Në Tiranë përkujtohet, me një ceremoni në memorialin e dëshmorëve dhe një panel, 10-vjetori i tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi

Në kryeqytetin e Shqipërisë u zhvilluan sot aktivitete në përkujtim të 10-vjetorit të
tentativës së dështuar për grusht shteti dhe fitores së vullnetit kombëtar në Turqinë
mike.

Një ceremoni përkujtimore është mbajtur pranë memorialit me emrat e dëshmorëve të 15
korrikut.

E organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, ceremonia ka
mbledhur përfaqësues të institucioneve turke, të organizatave të shoqërisë civile, të
afërm të dëshmorëve dhe qytetarë.

Të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë të shkurtër ambasadori i Republikës së
Turqisë në Tiranë, z. Barış Ercun Erciyes.

Ai ka nënvizuar fitoren demokratike të popullit turk dhe ka rikujtuar se FETÖ,
organizata terroriste përgjegjëse për tentativën e dështuar për grusht shteti, mbetet
një rrezik i vazhdueshëm dhe kërcënon rendin kudo ku e ushtron aktivitetin nën maska të
ndryshme. “Do të vazhdojmë t’u shpjegojmë miqve tanë shqiptarë në çdo rast se sa i madh
është rreziku i FETÖ-s, në mënyrë që partneri ynë strategjik, Shqipëria, të mos
përjetojë përvojat e dhimbshme që ka kaluar vendi ynë,” tha ai.

Vendosja e trëndafilave në memorialin me emrat e dëshmorëve dhe lutjet për ta ishin
pjesë e ceremonisë.

Në panelin me temë, “Vullneti kombëtar dhe rezistenca demokratike: 10-vjetori i 15
Korrikut”, të organizuar nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës së Turqisë, të
pranishmit ndoqën mesazhin filmik të drejtorit të Komunikimit të Presidencës së Turqisë,
z. Burhanettin Duran, e më pas dhe fjalën e ambasadorit të Republikës së Turqisë në
Tiranë.

Nën drejtimin e moderatores turke, znj. Meryem İlayda Atlas, në panel ligjëruan z.
Burhan Kayatürk, kryetar i Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Europian në
Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, z. Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR, z.
Murat Yılmaz, anëtar i Këshillit Presidencial për Politikat Sociale dhe Rinore në Turqi,
dhe z. Bujar M. Hoxha, studiues dhe analist.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, tha në fjalën e tij:

“Të nderuar të pranishëm!

Së pari dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj Qeverisë Turke, Drejtorisë
së Komunikimit, të ftuarve të ardhur nga Ankaraja për të vizituar vendin tonë, mikut tim
të çmuar, Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Barış Ceyhun Erciyes, si
dhe zyrtarëve të Ambasadës, për ftesën e bërë Fondacionit ALSAR dhe mua personalisht në
këtë program. Ju përshëndes të gjithëve me respekt dhe përzemërsi!

Para së gjithash, në një program të tillë në lidhje me 15 Korrikun nuk na takon ne të
flasim. Megjithatë, për shkak të lidhjeve tona historike e kulturore dhe marrëdhënieve
tona me Turqinë, në një ditë kaq të rëndësishme kemi nderin që, si një sy i jashtëm, të
ndajmë me ju si vëzhgimet, ashtu edhe ndjenjat tona.

Uroj që ky program të ketë mbarësi.

  1. Hyrje:Vullneti kombëtar, rezistenca demokratike dhe ligjërimi global 

Nata e 15 korrikut 2016 u bë skena e tentativës më të tmerrshme për grusht shteti në
historinë e Republikës së Turqisë.

Megjithatë, populli heroik turk, i cili i doli zot sovranitetit, vullnetit dhe të
ardhmes së tij, e shndërroi këtë natë në një fitore të lavdishme të demokracisë falë
dëshmorëve të patrembur dhe heronjve guximtarë.

FETÖ, një organizatë terroriste e errët në nivel global, u përpoq përmes një rebelimi të
pabesë të marrë peng të ardhmen jo vetëm të Turqisë, por të mbarë ummetit islam, por
dështoi.

15 Korriku nuk është një ngjarje thjesht lokale, specifike për Turqinë, por një
precedent global dhe historik që tregon se si legjitimiteti demokratik mund të mbrohet
përmes vullnetit të popullit.

Ligjërimi me rastin e dhjetëvjetorit nuk kufizohet vetëm me rrëfimin e natës së grushtit
të shtetit, ndërsa synon të paraqesë në shkallë globale këndvështrimin e forcës
institucionale, solidaritetit shoqëror, rezistencës ndaj krizave dhe strukturës së
qëndrueshme shtetërore që Turqia ka shfaqur pas këtij procesi.

  1. Perceptimi i FETÖ-s në arenën ndërkombëtare dhe shembulli i Shqipërisë 

FETÖ vepron në nivel global si një organizatë terroriste e fshehtë me shumë hallka, dhe,
për të siguruar mbijetesën e saj, përdor në nivelin më të lartë taktikat e infiltrimit,
keqinformimit dhe manipulimit.

Në pikën e zbërthimit të rrjeteve ndërkombëtare të organizatës dhe kufizimit të
kapaciteteve të saj operacionale, gjeografia e Ballkanit — veçanërisht Shqipëria — ka
një rëndësi strategjike.

Kur analizohet struktura socio-kulturore në Shqipëri dhe këndvështrimi i popullsisë ndaj
kësaj organizate të pabesë, mekanizmat e dezinformimit ku duhet të përqendrohen
aktivitetet tona të diplomacisë publike janë si vijon:

  • Abuzimi me fenë dhe linjat e holla: PPër të kuptuar plotësisht strukturimin e FETÖ-s në
    një vend dhe rrezikun që ajo paraqet, së pari duhet të njihen hollësitë e fesë dhe se si
    organizata i përdor vlerat islame si një mbulesë. Popullsia në Shqipëri, duke qenë se në
    përgjithësi nuk e njeh fenë në linjat e saj shumë të thella dhe të detajuara, nuk arrin
    të jetë aty ku duhet në perceptimin dhe zbërthimin e mekanizmave të organizatës për të
    keqpërdorur dhe devijuar fenë për qëllimet e veta.
  • Barriera gjuhësore: Një nga pengesat më të mëdha që proceset gjyqësore në Turqi, të
    dhënat e inteligjencës dhe fytyra e vërtetë e organizatës të mos kuptohen plotësisht në
    Shqipëri është barriera gjuhësore. Mosnjohja e gjuhës turke nga shqiptarët i pengon ata
    të marrin informacion të drejtpërdrejtë dhe nga burime të sakta.
  • Perceptimi si ‘punë shtetërore’ dhe manipulimi: Në opinionin publik shqiptar, ngjarjet e
    natës së 15 Korrikut dhe lufta e drejtë ligjore e zhvilluar më pas ende mund të
    interpretohen, nën ndikimin e qendrave të dezinformimit, si ‘një punë e kurdisur brenda
    shtetit turk ose e bërë vetë nga shteti’.
  • Përkthimet e gabuara dhe lajmet e rreme:

    Arsyeja kryesore pse njerëzit bien pre e këtij
    perceptimi të gabuar, të pabazë dhe të rrezikshëm, janë lajmet e rreme të shpërndara
    qëllimisht në shtypin lokal dhe në mediat ndërkombëtare, përmbajtjet manipulative dhe
    përkthimet e gabuara e të njëanshme të zhvillimeve në Turqi.

    Kjo gjendje tregon se sa jetike janë panelet ndërkombëtare të planifikuara të
    organizohen në një gjeografi të gjerë, të shtrirë nga Berlini në Tiranë, nga Londra në
    Xhakartë. Akademikët, përfaqësuesit e OJQ-ve, liderët e opinionit dhe përfaqësuesit e
    medias në vendet e synuara, veçanërisht në Republikën e Shqipërisë (Tiranë), duhet të
    informohen drejtpërdrejt me të dhëna konkrete dhe ky mur i propagandës së zezë duhet të
    rrëzohet.

  1. Qendrat globale të së keqes dhe aleanca me diasporën armene 

FETÖ është një rrjet i së keqes, fijet e të cilit janë në duart e fuqive përtej oqeanit
dhe që punon në planin global kundër Turqisë. Për të mbijetuar pas 15 Korrikut dhe për
të minuar efikasitetin e Turqisë në arenën ndërkombëtare, pozicionin e saj qendror në
korridoret e energjisë dhe stabilitetin rajonal, organizata është bërë e hapur ndaj çdo
lloj bashkëpunimi.

Një nga kërcënimet strategjike që ka tërhequr më shumë vëmendjen kohët e fundit në
luftën e zhvilluar në arenën ndërkombëtare është kërkimi për një aleancë organike që
elementët e FETÖ-s kanë krijuar me qendra të tjera globale të së keqes kundër Turqisë,
veçanërisht me Diasporën Armene. Elementët e fshehtë, kripto, të cilët i paraqiten botës
së jashtme nën maska si ‘një komunitet kulturor’ apo ‘lëvizje dialogu’, duke e mbuluar
identitetin e tyre të vërtetë, depërtojnë në rrjetet institucionale të lobeve armene në
vendet perëndimore ose veprojnë së bashku me ta. Për ta vënë Turqinë në pozitë të
vështirë në gjykatat ndërkombëtare dhe në arenat politike, zhvillojnë fushata të
përbashkëta keqinformimi që mbështesin pretendimet e pabaza shekullore të diasporës
armene dhe sulmojnë drejtpërdrejt interesat kombëtare të Turqisë. Kjo aleancë tregon
edhe një herë se organizata nuk mbart asnjë përkatësi kombëtare apo fetare, por është
thjesht një aparat operativ global (një strukturë legjionare) që synon Turqinë.

  1. Kapaciteti institucional dhe dobësitë e sigurisë kombëtare në luftën ndaj saj 

Në dhjetëvjetorin e luftës kundër FETÖ-s, parakushti për të shfaqur një qëndrim të fortë
ndaj saj jashtë është vazhdimësia e plotë e vullnetit të luftës dhe e vendosmërisë
institucionale brenda vendit. Në këtë kuadër, disa praktika të shfaqura kohët e fundit
në mekanizmat administrativë dhe gjyqësorë mbartin dobësi kritike për sigurinë
kombëtare:

  • Kthimet në aparatin burokratik  dhe pështjellimi: Për shkak se studiuesit e ligjit nuk
    kanë arritur të krijojnë një jurisprudencë të qartë, rikthimi në detyra kritike publike,
    si në universitete dhe në polici, i personave të lidhur me organizatën, të liruar në
    çështjet penale për mungesë provash, dëmton vullnetin e luftës në institucionet publike
    dhe krijon pështjellim. Këto rikthime, përveçse krijojnë terren që personat e kthyer të
    veprojnë pa druajtje, përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë kombëtare në planin
    afatmesëm dhe afatgjatë.
  • Infiltrimet e fshehta dhe nevoja për institucionalizim: J Janë të njohura tentativat e
    anëtarëve të organizatës, të gjendur ngushtë në procesin pas 15 Korrikut, për të
    depërtuar në shoqata dhe bashkësi të tjera, mes tyre dhe në lozhat masonike. Fakti se
    ende po kryhen operacione në institucionet më të ndjeshme, si në Shtabin e Përgjithshëm
    dhe në polici, dëshmon se rreziku në këtë drejtim është ende i pranishëm.
  1. Përfundim dhe vizioni i së ardhmes 

Fryma e 15 Korrikut është prova më e qartë se në këto troje nuk është shuar akoma fryma
e Çanakalasë dhe e Luftës Kombëtare, dhe se çdo qytetar i ndërgjegjshëm turk do të bëhet
mburojë me trupin e tij kur është e nevojshme, si një shtet vigjilent.

Turqia ecën drejt së ardhmes në këtë dhjetëvjetor jo thjesht si një shtet që kapërcen
krizat, por që konsolidon kapacitetin institucional, që mban përgjegjësi në nivel
global, që ka vendosmëri dhe që e përcakton drejtimin me vullnetin kombëtar. Lufta, si
me mekanizmat e FETÖ-s që prodhojnë keqinformim në Ballkan, ashtu edhe me aleancat e së
keqes, si diaspora armene, të ngritura kundër Turqisë në arenën ndërkombëtare, do të
vazhdojë pa ndërprerje, me vendosmërinë institucionale më të lartë të shtetit tonë dhe
me mjetet e diplomacisë publike shumëdimensionale. Shprehim edhe një herë mirënjohjen
tonë ndaj Drejtorisë së Komunikimit dhe Qendrës së saj për Luftimin e Dezinformimit, për
përpjekjet e tyre intensive në këtë aspekt.

Përveç kësaj, dëshiroj ta përfundoj fjalën me urimin që edhe shteti shqiptar, shtetas i
të cilit jam, ta ngrejë në një nivel shumë më të lartë iniciativën e ndërmarrë në luftën
shtetërore të Republikës së Turqisë, partnerit të tij strategjik, kundër FETÖ-s.

Zoti i ruajttë ummetin islam dhe shtetet myslimane nga ky rebelim dhe nga rebelime të
ngjashme të pabesa! Zoti mos e dhëntë, por nëse ndodh përsëri një tentativë e tillë për
grusht shteti, dëshiroj ta dini se si Shqipëri, si Fondacioni ALSAR, dhe si shqiptarë të
arsimuar në Turqi apo me lidhje shpirtërore me Turqinë, do t’i kundërvihemi me lapsin
tonë, me fjalën tonë, dhe nëse është e nevojshme duke u bërë mburojë me jetën tonë.
Tradhtarët le ta dinë se, ‘Turqia nuk është asnjëherë vetëm Turqia’.”

Të pranishmit ndoqën dhe një film të kushtuar 15 korrikut të vitit 2016 dhe panë
fotografitë e ekspozuara në hollin e mjedisit ku u zhvillua paneli.