Ndikimi i Turqisë në rajon dhe marrëdhëniet e saj me shqiptarët në Ballkan mbeten një temë e parapëlqyer e studiuesve, historianëve, politologëve, sociologëve, si dhe e njerëzve të shtypit. Ky interes i jashtëzakonshëm dhe ky fokus i pandryshuar është i përligjur me faktin e rritjes së faktorit turk në nivel rajonal dhe global, bashkangjitur qëndrimit të përhershëm krah shqiptarëve të Turqisë moderne dhe kontributit të vazhdueshëm në të mirë të tyre.
Kjo marrëdhënie e gjatë, e frytshme dhe me rrënjë të thella, merret në analizë në mënyrë periodike, si nëpërmjet organizimeve të tubimeve të ndryshme shkencore, ashtu dhe përmes veprave studimore. Një nga këto të fundit, kushtuar kontributit të Turqisë për Kosovën, është prej një kohe e disponueshme për lexuesin.
Për një paraqitje të plotë të veprës, “Kontributi i Turqisë për Kosovën – Pikëpamje nga Prishtina”, dhe për t’i dhënë asaj më tepër zë dhe njohje, botuesi, Fondacioni ALSAR, dhe Instituti Junus Emre, dega e Prishtinës, organizuan një promovim të enjten e 16 majit në kryeqytetin e Kosovës.
Në paraqitjen e veprës në mjediset e Institutit Junus Emre ishte i pranishëm ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı. Prani spikatëse mes shumë personaliteteve qe ajo e kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, si edhe e kryetarit të partisë “Lëvizja Populli” në Maqedoninë e Veriut, z. Skënder Rexhepi. Të pranishëm ishin dhe deputetë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Një varg autoritetesh në fusha të ndryshme të jetës kosovare e nderuan gjithashtu aktivitetin paraqitës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorit turk në Prishtinë falënderoi autorin, z. Abdullah Klinaku, dhe botuesin, z. Mehdi Gurra, si kryetar i Fondacionit ALSAR, për nxjerrjen e kësaj vepre studimore mbi kontributin e Turqisë për Kosovën.
Ndër folësit, prof. dr. Ibrahim Gashi shprehu konsideratat profesionale për veprën, shqyrtuar kapitull pas kapitulli, e të thëna kështu, “Si lexues i kujdesshëm i këtij libri, por edhe në kapacitetin e politikanit dhe diplomatit në vitet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe si njeriu që pati fatin të jetë pjesë e shumë vizitave zyrtare në Ankara e në qendra të tjera të Turqisë, si Stambolli, Bursa e Izmiri, mund të konstatoj se autori i këtij libri, studiuesi Abdullah Klinaku, ka bërë një përpjekje serioze hulumtuese dhe ka shënuar një arritje solide, duke na sjellur një doracak të munguar jo vetëm për audiencat akademike, por për të gjithë ata lexues që ruajnë respektin për kontributin e shtetit mik të Turqisë për shtetin dhe popullin e Kosovës.”
Studiuesi Mustafë Bajrami u shpreh se studimi i ka tejkaluar përmasat e një libri statistikor, si më shteruesi rreth rolit dhe kontributit të Turqisë për Kosovën. “Libri që e keni para duarve,” tha ai, “nuk është vetëm një shkëndijë e vetmuar e këtij lloji, rreth marrëdhënieve midis dy shteteve, por është para së gjithash një përpjekje nismëtare që do të hedhë dritë mbi errësirat ideologjike, atje ku flitet me gjuhë joreale për kontributin e shtetit të Turqisë në shtetndërtimin e Kosovës, e fillimisht në çlirimin dhe pavarësimin e saj.”
Analizë i bëri botimit dhe dr. Selami Shkodra, theksues se, “Botimi në fjalë merr tjetër vlerë si një libër memorial apo rikujtues, pasi përmbajtja e tij identifikon e rikujton mjaft ngjarje dhe veprime konkrete me shembuj të cilët kanë zinxhirzuar hap pas hapi traditën në zhvillim të këtij bashkëpunimi… Autori përshkruan pikëtakimet midis këtyre dy popujve, si në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.”
Dr. Muhamed Jashari, studiuesi nga Shkupi, e përmblodhi punën studimore të autorit me fjalët, “Libri që gjendet para jush, i përbërë nga pjesa hyrëse, katër kapituj, përfundimi dhe të dhënat referenciale, shpërfaq marrëdhëniet bilaterale të shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, të këtij lojtari aq të rëndësishëm, në tabelën e madhe të shahut! Ky tekst, i cili shoqërohet me veglat dhe instrumentariumin shkencor, parashtron hipotezat përmes të cilave ngrihet hulumtimi dhe që vërtetohen të njëjtat. Klinaku, këtë studim ia nënshtron metodologjisë shkencore, duke përdorur kësisoj pluralizëm metodash, dhe arrin tek rezultatet e dëshiruara. Bëhet fjalë për hulumtim cilësor, ku autori ka përdorur qoftë burimet parësore (siç janë intervistat gjysmë të strukturuara), por edhe dytësore (siç janë hulumtimet e mëhershme, monografitë, rezolutat, etj.).”
Fundi i ligjëratës së dr. Muhamed Jasharit iu kushtua entit që e mundësoi botimin, duke thënë: “Për prurjen e kësaj vepre pa dyshim që një falënderim i veçantë dhe lëvdatë i takon Botuesit ALSAR nga Tirana, në krye me z. Mehdi Gurrën, i cili publikut shqiptar i sjell vepra me vlerë historike e shkencore, qoftë si botime anastatike, autoriale ose të përkthyera, që vërtet i kontribuojnë historiografisë sonë dhe plotësojnë sirtarin e lexuesit.”
Ndërsa u uroi personaliteteve mirëseardhjen në promovim, dhe falënderoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı, për pjesëmarrjen dhe interesimin për organizimin e këtij aktiviteti, drejtuesin e Institutit Junus Emre në Prishtinë, z. Ramazan Yılmaz, për bashkorganizimin e promovimit, dhe autorin e veprës, z. Abdullah Klinaku, për tërë angazhimin e tij intelektual, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, duke e quajtur botimin një libër në kohën e duhur mbi kontributin për Kosovën nga një shtet gjithmonë mik, parashtroi pikëpamjen e tij mbi veprën.
“Kosova, si një entitet i ri shtetëror, por edhe më herët, e ka patur të domosdoshme përkrahjen dhe ndihmën. Turqia është ndër vendet që nuk ia kursyer për asnjë çast as njërën dhe as tjetrën, ashtu si edhe Shqipërisë. Një kontribut i këtyre përmasave ka nevojë të vihet në pah, t’i sigurohet vazhdimësia, të tregohet mirënjohja.
Aq më tepër që prej kohësh, vitesh, përkujdesi dhe ndihma turke për shqiptarët këtejpari, në Shqipëri dhe Kosovë, është vënë nën një thjerrë zmadhuese, për t’i gjetur kleçka e për të mos ia njohur të mirën. Pa dyshim, kjo pikënisje nuk është e çdokujt, veç krijon vërtet bezdi, nëse jo zemërim, ndonëse pse jo dhe zemërim, goditja e çekanit në të njëjtin vend. Influencat për këndvështrimin errësues nuk është gabim t’i shohim si gjeopolitike, prej shqetësimit për soft power-in e Turqisë në rajon, apo dhe ikacakësh që strehën e kanë gjetur në anët tona.
Për të mos e vënë barrën më tepër te çka u përmend në fjalinë e mësipërme, duhet t’i japim hakun dhe vështrimit bardhë e zi të shkruesve të historisë, paraprirës i të gjithë kësaj përmes skicimit të osmanit (turkut) që vret e pret për shekuj në troje shqiptarësh. Narrativa e ideologjizuar ka arritur të krijojë ndjenja negative, prej nga është e pamundur të shihet objektivisht kompleksiteti i një zhvillimi historik shumëshekullor. Bartja në mejdan e idesë se marrëdhënia e mirë me Turqinë do të thotë shkuarje drejt Lindjes, e jo drejt Perëndimit, është, pastaj, po aq e pabazë dhe trishtuese sa edhe e pandershme.
E vërtetë sidoqoftë e padiskutueshme është kontributi i madh i Turqisë për shqiptarët në kohën e re historike, pas rënies së mureve ideologjike të Luftës së Ftohtë dhe efekteve pasuese, ndërtimit të një Shqipërie postkomuniste dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kontribut tepër i qenësishëm është ky i dy dekadave të fundit, që përkojnë me ardhjen në pushtet të AKP-së në Turqi dhe shndërrimin e vendit euroaziatik në një aktor kyç rajonal dhe njëkohësisht me peshë në politikën botërore. Me të duhen kuptuar deklaratat e panumërta në vite të zyrtarëve më të lartë turq në mbështetje të shqiptarëve, në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë në ditë të vështira dhe në përkrahje të Kosovës, pjesëmarrja në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve serbe dhe njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës, përfshirja në fushatën e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri, ndihmat e vazhdueshme ekonomike, e kështu me radhë.
Gjithë ky kontribut e solli Turqinë te njohja si partner strategjik, te një përcaktim i cili ka hasur në rezistencë për t’u gjithëpranuar. Fondacioni ALSAR organizoi një simpozium në vitin 2018 mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke (e po ashtu vitin e kaluar), mbi historikun e tyre dhe nevojën e shqiptarëve për ta pranuar Turqinë në krah, duke u kushtuar dhe një libër përmbledhës kumtesave të mbajtura, si një shërbim për forcimin e këtyre marrëdhënieve dhe shmangien e një përkeqësimi të mundshëm, patjetër të panevojshëm dhe ndoshta fatal.
Njohja e kontributit të Turqisë për shqiptarët do të mbetej e mangët, dhe njëkohësisht e paplotë do të ishte dhe përgjigjja për dyshuesit, jooptimistët, po të mos i kushtohej diçka më vete atij për Kosovën. ‘Kontributi i Turqisë për Kosovën – pikëpamje nga Prishtina’, i autorit Abdullah Klinaku, është libri i kushtuar kësaj teme”, tha z. Gurra.
Ndalur në vijim më gjatë te autori dhe vepra, drejtuesi i Botimeve ALSAR, nënvizoi: “Meritë e autorit është se nuk ka rënë në sentimentalizma, as është pushtuar nga emocionet në të shkruar, por i ka qëndruar stoik një metodologjie dhe i ka argumentuar tezat. Në libër flet fakti, historia, flasin protagonistët, e mbështesin shkrimin referencat e shumta. Ai e nis me histori dhe përfundon me definicione, parashtron dhe nxjerr përfundime, flet vetë dhe përmes aktorëve politikë kosovarë të intervistuar.
Shpjegimi i universalitetit të marrëdhënieve shumëdimensionale dhe komplekse shqiptaro-turke përmes historisë, kulturës, fesë, lidhjeve familjare, shoqërore dhe ekonomike, jep hapësirën e kërkuar për ta përligjur dhe domosdoshmërinë e vijimësisë së kësaj lidhjeje të fortë dhe sot e më tutje.
Material dhe arsyetim i mjaftueshëm gjendet në katër kapitujt për t’u dhënë bekimin marrëdhënieve shqiptaro-turke. Kënaqësi është ta konstatosh qasjen objektive të autorit, i cili flet në përshkrimin historik për ‘epokë të administrimit nga Perandoria Osmane’, për Perandorinë Osmane si ‘mburojë dhe mundësi më e sigurt për kultivimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ruajtjen e tij’, dhe për atë se ‘islamizimi i shqiptarëve gjatë kohës së Perandorisë Osmane nuk do të thoshte osmanizim apo turqizim, siç ishte ortodoksizmi, i cili nënkuptonte dhe sllavizim dhe greqizim në të njëjtën kohë’.
Në kontekstet e së sotmes, autori i kushton një vend të veçantë presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhënësit të një ‘vendi të merituar marrëdhënieve të dyanshme midis Kosovës dhe Turqisë’. Ai me të drejtë pohon se, ‘me faktorizimin e Turqisë, presidenti Erdoğan fuqizon bashkëpunimin edhe me Kosovën, e mbështet dhe e ndihmon atë në proceset më të rënda e më sfiduese’.
E pamundur është mos të të bëjë përshtypje dhe thënia e ambasadores turke se Kosova është për Turqinë ‘një çelës magjik që njeriu mund ta shfrytëzojë për të hapur shumë dyer’. Apo e ish-ministrit të parë të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, që, tek i njeh diplomacisë turke merita shumë të mëdha për shumë njohje të Republikës së Kosovës, shprehet se ‘Ankaranë e kemi konsideruar si port përmes të cilit kalohet në shtetet e Lindjes’.
Konkluzionet e autorit në fund të librit përbëjnë sfidë për kundërshtarët e një miqësie të fortë vëllazërore mes dy popujve: a) ‘Ballkani nuk mund t’i kthehet asnjëherë paqes dhe zhvillimit pa stabilitetin politik të shqiptarëve dhe pa mbështetjen e shtetit turk’, b) ‘E në këtë ambient aq sfidues, vendi dhe populli ynë është me fat që krah vetes e ka një shtet mik siç është shteti turk dhe një popull vëlla siç është popull turk’, c) ‘Vëllazëria dhe miqësia e ndërsjelltë midis dy kombeve para së gjithash është amanet i gjeneratave të mëparshme dhe në të njëjtën kohë është amanet i yni ta ruajmë për gjeneratat e ardhshme’.
Ky libër, kështu, me gjithçka përmban, është një argument i fortë për një marrëdhënie të qëndrueshme e më të fuqizuar shqiptaro-turke. Si ngulmues i përhershëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, Fondacioni ALSAR e nxiti dhe e realizoi botimin e tij.”
Autori, studiuesi Abdullah Klinaku, u shpreh për pjesëmarrësit, tek e mori fjalën, mbi qëllimin e veprës, si, “…përmbledhje e raporteve dhe kontributit të Turqisë për Kosovën dhe relacionet e thella që janë midis dy popujve. Rreth kësaj çështje herë pas here ngritët debati publik duke e kontestuar apo keq interpretuar këtë raport. Prandaj besoj se një shkrim i tillë, i përmbajtur por duke u mbështetur në referenca shërben si racionalizim i mendimit tonë publik e politik për raportet tona me Turqinë.”
I ndaluar në raportet me botuesin, autori e paraqiti atë dhe si nxitës në mbarëvajtjen e punës, “E gjithë kjo punë nuk do të kishte asnjë kuptim pa gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Fondacionit ‘Alternativa e së Ardhmes – ALSAR’ në Tiranë, për botimin e librit. E ndjej për detyrim të konstatoj se kryetari i Fondacionit ALSAR z. Mehdi Gurra, në këtë projekt nuk është vetëm botues por në të njëjtën kohë ishte inkurajues dhe mbështetës i punës në të gjitha fazat. Madje, idenë fillestare për domosdoshmërinë e të shkruarit të këtij libri për herë të parë e patëm diskutuar së bashku me z. Gurrën në gushtin e vitit 2019 në Tiranë.”
Në lartësinë e temës dhe të nivelit të veprës, promovimi ofroi analizë të mjaftueshme për ta paraqitur sa më mirë botimin, një tekst prej nga mund të përfitohet njohje e gjerë e kontributit të Turqisë për Kosovën.