Tag Archives: Humanitare

Veprimtari humanitare në Shkodër, iftar dhe ndihma ushqimore për njerëz në nevojë

Në kuadër të muajit të Ramazanit dhe të frymës solidarizuese që e bashkëshoqëron atë pashmangshmërisht, Fondacioni ALSAR po realizon projekte të shumta humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.

Kjo ndihmë po jepet në bashkëpunim me partnerë të fondacionit, kontribues dhe mundësues të aktiviteteve humanitare në qytete e fshatra të Shqipërisë.

ADEMDER, shoqata me qendër në Turqi, bëri të mundur zhvillimin në fundjavë të dhurimit të një sasie të konsiderueshme ndihme ushqimore dhe të shtrimit të një iftari e të shpërndarjes së paketimeve me ushqim të parapërgatitur për iftar.

Në qytetin e Shkodrës u shpërndanë 200 pako me ushqime për anëtarë të Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve e për familje në nevojë.

U shtrua gjithashtu një iftar dhe u shpërndanë paketime me ushqim të parapërgatitur për iftar. Kjo ndihmë me paketime iftari do të vijojë të shpërndahet dhe këtë të hënë, ndërsa tërë aktiviteti i këtij kontributi të lidhur me iftaret është i destinuar për 500 persona.

Angazhimi i ALSAR-it për t’ua bërë sa më të ngrohtë e më të përjetuar këtë Ramazan dhe më nevojtarëve do të sjellë të tjera aktivitete humanitare në ditët e ardhshme.

Aktivitet i pandërprerë humanitar, pakot me ndihma ushqimore mbërrijnë dhe shpërndahen dhe në Gramsh, Dimal, Roskovec, Patos, Berat, Poliçan e Çorovodë

Fondacioni ALSAR po zhvillon veprimtari të njëpasnjëshme në ndihmë të shtresave në nevojë në kuadër të ditëve të solidaritetit human në Ramazan.

Është në traditën e tij ta intensifikojë punën në muajin e agjërimit dhe ta shtojë shumë numrin e nevojtarëve të ndihmuar aty ku është më e domosdoshme.

Me kontributin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, po shpërndahen prej fillimit të Ramazanit ndhma ushqimore për familje të jetimëve.

Nga ky bashkëpunim kanë përfituar familje të tëra në shumë qytete e lokalitete, ndërsa radha e shpërndarjes ka qenë në segmentin Gramsh, Dimal, Roskovec, Patos, Berat, Poliçan dhe Çorovodë.

Ndihmën në ushqime, dhënë me bujari dhe pritur me mirënjohje, e kanë marrë 200 familje.

Ky projekt i gjerë ndihme do të vijojë realizimin e plotë dhe në ditët në vijim, duke e përçuar ngado solidarizimin me më nevojtarët në një muaj të tillë të begatë.

Solidariteti human në muajin e agjërimit, banorë të fshatit Gërmenj në Rrogozhinë marrin ndihmë ushqimore

Harta e aktiviteteve humanitare të Fondacionit ALSAR në këtë Ramazan zgjerohet ditë pas dite me të tjera vende të shkelura, me të tjerë njerëz të ndihmuar.

Shtresa në nevojë po ndiejnë praninë e ndihmës njerëzore dhe ngrohtësinë e krijuar vetvetishëm prej këtij muaji të begatë.

Partnerë ndërkombëtarë të ALSAR-it po kontribuojnë në dhënien e ndihmës ushqimore, aq të nevojshme për mijëra familje në kushte jo të mira jetese anembanë vendit.

Në këtë kuadër, pako me ushqime u shpërndanë dhe në fshatin Gërmenj të Rrogozhinës. Ndihma e dhënë aty përbëhej nga 80 pako me artikujt kryesorë ushqimorë.

Ndihmën dhe veprimtarinë shpërndarëse i mundësoi organizata humanitare UKIM (UK Islamic Mission), me qendër në Britaninë e Madhe.

Fondacioni ALSAR do të zhvillojë gjatë tërë këtij muaji aktivitete të shpërndarjes së ndihmës ushqimore.

Ndihma e dedikuar në këtë muaj për familje jetimësh, pako ushqimore jepen në Librazhd, Përrenjas, Pogradec dhe Korçë

Fondacioni ALSAR ka vijuar shpërndarjen e ndihmës ushqimore në këtë muaj Ramazani për familje të jetimëve në qytete të ndryshme të vendit.

Nga ky kontingjent ndihme, radhën e kanë patur për të përfituar banorë të Librazhdit, Përrenjasit, Pogradecit dhe Korçës.

Kamioni me pakot ushqimore e ka përshkuar këtë segment në mesjavë, ndalur në të katër vendmbërritjet dhe pritur me mirënjohje.

Ndihmën në ushqime e kanë marrë një numër i përgjithshëm prej 200 personash.

TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, e ka mundësuar këtë aktivitet të gjerë humanitar në muajin e agjërimit.

Ndihma ushqimore për familje jetimësh do të shpërndahen dhe në ditët në vazhdim përmes bashkërendimit midis Fondacionit ALSAR dhe TİKA-s.

Shtrim iftari dhe dhënie e paketimeve me ushqim për iftar, aktivitete në Kukës dhe Tiranë

Ndër aktivitetet e mirënjohura humanitare të Fondacionit ALSAR në Ramazan është shtrimi i iftareve dhe dhënia e ushqimit të parapërgatitur e të paketuar për iftar.

Banorë në vendin e organizimit të një aktiviteti të tillë, besimtarë, shtresa në nevojë, etj., thirren në tryezat e shtruara për ta apo për të marrë ushqimin e përgatitur për familjet e tyre për iftar.

Përveçse humanitar, ky aktivitet mbart dhe ndikim social, duke ndihmuar në afrimin e njerëzve dhe të përjetimit të përbashkët të mbylljes së agjërimit ditor.

Në këtë kuadër është bërë dhe zhvillimi i këtyre aktiviteteve në Kukës dhe Tiranë në fundin e javës së lënë pas.

Aktivitetet i përkisnin realizimit të projektit të shtrimit të iftareve për 600 persona me mbështetjen nga organizata IHH me qendër në Holandë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR dhe përfaqësuesi i IHHNL-së ishin të pranishëm në iftarin e shtruar në fundjavë.

Përgjatë Ramazanit do të ketë në vazhdimësi aktivitete të ngjashme të zhvilluara përmes bashkëpunimeve të tilla.

Në tre fshatra të Lushnjës shpërndahen pako me ushqime në kuadër të aktivitetit humanitar në Ramazan

Fondacioni ALSAR nuk ka njohur pushim as këtë të dielë, në ditën e parë të marsit. Aktivitet humanitar është zhvilluar në Lushnjë, në tre fshatra.

Pako me ushqime u shpërndanë në Zhamë, Çermë dhe Thanasaj për familje në nevojë.

Ndihma ushqimore e shpërndarë përbëhej nga 234 pako.

Ky ishte kontingjenti i dytë i ndihmave ushqimore të dhëna për shtresa në nevojë në kuadër të muajit të Ramazanit me kontributin e organizatës IHH me qendër në Holandë.

Përfaqësuesi i IHHNL-së mori pjesë aktive në shpërndarjen e pakove për banorët e këtyre fshatrave.

Bashkëpunimet e Fondacionit ALSAR me partnerë ndërkombëtarë dhe donatorë të ndryshëm garantojnë realizimin e projekteve humanitare përgjatë tërë muajit të begatë të Ramazanit.

soap 2 day