Ndërthurja e aktivitetit humanitar me atë arsimor është një praktikë e konsoliduar e Fondacionit ALSAR posaçërisht në ditët dhe në javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor.
Në bashkërendim me partnerë të huaj realizohen shpërndarje të mjeteve shkollore, më së pari çanta, atje ku çmohet e nevojshme për nxënësit e ulur në bankat e shkollës.
Një veprimtari e tillë dhuruese u zhvillua këtë të hënë në dy shkolla 9-vjeçare në njësinë administrative Çërravë të Pogradecit.
Çanta dhe mjete shkollore u dhuruan për nxënës të shkollës “Islam Ibi”, në Çërravë, dhe të shkollës “Neim Muçelli”, në Pretushë.
Ndihmën e mundësuar nga enti humanitar IHH me qendër në Holandë e përfituan 250 nxënës.
Në vijimësi të kontributit të vazhdueshëm ndër vite me ndihma në këtë zonë, shpërndarja u realizua në koordinim me njësinë administrative të Çërravës.




