Dhurohen çanta për nxënës të Peshkopisë në nisje të vitit të ri shkollor

Shtatori i kthen nxënësit në bankat e shkollës, për të marrë dije dhe për t’u përgatitur për jetën. Dëshirës së madhe të fëmijëve dhe të rinjve për t’u arsimuar shpesh nuk i përgjigjet mundësia e kufizuar e prindërve për t’ua plotësuar nevojat për mjete didaktike, përgjithësisht në zona të varfra të vendit.

I ndjeshëm ndaj nevojave të komuniteteve, i gatshëm për t’u ardhur në ndihmë shkollave dhe nxënësve, Fondacioni ALSAR për çdo vit shkollor dhuron çanta dhe mjete të tjera didaktike. Një sipërmarrje e tillë është pjesë e aktivitetit arsimor të fondacionit, të kryer krahas aktivitetit humanitar dhe kulturor.

Dhurimi i çantave këtë shtator ka nisur nga Peshkopia. Në njësinë administrative Tomin, në periferi të Peshkopisë, çanta dhe mjete didaktike janë dhuruar për nxënës të shkollës 9-vjeçare “Idriz Kaba”.

Shpërndarjen e kanë bërë punonjës të Fondacionit ALSAR, ndihmuar nga arsimtarët e shkollës. Ndihma në çanta dhe mjete didaktike ishte për 150 nxënës.

Dhënia e çantave dhe mjeteve didaktike për nxënës të shkollave të ndryshme të vendit do të vijojë dhe në ditët e ardhshme. Prej dhuratave shkollore të Fondacionit ALSAR kanë për të përfituar 1000 nxënës.

Peshkopia ishte vendmbërritja e parë në këtë vit të ri shkollor; çanta shkollore do të dhurohen nesër në tjetër qytet, në tjetër shkollë, për të gëzuar të tjerë fëmijë, të tjerë nxënës.

soap 2 day