Takim në Ankara i kryetarit të Fondacionin ALSAR me kryetaren e Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë

Drejtuesi i Fondacionit ALSAR ka vijuar takimet në kryeqytetin e Turqisë, në kuadër të një vizite pune disaditore.

Kryetari, z. Mehdi Gurra, ka vizituar dhe Kryesinë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë, i pritur nga kryetarja e entit turk nën varësinë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Mirëseardhja i është uruar nga znj. Esma Ersin, me pritjen të zhvilluar në zyrën e saj.

Biseda njohëse midis tyre, ku janë paraqitur fushat e aktivitetit dhe interesit, i ka dhënë mundësinë funksionares turke të mësojë mbi botimet e ALSAR-it. Ajo ka treguar interes për ta njohur më nga afër dhe më hollësisht literaturën e botuar nga ALSAR-i, veçanërisht atë të lidhur me bektashinjtë.

Znj. Esma Ersin ka premtuar bashkëpunim institucional dhe ka pranuar po ashtu ftesën për ta vizituar në muajt e ardhshëm Shqipërinë.

Ajo do ta falënderonte më herët, gjatë takimit, z. Mehdi Gurra për pjesëmarrjen në forumin e zhvilluar në Nevshehir, si i ftuar i Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR shprehu në takim falënderimin për pritjen e ngrohtë dhe sugjeroi që aktivitete si i Nevshehirit të organizohen nga Kryesia për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Forumi me temë, “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme”, do të tërhiqte vëmendjen për theksimin në deklaratën përfundimtare se qendra e bektashizmit është në Haxhibektash, me rrënjë e qendër në Anadoll.

Vizita e z. Mehdi Gurra në selinë e Kryesisë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë u krye një ditë pas mbajtjes së forumit.