Vizitë e kryetarit të Fondacionit ALSAR në godinën qendrore të YTB-së, takim i ngrohtë me titullarin

Në ditët e ngarkuara me aktivitet në udhëtimin e punës në Turqi në këtë shtator, kryetari i Fondacionit ALSAR ka zhvilluar një vizitë dhe në selinë e Kryesisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike.

Atë e ka pritur në godinën qendrore të YTB-së, në Ankara, kryetari i saj, z. Abdulhadi Turus.

Titullari i institucionit dhe kryetari i Fondacionit ALSAR kanë patur mundësinë të bisedojnë e të shkëmbejnë mendime në takimin midis tyre.

Z. Mehdi Gurra ka folur për veprimtarinë e dendur të Fondacionit ALSAR, ndalur më gjatë në fushat më me interes në kuadër të bashkëpunimit. Arsimi dhe kultura, shkollimi i të rinjve në institucionet e arsimit të lartë në Turqi dhe botimet, janë trajtuar më specifikisht.

Nga ana e tij, z. Abdulhadi Turus, duke e çmuar mysafirin nga Tirana si një anëtar me vlerë të familjes së të diplomuarve në Turqi, ka vënë në pah kontributin e z. Gurra për rininë në vendin tonë, përvojën në fushën e shoqërisë civile.

Në bisedë është diskutuar për projektet e përbashkëta që YTB-ja dhe Fondacioni ALSAR mund të realizojnë në Ballkan, më posaçërisht në Shqipëri.

Kryetari i YTB-së e ka falënderuar z. Mehdi Gurra për vizitën dhe i ka uruar sukses në punën e tij.

Falënderim për pritjen e ngrohtë ka shprehur kryetari i Fondacionit ALSAR, shoqëruar me urimin për suksese të mëtejshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të dy institucioneve.

Takimin miqësor e përshkoi fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë, e pranishme si gjithmonë.