Mijëra nxënës në të katër anët e vendit kanë nisur vitin e ri shkollor, rrugëtimin e gjatë të marrjes së dijeve e të përgatitjes për t’u bërë nesër pjesëtarë të denjë të shoqërisë.
Aktiviteti mësimor përbën për shumë prej familjeve të tyre dhe një sfidë ekonomike, në nevojën për t’u siguruar fëmijëve mjetet e domosdoshme për ndjekjen e duhur të shkollës.
Dhe si në çdo shtator, Fondacioni ALSAR u gjendet pranë fëmijëve dhe të rinjve me ndihma të prekshme, të dobishme, duke u dhuruar çanta dhe mjete shkollore.
Një veprimtari e këtij lloji u zhvillua në fillimin e kësaj jave, me përfitues 500 nxënës dhe jetimë.
Falë kontributit nga WEFA, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, kjo ndihmë u shpërnda në shkollën 9-vjeçare “Selman Meta” në Bërzhitë dhe në mjediset e Fondacionit ALSAR.
Çantat dhe mjetet kancelarike i përfituan si dhuratë 245 nxënës në shkollën “Selman Meta”. Shpërndarjen e ndihmës e mundësoi bashkëpunimi me drejtorinë e shkollës.
E njëjta ndihmë, në çanta dhe mjete kancelarike, u dha në sallën e konferencave të Fondacionit ALSAR për 255 fëmijë jetimë.
Dhënia e ndihmës shkollore u krye në kuadër të aktivitetit humanitar dhe arsimor të Fondacionit ALSAR.








