إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ – Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi; Fondacioni ALSAR humbet bashkëpunëtorin Abdi Baleta

Bota shqiptare është më e varfër sot me kalimin në botën tjetër të një prej penave më produktive të publicistikës së epokës postkomuniste, pluraliste, demokratike.

Abdi Baleta ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur të aktivitetit publicistik, të përkushtimit të plotë ndaj ideve dhe projeksioneve nacionale.

Diplomati i para ’90-s u dallua si ndër protagonistët dhe ekspertët më të spikatur të Partisë Demokratike në fillimet e saj. Formimi dhe elokuenca e Abdi Baletës e veçuan atë në veprimtarinë parlamentare të viteve të para të sistemit të ri shumëpartiak. I pamësuar të lëshonte pe në bindjet e tij, ai provoi dhe rrugë të reja për sa kontribuoi cilësisht në politikë.

Tërheqja pa zhurmë nga arena e spektaklit politik i siguroi Abdi Baletës mundësinë për t’iu dhënë tërësisht publicistikës, ku shkëlqeu me integritetin parimor dhe karakterin jokonformist.

Mbrojtja e gjithçkaje kombëtare, zëri i ngritur për Kosovën, qëndrimi i palëkundur kundërvënës ndaj islamofobisë dhe qasja bindëse se Islami i ruajti shqiptarët nga sllavizimi dhe helenizimi i dhanë Abdi Baletës vlerësimin dhe respektin e merituar.

Fondacioni ALSAR i botoi të ndjerit serinë e plotë publicistike, prej 36 veprash, përfshirëse të një vargu të gjatë temash kombëtare të trajtuara gjerësisht dhe imtësisht.

ALSAR u përcjell më së pari ngushëllime bashkëshortes dhe dy vajzave të Abdi Baletës, më pas të afërmve dhe miqve të tij, rrethit në të cilin e ushtroi aktivitetin dhe të gjithë atyre që ia çmuan veprimtarinë dhe fjalën.

Lutjet e ALSAR-it janë për të!

soap 2 day