Në vrullin e aktivitetit të pandërprerë humanitar, për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë dhe institucioneve të ndryshme, Fondacioni “ALSAR” siguroi kohët e fundit një sasi ndihme në artikuj higjienikë dhe aparatura mjekësore.
Ndihma përbëhej nga 937 koli me artikuj higjienikë, ndryshe pelena higjienike, apo “pampers”, të përmasave të ndryshme dhe për mosha të ndryshme, nga të vegjël në të moshuar, dhe dy aparatura dialize.
Sasia e artikujve higjienikë iu dha Bashkisë së Tiranës, për t’u shpërndarë prej saj për nevojtarë të kryeqytetit në gjashtë qendrat sociale dhe në njëzet e katër njësitë administrative, sipas një plani shpërndarjeje të përpiluar posaçërisht.
Dy institucione të ndryshme, Fondacioni “ALSAR” dhe Bashkia e Tiranës kanë prej vitesh një marrëveshje bashkëpunimi, produkt i së cilës janë një varg aktivitetesh në të mirë të kryeqytetit dhe të banorëve të tij.
Ndërkaq, dy aparatura dialize i shkuan Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u dërguar prej saj në institucionet e kujdesit shëndetësor në nevojë për to.
Kontingjenti me ndihma është dhuratë e organizatës WEFA, me qendër në Gjermani, një partnere e “ALSAR”-it në aktivitetin humanitar.
Fondacioni “ALSAR” ka një veprimtari të gjerë humanitare, të përqendruar te shtresat në nevojë dhe të shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Ndihmë është dhënë periodikisht dhe për ente shtetërore. Mes tyre, institucione të mjekësisë janë ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.