Fondacioni ALSAR sapo ka bërë botimin e dytë të serisë prej gjashtë librash kushtuar së shkuarës së Shkupit, Selanikut, Prizrenit, Pejës, Manastirit dhe Janinës.
Botimin e dytë në një kohë kaq të shkurtër nga dalja e të parit e nxiti interesi i madh me të cilin u pritën fillimisht librat. Suksesi i botimit të parë çoi menjëherë në botimin e të dytit, për t’iu përgjigjur kërkesës së publikut.
Botimet përmbajnë dokumente të qëmtuara në arkivat osmane në Stamboll, si dhe ilustrime të shumta. Cilësinë e botimit të historive të këtyre qyteteve e shton pa dyshim karakteri tregjuhësh, në shqip, turqisht dhe osmanisht.
Lexuesi do të mësojë nëpërmjet kësaj serie mbi gjallërinë e këtyre qyteteve gjatë periudhës osmane, mbi jetën sociale, kulturore, tregtare, fetare, mbi përbërjen demografike, objektet e kultit, etj.
Përmbajtjes së pasur dhe me shumë të dhëna të teksteve përkatëse i ka hije paraqitja e jashtme e librave, punuar në çdo element me mjaft kujdes.