 280 kurbanë, të shpërndarë në 1120 pako për shtresa në nevojë.

Ndarë në katër destinacione, mishin e kurbanit e kanë përfituar në Tiranë 450 jetimë.

Në Delvinë është bashkëpunuar me bashkinë e qytetit për dhurimin e 500 pakove me mish kurbani.

Sasia e ndarë në Shkodër përbëhej nga 150 pako për anëtarë të shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.

Pako për 20 famlje jetimësh u shpërndanë dhe në Librazhd.

Përfaqësues të entit kontribues, HASENE-së, kanë qenë të pranishëm në procesin shpërndarës.

Përmes kësaj ndihme humanitare u bë e mundur që gëzimi i festës të ndihet ndër njerëz në nevojë, e ata të përfitojnë nga fryma e veçantë solidarizuese e Kurban Bajramit.

Aktiviteti humanitar në Kurban Bajram, shpërndarje masive veshmbathjesh

Kurban Bajrami është pritur dhe përjetuar si për çdo vit në Fondacionin ALSAR me një varg aktivitetesh humanitare, për t’iu gjendur pranë shtresave në nevojë dhe për të përçuar në mjedisin social solidaritet dhe gëzim.

Më i pari aktivitet mes tyre ka qenë shpërndarja e një sasie të madhe veshmbathjesh falë mbështetjes nga HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani.

Një pjesë e konsiderueshme e saj është dhuruar për 400 jetimë në kryeqytet nën kujdesin e Fondacionin ALSAR.

Po në Tiranë, ndihmën humanitare e kanë përfituar 100 pjesëtarë të shoqatës së pensionistëve.

Përfitues të veshmbathjeve kanë qenë dhe 100 anëtarë të shoqatës “Shpresa për Jetën”.

Kjo ndihmë në veshmbathje u shpërndarë në Elbasan për 200 jetimë dhe pjesëtarë të shoqatës së fëmijëve me aftësi ndryshe.

Në bashkëpunim me bashkinë u realizua në Cërrik dhurimi i 300 paketimeve me veshmbathje për familje në nevojë.

Mirënjohja dhe falënderimi për veshmbathjet e dhuruara e shoqëroi aktivitetin kudo u zhvillua.

Aktivitet humanitar në Elbasan, dhurohen koshere bletësh për dy familje jetimësh

Në kuadër të realizimit të projekteve humanitare të Fondacionit ALSAR që u vijnë në ndihmë jetimëve dhe familjeve të tyre, një aktivitet është zhvilluar në Elbasan në fillimin e kësaj jave.

Për dy familje jetimësh janë dhuruar dhjetë koshere bletësh; një ndihmë me ndikim pozitiv afatgjatë në përmirësimin e ekonomisë shtëpiake.

Në aktivitetin dhurues kanë marrë pjesë përfaqësues të entit që e mundësoi atë, “Send a Little Hope”, organizatës bamirëse me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky ishte aktiviteti i dytë i këtillë brenda pak javësh, pas atij të zhvilluar në Gramsh në fillim të këtij muaji.

Ndërsa jetimët mbeten një përparësi e pandryshueshme e ndihmës humanitare të Fondacionit ALSAR, kontributet për familjet e tyre synojnë t’ua lehtësojnë përballimin e jetesës dhe ta bëjnë më të begatë mjedisin ku ata rriten.