Fondacioni ALSAR shtroi këtë të enjte, më 26 shkurt, iftarin tradicional në “Hotel Tirana International”; një eveniment i përsëritur për çdo vit në Ramazan.
Iftarin e respektuan me pjesënarrjen e tyre autoritete lokale, prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, një prej nënkryetarëve të Bashkisë së kryeqytetit, përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, akademikë, historianë, autorë librash, drejtues institucionesh, organizatash dhe shoqatash, teologë, njerëz të medias, aktivistë të shoqërisë civile, mysafirë nga trojet përtej kufirit, miq, dashamirës e besimtarë.
Atmosferën e ngrohtë, mbarimin e agjërimit dhe nisjen e ngrënies së iftarit i shoqëroi një fjalë përshëndetëse e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Urimi mirëseardhës për të gjithë të pranishmit i parapriu një përshkrimi të përmbledhur të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR.
Mikpritësi foli për aktivitetet në tre fushat e përqendrimit të punës së fondacionit, u ndal te botimet, te librat e nxjerrë në treg dhe te ato që presin të shohin dritën e botimit, mes tyre dymbëdhjetë vëllimet me veprën e Sherif Delvinës dhe dymbëdhjetë librat mësimorë të mësim-besimit për nxënësit nga klasa e parë në mbarim të së mesmes.
Mehdi Gurra kujtoi të ndjerin Abdi Baleta, të ikur nga kjo jetë pak muaj më parë, dhe të cilit Fondacioni ALSAR ia botoi 36 vëllimet e korpusit së tij në shkrim pa e lënë ende këtë botë.
Ai falënderoi të gjithë kontribuesit dhe mbështetësit e aktivitetit të Fondacionit ALSAR: bashkitë dhe koordinatorët në qytete e lokalitete të vendit, TİKA-n, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Ambasadën e Kuvajtit, bashkëpunëtorët brenda territorit të Shqipërisë dhe ata jashtë, përgjithësisht organizma turke apo të turqve në Europë.
“Fondacioni ALSAR është tashmë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushat e ndërveprimit”, vuri në pah z. Gurra.
Ai u uroi të pranishmëve agjërim të lehtë dhe të pranuar, për t’ia lënë më pas radhën një përshëndetjeje të shkurtër të prefektit të Tiranës.
Shkëlqim Hajdari e çmoi fort në përshëndetje Fondacionin ALSAR për tërë kontributin shoqëror, duke e cilësuar atë si një markë më vete.
Iftarin e bënë të këndshëm tavolinat e shtruar bukur dhe tonet e lehta muzikore orientale në sfond.
Duaja në mbarim të tij plotësoi solemnitetin e mbrëmjes dhe përcolli natyrshëm te të ftuarit një puhizë të mirësive të Ramazanit.
















