Botimet ALSAR sjellin një vepër dhe një autor të veçantë, “Studim mbi teorinë e të drejtës islame”, nga Sava Pasha

Sapo e ka parë dritën e botimit vepra, “Studim mbi teorinë e të drejtës islame”, e autorit Sava Pasha.

Botimet ALSAR kanë nxjerrë nga shtypi një vepër dyvëllimëshe dhe në dy gjuhë, në shqip dhe në origjinalin në frëngjisht. Ajo paraqet interes në shumë aspekte, si trajtesë e një teme me kompleksitet dhe ndjeshmëri të lartë, me një qasje historike, filozofike dhe jurisprudenciale, shkruar nga pozitat e një të krishteri.

Autori, Sava Pasha, sipas asaj çka shkruhet në jetëshkrimin për të dedikuar këtij botimi, dhe që mund të lexohet në nisje të vëllimit të parë, është një personalitet shumëdimensional, hera-herës edhe paradoksal; doktor në mjekësi, diplomat, nëpunës i lartë osman, i krishterë ortodoks për nga besimi, një intelektual i kalibrit ndërkombëtar me bindje pozitiviste dhe kozmopolite të karakterizuara nga përkatësi të shumëfishta kulturore, franceze, helene, turko-osmane dhe shqiptare.

Ndjenja e sinqertë e përkatësisë ndaj universit perandorak osman, ndjesia e gjallë e të qenit epirot shqiptar, respekti i thellë ndaj fesë islame dhe institucioneve të saj, sikundër dhe dashuria e pashtershme për kulturën dhe letrat greke, por edhe për kozmopolitizmin që zinte fill në një atashim të pathyeshëm ndaj gjuhës dhe qytetërimit francez, e karakterizuan të gjithë veprimtarinë dhe jetën e paklasifikueshme të shqiptarit Sava Pasha, e cila mbetet pak e studiuar në Turqi, përciptazi e trajtuar në Greqi dhe në Francë, dhe ende tërësisht e panjohur në Shqipëri.

Përtej temës, pra, qëllim i botimit është dhe njohja e publikut me një personalitet pak të njohur, në mos aspak, edhe pse me origjinë shqiptare. Dhe sa ka të bëjë me përmbajtjen, ndonëse Sava Pasha shprehet vetë se vepra është shkruar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, me dëshirën për ta bërë të kuptueshëm për të gjithë, ajo mund të mos jetë lehtësisht e përthithshme nga çdo lexues.

soap 2 day