Fondacioni ALSAR dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Fondacioni ALSAR dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, të përfaqësuar nga drejtuesit e dy institucioneve, kanë nënshkruar këtë të premte, më 6 nëntor, një marrëveshje bashkëpunimi.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Blerta Dragusha, zhvilluan në këtë kuadër një takim që i shërbeu paraqitjes së veprimtarisë së dy institucioneve dhe perspektivave të hapura me marrëveshjen e bashkëpunimit.

Urimet e ndërsjella kanë qenë pjesë e nënshkrimit të protokollit, me të cilin nënkuptohet përparimi i bashkëpunimit ekzistues deri më tani.

Marrëveshja synon mbështetjen e studentëve – një angazhim arsimor i vazhdueshëm i Fondacionit ALSAR – dhe ruajtjen e promovimin e vlerave tona kombëtare, si reflektuese e interesit parësor të fondacionit në lëmin kulturor të veprimtarisë së tij.

Marrëveshja parashikon pasurimin e bibliotekave të universitetit nga Fondacioni ALSAR, organizimin e veprimtarive të përbashkëta kulturore, konferenca, seminare, panaire, ekspozita, dhënien e ndihmës dhe mbështetjes së projekteve të përbashkëta të botimit të literaturës akademike, akordimin e stimujve financiarë nëpërmjet programit të bursave të ekselencës, kontributin me bazë materiale për përmirësimin e infrastrukturës universitare, dhënien e ndihmës financiare dhe humanitare për studentë në vështirësi ekonomike, si dhe ndërmjetësimin për krijimin e urave të bashkëpunimit me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkaq, ashtu siç e parashikon objekti i marrëveshjes, pritet që bashkëpunimi të ketë ndikim pozitiv në rritjen dhe përmirësimin e efikasitetit të veprimtarive të Fondacionit ALSAR në fushën e arsimit dhe kulturës në qytetin e Shkodrës.

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit vë në themele shumë më serioze dhe institucionale një angazhim të gjatë, me veprimtari të ndryshme, të Fondacionit ALSAR në këtë qytet.

Prania e tij në Universitetin “Luigj Gurakuqi” është e hershme, me mbështetjen e studentëve me bursa ekselence, me veprimtaritë e dhurimit të librave, e me organizime me sfond kulturor.

Nënshkruesit, z. Gurra, dhe znj. Dragusha, shprehën kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes dhe vullnetin për ta konkretizuar sa më mirë atë.