Botimet ALSAR nxorën nga shtypi tre libra të autorit turk Adem Özköse, “I burgosuri”, “Udhëtimi” dhe “Autostop në xhennet”.
Gazetar për nga profesioni, ndjekës nga afër i krizave dhe luftërave në rajone të ndryshme, me përvoja dhe dramatike në punën e tij, Adem Özköse i ka shkruar këto libra për të rrëfyer realitetet ku është gjendur, historitë që ka dëgjuar, për të përcjellë përjetimet në udhëtimet e shumta nëpër botë.
“Ajo që kaluam pas rrëmbimit,” shkruan ai, për shembull, tek ‘I burgosuri’, ku tregon peripecitë e tij në Siri dekadën e shkuar, “në burgun e nëndheshëm, na njohu me një botë tërësisht të re. Ishte një botë e atillë që shpesh na bënte të turpëroheshim nga të qenit njeri…. E vetmja mënyrë për të mbijetuar në një burg nëntokësor ku mbizotëronte e keqja dhe tirania, ishte përqafimi i besimit dhe shpresës.”
Me botë të pasur shpirtërore, ai shkon përtej gazetarit në libër, duke përçuar emocione të vazhdueshme dhe duke krijuar ndjesi të ndryshme te lexuesi.
“Esir”, “Sefer” dhe “Cennete otostop”, në titujt origjinalë në turqisht, janë mes librave më të shitur të autorit, të sjellë mirë në shqip.
