2021, aktivitetin tonë kulturor e mbizotëroi nxjerrja e botimeve të reja

Botimet ALSAR po zënë me kalimin e kohës gjithnjë e më tepër vend në veprimtarinë e fondacionit, rrjedhojë e përqendrimit të shtuar tek to dhe e kërkesës në rritje të publikut për të marrë në dorë botime kësodore.

Viti 2021 nuk bëri përjashtim nga ky fenomen i dekadës së fundit në veprimtarinë e ALSAR-it. Njëzet e pesë tituj të rinj, të tematikave të ndryshme, iu shtuan qindra botimeve të tjera pararendëse, si pasurues të bibliotekave dhe tregues të rëndësisë së librit në Fondacionin ALSAR. Histori, studime, letërsi, kulturë, gjuhësi, ribotime, botime anastatike, përkthime, teologji… libra për çdo lexues.

“Doracak gjeografik: Shqipëria”, “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”, “Kullat e sahatit në Shqipëri”, “Jeta muslimane shqiptare”, “Reformat në Perandorinë Osmane dhe shqiptarët (1792 – 1876)” spikatën fort mes tyre.

Në radhë i erdhën gjithashtu publikut, “Raporti i veprimtarive të Fondacionit ALSAR”, “Pushkini: Jeta dhe veprat”, “Xhelaludin Rumi: Jeta dhe vepra”, “Dasma tiranase”, “Shkolla e Mjekësisë”, “Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme”, “Bashkëudhëtari im i Ramazanit”, “Grekët në çdo epokë (Les grecs a toutes les époques – De la plume d’un ancien diplomate” “Her devirde yunanlılar – Eski bir diplomatın kaleminden)”, “Mevludi Sherif”, “Gruaja dhe familja në dyzet hadithe”, “Horizonte etnokulturore, “Alkimia e shpirtit në epokën e tejmodernizmit”, “Udhëtimi i shenjtë – Jeta e Pejgamberit tonë, Hz. Muhammedit (s.a.v.)”, “Fjalori i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe”, “Islami – Liria për të shërbyer”, “Romët (ciganët), këta njerëz të çuditshëm”, “Kërkim në botën e imanit”, “Shtegtim me vargje”, “Mevludi” (në boshnjakisht) dhe “Tregimet e Tironës”.

Autorë të ndryshëm patën fatin kështu ta shohin punën e tyre të botuar në mënyrë të mrekullueshme në qindra kopje; të tjerë të ikur prej kohësh nga kjo jetë u kujtuan dhe u nderuan sërish nëpërmjet Botimeve ALSAR.

Gjithçka tjetër kulturore në veprimtarinë tonë gjatë vitit të kaluar ishin përurimet e ekspozitave, pritjet e personaliteteve të ndryshme dhe vizitat në institucione brenda dhe jashtë vendit, dhurimet e literaturës, të botimeve tona, reagimet publike, qëndrimmbajtëse, pjesëmarrjet në veprimtari (dhe përkujtimore), pjesëmarrjet në panaire librash, etj.

ALSAR-i e mbarti në janar në Tuz dhe Ulqin të Malit të Zi ekspozitën fotografike për njëqindvjetorin e Tiranës si kryeqytet; një aktivitet i mirëpritur për banorët e atjeshëm dhe për drejtuesit vendorë.

Kurset e artit për fëmijë të Galerisë “Hoti” në Plavë u mbështetën me dhurimin në prill nga Fondacioni ALSAR të bazës materiale për to.

Botimet ALSAR u paraqitën në panairet e librit në Shkup dhe Tiranë, duke qëndruar me sukses krah më krah shtëpive më të njohura botuese dhe me aktivitet mjaft të kahershëm. Në realizim të projektit afatgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”, institucione në Elbasan dhe Cërrik morën dhuratë në nëntor dhjetëra tituj nga botimet tona.

Programi fetaro-kulturor i organizuar nga ALSAR-i në muajin e Profetit Muhamed u prit ngrohtë në Cërrik, Ulqin dhe Tuz.

Fondacioni ALSAR mori pjesë në shtator, në Stamboll, në takimin themelues të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame; në të njëjtin muaj u nderua me certifikatë mirënjohjeje në Kongresin e 5-të Ndërkombëtar të Materialeve dhe Polimereve në Burdur, Turqi.

Në ekuilibër dhe harmoni me aktivitetin humanitar dhe arsimor, veprimtaria kulturore i dha larmishmëri jetës së Fondacionit ALSAR.

soap 2 day