Fondacioni ALSAR organizoi dhe përmbylli me sukses kurset verore, në kuadër të aktivitetit arsimor dhe të kujdesit të pandërprerë për mirërritjen e brezit të ri.
Si për çdo vit gjatë muajve të verës, u hapën dhjetëra kurse në të katër anët e Shqipërisë dhe iu mundësua fëmijëve të marrin mësime të vlefshme dhe të kalojnë një pjesë të kohës së pushimit në aktivitet të dobishëm.
Mësuesit u kujdesën t’ua bëjnë sa më tërheqës lëndën mësimore ndjekësve të kurseve, duke ndërthurur edukimin etik, moral dhe fetar.
Djemtë dhe vajzat e kurseve verore u pritën ngrohtësisht në mjediset përkatëse, morën mësime dhe u zbavitën njëherësh në grup.
Në 60 kurset verore të hapura në dymbëdhjetë qytete, nga veriu në jug, i ndoqën mësimet 2500 fëmijë. Tirana, Durrësi, Kavaja, Fieri, Elbasani, Berati, Kopliku, Kurbini, Këlcyra, Pogradeci, Korça dhe Devolli do të përzgjidheshin për organizimin dhe zhvillimin e kurseve.
Projekti i zhvillimit të kurseve verore u mbështet nga ente partnere të ALSAR-it dhe nga donatorë të tjerë. IHH me qendër në Holandë, HASENE, me qendër në Gjermani, Bashkia e Bahçelievlerit në Stamboll, veçohen si mbështetësit kryesorë. Mirënjohja, ndërkaq, u shprehet të gjithë kontribuesve.
Përfundimi i kurseve verore dhe i muajve të pushimit do t’ua lënë vendin tani projekteve të tjera arsimore në Fondacionin ALSAR, synuese gjithnjë për t’i shërbyer sa më mirë edukimit të duhur të fëmijëve dhe të rinjve.













