Në atmosferën festive të Kurban Bajramit, dhe në kuadër të aktivitetit të tij humanitar, Fondacioni ALSAR ka realizuar projektin e dhurimit të bletëve dhe të koshereve për familje jetimësh.
Nëpërmjet këtij projekti, dhe të ngjashmëve, kërkohet të ndihmohet në mënyrë të prekshme dhe me ndikim afatgjatë ekonomia e familjeve të jetimëve.
Projekti i vjen në ndihmë të drejtpërdrejtë zhvillimit të mikrobiznesit familjar, prej nga mund të përmirësohen kushtet e jetesës dhe të sigurohen të ardhura të qëndrueshme.
Këtë projekt të parë në fushën e bletarisë e mbështeti organizata IHH me qendër në Holandë, e pranishme gjatë këtyre ditëve dhe me kontribute të tjera humanitare.
Për ndihmën me koshere dhe bletë u përzgjodhën dy familje përfituese, një në Belsh dhe një tjetër në rrethinat e Elbasanit.
Për familjet e jetimëve u dhuruan në tërësi 60 koshere, nga të cilat 30 me bletë dhe 30 të tjera pa bletë; këto të fundit për t’u mbushur në kohën e shumimit të bletëve.
Ndihma për jetimët dhe familjet e tyre mbetet përparësi e vazhdueshme për Fondacionin ALSAR. Mbështetja në forma e mënyra të reja tregon seriozitetin e vëmendjes ndaj tyre.