Botimet “ALSAR”, pesë tituj të këtij viti

Ndërsa koha kalon, botimet e Fondacionit “ALSAR” njohin rritje në numër, në cilësi dhe në shumëllojshmëri. Botime dhe ribotime, tituj të larmishëm, sjellë lexuesit të çfarëdoshëm dhe të specializuar. Disa qindra janë këto botime, shtuar këtë vit me tituj të rinj, e me të tjerë libra që presin në radhë për t’u shtypur.

Një botim kushtuar gjuhësisë, posaçërisht gegnishtes, një libër kujtimesh i sjellë me një përkthim të ri, dhe një vepër krejt e veçantë, ngaqë është në turqisht dhe frëngjisht, më së pari, përveç përmbajtjes, i bashkohen listës së gjatë si botime të 2021-shit.

“Shkolla e Mjekësisë”, “Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme”, “Her devirde yunanlılar – Eski bir diplomatın kaleminden”, “Mevludi Sherif” dhe “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut” përbëjnë titujt e parë të botuar për këtë vit.

Një numër pedagogësh të Universitetit të Trakias në Edirne të Turqisë kanë përgatitur botimin, të sjellë në shqip, “Shkolla e Mjekësisë”, që për lëndë ka rivitalizimin e një pjese të trashëgimisë osmane në atë qytet, dikur dhe qendër e perandorisë. Zhvillimi historik i shkollave osmane, arsimi mjekësor në Edirne gjatë periudhës osmane, si dhe në Europë në të njëjtën periudhë dhe më herët, gjendja e kompleksit historik dhe puna restauruese në të, jepen shkurtimisht dhe me ilustrime.

Me përgatitjen, parathënien dhe shënimet e Mehmet Elezit, është botuar “Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme.” Prej këtij punimi gjuhësor me mjaft vlerë po citojmë pak fjali, nga parathënia, me shumë domethënie:

“Gegnishtja dhe tosknishtja janë dy mushknitë e gjuhës shqipe. Si njerëz të lirë, nuk mund t’ia lejojmë vetes ‘luksin’ me shpërfillë qoftë edhe nji shkronjë a tingull të saj. Të shpërndamë në disa shtete në Ballkan, të bamë pikë e pesë nëpër botë, e vetmja që na njajtëson qartësisht si shqiptarë asht fjala shqipe. Pa gjuhë shqipe s’ka shqiptarë.

“Vërehet nji prirje me e gjallnue gegnishten. Herë-herë ma fort si vullnet i paorganizuem, sesa si ndihmesë e mirëfilltë.

“Gegnishtja i ka pasë rregullat e drejtshkrimit para se me i pasë shqipja e sotme standard. I kishin hartue dijetarët në Prishtinë, me përkushtim e kompetencë shkencore. I përfunduen më 1964. Në qershor 1964 u miratuen nga autoritetet shtetnore të kohës.

“Ky libër përmban pikërisht rregullat e botueme më 1964, në Prishtinë. Asht kodi i standardizimit të gjuhës shqipe, me bazë gegnishten. Gjithnji i vlefshëm edhe si kod i gegnishtes së normëzueme.”

Në gjuhën e përkthyer dhe në atë origjinale, në turqisht dhe frëngjisht, “Her devirde yunanlılar – Eski bir diplomatın kaleminden”, “Les grecs a toutes les époques – De la plume d’un ancien diplomate”, ky botim i “ALSAR”-it flet për grekët dhe përmban përshkrime shumë interesante për ta.

Në shqip si, “Grekët në çdo epokë”, vepra kërkon vetëkuptueshëm njohjen e turqishtes apo të frëngjishtes për t’u lexuar. Botimi i saj në frëngjisht në vitin 1870 u bë nga Edouard Dentu, përkthyer në turqisht si përshkruese e jetës sociale, kulturore dhe politike të grekëve që prej antikitetit.

“Mevludi Sherif”, prej të ndjerit Hafiz Ali Ulqinaku, është një ribotim i kërkuar, siç bëhet e ditur dhe në faqet e para të botimit. Ai qe botuar dhe gjashtë vite më parë nga Fondacioni “ALSAR”, risjellë sërish për lexuesin në kërkim të tij, më në veçanti për atë në Ulqin, prej dhe nga erdhi kërkesa.

“ALSAR” solli një tjetër vepër të Pashko Vasës, “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”. Si shpesh në botimet e fondacionit tonë, libri është dygjuhësh, në shqip dhe frëngjisht, në gjuhën në të cilën e shkroi fillimisht Pashko Vasa.

“La Bosnie et L’Herzegovine pendant la mission de Djevdet Efendi”, i botuar më 1865 në Stamboll, përmban kujtime dhe përjetime të autorit gjatë qëndrimit të tij jo shumë të gjatë në atë vend.

Në parathënien e librit thuhet mes të tjerash: “Në qoftë se më pyesin për arsyet që më shtynë të shkruaj në një gjuhë që nuk është e imja (unë jam shqiptar) dhe të cilën nuk e njoh aq mirë sa ta përdor me njëfarë elegance, do të përgjigjem vetëm me dy fjalë…. Di vetëm se çdo gjë që qeveria jonë bën në interes të qytetërimit dhe të njerëzimit, mbetet në terr e në heshtje. Nëse gazetat thonë ndonjëherë një fjalë për këtë, kjo fjalë është shumë e zbehtë, e pakët. Dhe kështu, e mira që bën ajo kalon pa rënë në sy… Për të mirën nuk flitet thuajse kurrë… Një gjykim i tillë është i padrejtë…. Kur shkrova, nuk pata asnjë qëllim tjetër përveç qëllimit me vu në dukje të mirën që misioni i Xhevdet Efendiut bëri në Bosnje e në Hercegovinë. Dua në të njëjtën kohë t’u bëj të njohur evropianëve gjëra që ata nuk i dinë, dhe që edhe vetë ne, shtetas otomanë dhe nëpunës të qeverisë, nuk i njohim më mirë se ata.”

Pesë titujt e mësipërm do të ndiqen gjatë këtij viti nga shumë botime të tjera. Cilësia e përzgjedhjes së titujve të rinj, sikurse dhe cilësia e botimit, është e garantuar nga një traditë shumëvjeçare e botimeve të “ALSAR”-it.

soap 2 day