Të rinj nga Turqia, studentë e aktivistë, vizitojnë vendin tonë, njihen dhe me aktivitetin e Fondacionit ALSAR

Një grup të rinjsh të organizatës bamirëse HAYRAT, me qendër në Turqi, kanë ndërmarrë gjatë këtyre ditëve një udhëtim nëpër Ballkan, e janë ndalur dhe në vendin tonë.

Interesi i këtyre të rinjve në këtë ekskursion është njohja me vendet e Ballkanit, me trashëgiminë e tyre historike dhe kulturore, me traditat dhe pasurinë besimore.

Në udhëtimin në Shqipëri, vizitorët në moshë të re ishin në disa qytete dhe mundën të shohin nga afër elemente të trashëgimisë kulturore dhe islame, vepra të arkitekturës osmane, etj.

Fondacioni ALSAR i mirëpriti të rinjtë në vizitën në kryeqytet, u mundësoi strehimin në konviktin e tij, e gjithashtu ushqimin.

Takimi me kryetarin e Fondacionit ALSAR u shërbeu atyre për të mësuar mbi aktivitetin e gjerë treplanësh, humanitar, arsimor dhe kulturor, të entit mikpritës, mbi vizionin dhe misionin.

Z. Mehdi Gurra u foli për rolin e Fondacionit ALSAR në forcimin e urave të miqësisë midis dy vendeve, Turqisë dhe Shqipërisë, për bashkëpunimin me institucione dhe organizata partnere turke, për përpjekjet në ruajtjen e lidhjeve historike të shqiptarëve dhe turqve, si dy popuj me një të shkuar shekullore të përbashkët.

Mundësia e shtimit të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit të të rinjve turq dhe shqiptarë u nënvizua në fjalën e z. Gurra për mysafirët në moshë të re.

Takimi me kryetarin e Fondacionit ALSAR u vlejti ekskursionistëve për të kuptuar kontributin shoqëror të një prej institucioneve të dalluara jofitimprurëse në Tiranë.

Paraqitja e vlerave dhe trashëgimisë sonë kombëtare është pjesë e pandashme e aktivitetit kulturor të Fondacionit ALSAR, dhe pritja e të rinjve turq, njohja me këtë trashëgimi, ishte në këtë kuadër.

soap 2 day